Familjet që banojnë në truallin ku do të ndërtohet Spitali i ri Rajonal i Fierit nga Turqia, kanë protestuar sot duke kundërshtuar ndërtimin mbi atë tokë.

Por Kryeministri Edi Rama ka thënë se spitali i ri do të jetë publik dhe jo privat, që do të thotë se prevalon interesi publik.

“Në zonën ku do të ndërtohet spitali janë 12 familje. Spitali do të jetë publik. Do të jetë spital ku Republika e Turqisë do të kontribuojë jo vetëm për ndërtimin, por dhe për transferimin e teknologjisë. Dhe për një periudhë kohe do të administrohet nga specialistë turq, do të punësohen natyrisht mjekë dhe infermierë shqiptarë që për një periudhë kohe do të punojnë nën drejtimin e specialistëve turq dhe në fund do të marrin edhe drejtimin e spitalit. Pra spitali është publik, nuk është privat. Për të ndërtuar një spital publik shteti ka të drejtën të vendosë ku dhe ka të drejtën të bëjë shpronësim për interes publik. Protestat nuk funksionojnë kur nuk kanë bazë të drejtën e sanksionuar në ligj, ndërkohë që përfitoj nga rasti t’ju them këtyre familjarëve”.

Në konferencën për fushatën e vaksinimit anti-covid, Kryeministri Rama deklaroi se familjet që banojnë në atë truall do të firmosin marrëveshje me shtetin dhe për çdo ditë vonese nga zbatimi i saj, do të përfitojnë dëmshpërblim.

Janë thirrur nga kryetari i bashkisë, janë informuar që kjo gjë nuk është për diskutim, është për zbatim, por duke qenë se koha e procedurave të shpronësimit merr një pjesë të mirë të kohës, ju është kërkuar mirëkuptimi që të firmosim një marrëveshje dhe do të shpronësohen sipas ligjit dhe ju kemi thënë që në atë territor ku do të ndërtohet spitali, jemi gati t’ju japim mundësinë që të ngrenë nëse dëshirojnë njësi shërbimi që do t’i shërbejnë edhe spitalit për njerëzit që vijnë e ikin. Ju është thënë që për çdo ditë vonese nga marrëveshja, qeveria do të pranojë të paguajë dëmshpërblim për çdo ditë. Garanci më shumë se kaq nuk mund të japim për ata. Spitali është një e mirë e madhe publike dhe nuk mund ta negociojmë për çdo lloj pronari”.  /tvklan.al