Rama: Do sjellë modelin turk. Erdogan: Simbol i miqësisë

3 muaj nga nisja e punimeve, Spitali Rajonal i Fierit ka hapur dyert. Nga ceremonia e përurimit të tij, kryeministri Edi Rama tha me humor se do të ishte një “bastexhi i humbur përballë Erdoganit”, por për fat këto të fundit janë të ndaluara në të dyja vendet.

“Turqia i ka ndaluar, ne i kemi ndaluar se faktikisht, unë sot do isha një bastexhi i humbur dhe ai do kishte fituar bastin. Fjala e dhënë u mbajt plotësisht dhe as 3 milionë supervizorët shqiptarë nuk i gjejnë dot një bisht kësaj pune. Ky është sukses mbi suksesin”.

Kryeministri Edi Rama tha se ai jo vetëm, do t’i shërbejë gjithë rajonit të Jugut, por do të sjellë përvojën dhe modelin e shëndetësisë turke në vendin tone.

“Përtej shërbimeve që do të ofrojë, për vlerën si një qendër e transferimit të asaj dijë të madhe që Turqia mike ka krijuar dhe që bujarisht do e ndajë me ne, në mënyrë që modeli aq i suksesshëm i shëndetësisë publike në Republikën e Turqisë, një model botërisht i duartrokitur dhe admiruar, të bëhet edhe modeli i shëndetësisë shqiptare në vitet që kemi përpara nesh”.

Edhe pse jo i pranishëm fizikisht, presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan iu bashkua ceremonisë përmes një video-mesazhi. Erdogan përgëzoi vendin tonë për hapjen e Spitalit Rajonal të Fierit, duke e cilësuar një dëshmi të miqësisë midis dy vendeve.

“Uroj që ky spital i miqësisë mes vendeve tona të sjellë sa më shumë shërim për vëllezërit e mi shqiptarë. Ngushëllime për ato familje që kanë humbur jetën nga virusi COVID. Ju dëshiroj shërbim të shpejt për ata që janë të infektuar dhe ndodhen nëpër spitale”.

Presidenti turk pohoi se bashkëpunimet mes dy vendeve do të vijojnë si edhe në të kaluarën.

“Unë besoj fort në thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë në të gjitha fushat. Turqia në mbi 30 vite, ka ofruar një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë. Pas tërmeteve dhe përgjatë pandemisë së COVID- 19, u përpoqëm të ishim pranë jush me të gjithë mundësitë tona”.

Ndërsa Ministrja e Shëndetësisë tha se ky spital do t’i shërbejë gjithë shqiptarëve.

“Këtë spital do ta kthejmë një qendër të ekselencës. Në 20 Maj këtë spital do ta hapim dhe do të ofrojë shërbime për qytetarët shqiptarë”.

Në përmbyllje, Manastirliu i dorëzoi homologut të saj turk “Çelësin e Spitalit” një formë simbolike përkujtimi për frymën e bashkëpunimit mes 2 vendeve.

Tv Klan