Të paktën 10 pacientë kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur si pasojë e një zjarri që përfshiu një spital në Rumani, ku trajtoheshin pacientë të infektuar me Covid-19.

Zjarri shpërtheu në pavionin e kujdesit intensiv të spitalit publik në qytetin Piatra Neamt.

Një mjek që u përpoq të shpëtonte pacientët, është në gjendje kritike për jetën pasi ka pësuar djegie të rënda. Tetë prej pacientëve që humbën jetën ndodheshin në dhomën ku shpërtheu zjarri, ndërsa dy të tjerët në dhomën ngjitur.

Të gjithë pacientët ishin të infektuar me koronavirus dhe po merrnin trajtim për Covid-19. Pjesa tjetër e pacientëve të infektuar që shpëtuan, u transferuan në një tjetër spital.

Ministri rumun i Shëndetësisë tha për mediat lokale se dyshohet që zjarri të ishte shkaktuar nga një qark i shkurtër. Besohet se flakët e zjarrit u përhapën me shpejtësi për shkak të oksigjenit që përdorej për pacientët me Covid.

Rumania ka raportuar më shumë se 350 mijë të infektuar me Covid-19 që prej fillimit të pandemisë dhe ka regjistruar 8813 vdekje. /tvklan.al