Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Sot ka nisur në Tiranë rrethi 56 çiklistik i Shqipërisë. Marrin pjesë ekipet e Tiranës, Vllaznisë, Partizanit, Apollonisë dhe Besëlidhjes. Ka përfunduar sot etapa e parë Tiranë-Shkodër. Në përfundim të garës Besnik Musai shkëputet dhe arrin i pari, i ndjekur nga Leonard Kola dhe në vendin e tretë Armando Kalemi. Si ekip vendin e parë Apollonia, vendin e dytë Vllaznia dhe vendin e tretë Tirana. Neser do zhvillohet etapa e dyte Shkoder-Burrel 108 km e gjatë.

Ka përfunduar seminari dyditor teoriko-praktik i gjyqtarëve të futbollit, organizuar nga komisioni teknioko gjykues pranë federatës shqiptare të futbollit. Tema të ndryshme për një gjykim sa më të saktë janë mbajtur nga përgjegjësi i komisionit pranë FSHF Ylvi Zajmi, Hito Hito e Lluka Heqimi e Mihal Konomi. Më pas u hodh shorti për vendosjen e gjyqtarëve të javës së parë të kampionatit Kombëtar të Futbollit, për sezonin 99-2000.

Ka përfunduar vizitën treditore në vendin tonë Drejtori i Departamentit të Zhvillimit të Tenisit Evropian e Botëror, italiani Luka Santili. Ai ka ndjekur nga afër punën e Federatës Shqiptare të Tenisit. Santili është takuar me Zëvendësministrin e Kulturës Rinisë e Sporteve Kreshnik Tartari, me drejtuesin më të lartë të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Presidentin Arben Jorgoni, Sekretarin e Përgjithshëm Stavri Bello dhe me Zevendës Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Buran Kaceli.

Federata Ndërkombëtare e Tenisit ka akorduar një vleftë të mirë monetare për ndërtimin e një fushe tenisi që akoma nuk po gjen zgjidhje nga organet tona shtetërore./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Grillo