Kolovani: Shtrimet në rritje që prej lehtësimit të masave

Që prej lehtësimit të masave bllokuese të pandemisë së Covid-19, numri i rasteve të prekura nga virusi, por dhe shtrimi i pacientëve në spital për të marrë trajtim mjekësor është rritur. Gjatë një interviste në edicionin e lajmeve të orës 15:30, mjekja e Spitalit Infektiv, Entela Kolovani, thotë se aktualisht ky spital ndodhet në maksimumin e kapaciteteve të tij.

“Sot Spitali Infektiv është me një kapacitete maksimale të të sëmurëve të shtruar aty dhe sigurisht dhe një numër i lartë deri diku është i rasteve që janë në ndjekje intensive prej nesh”.

Me rritjen e temperaturave virusi ka rritur transmetimin, por është më pak agresiv, megjithatë fuqia e Covid-19, thotë mjekja, varet nga tipologjia e pacientit dhe mosha e tij.

“Aktualisht me të sëmurët që prezantohen në shërbimin tonë, që kanë një gravitet pak më të lartë sesa mesatarja, sigurisht që kjo nuk lidhet thjeshtë me pjesën virologjike, është e lidhur ngushtë edhe me subjektin që infektohet, me moshën, me konstruktin, me sëmundjet bashkëshoqëruese”.

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk ka staf mjekësor të infektuar, thotë Kolovani, ndërsa bën thirrje që si mjekët dhe qytetarët të respektojnë distancat sociale dhe të përdorin maskën.

Tv Klan