Ajo është një ndër sportistet e atletikës në Shqipëri që ushqen një pasion të madh për këtë sport. Ka pasur disa arritje, por ajo që e veçon është shpallja nënkampione e Evropës në rekordin e 3,000 metrave me pengesa duke shkruar kështu me germa të arta emrin e saj në historinë e sportit shqiptar. Atletja Luiza Gega së fundmi erdhi me një tjetër çmim nga Turqia si kampione e Ballkanit e sallave të mbyllura, titull që e mban për 7 vite me radhë.

Sot ajo ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ku foli rreth aktiviteteve të saj si atlete dhe emocioneve që i kanë dhënë garat.

“Unë kam qenë fëmijë shumë aktiv dhe që kur isha në shkollë dhe bënim gara gjithnjë dilja e para. Nisi gjithçka si lojë, sporti më argëtonte. Vazhdova dhe kam qenë në nivel kombëtar, nuk e kisha prekur arenën ndërkombëtare dhe nuk e dija që do të përjetoja këto emocione. Janë këto emocione shtysa që më kanë bërë të vazhdoj sportin. Shqipëria nuk të ofron shumë mundësi në mënyrë që të sigurosh jetën me sportin. Nëse do kisha qenë në një vend tjetër do ta kisha bërë. Por është pasioni që më shtyn, nuk e konceptoj dot të shkëputem nga sporti. Objektivat nuk i vë asnjëherë afatgjatë, sepse asnjëherë nuk i dihet. Kam përpara një aktivitet shumë të rëndësishëm që është Kampionati Botëror që zhvillohet në Doha në Tetor dhe vitin tjetër janë Lojërat Olimpike. Po punoj shumë fort për vitin e ardhshëm që të arrij atë çfarë dua”

, tha Gega.

/tvklan.al