Kompania që dënoi Skënderbeun i jepte të dhëna mafias italiane

Sportradar që monitoron fluksin e basteve në disiplina të ndryshme sportive është përfshirë në një skandal. Sipas faqes së njohur “Business Insider” në gjuhën italiane, kompania që bashkëpunon me UEFA-n e FIFA-n i ka ofruar të dhëna mafias italiane që merrej me baste ilegale, duke përdorur edhe shoqëri që vepronin në Shqipëri, Maltë e Rumani.

Një nga të penduarit, Fabio Lanzafame, i tha prokurorëve se paguante rregullisht filialin e Sportradar, Betradar për të marrë informacione rreth aktiviteteve sportive. Lanzafame ka sqaruar se pagesat bëheshin me para në dorë për shërbimin e kryer dhe sipas “Business Insider” shton dyshimet për punën e Sportradar.

Ky hetim solli arrestimin e rreth 60 personave pjesë e Ndrangheta e Sacra Corona Unita që qarkullonte 4.8 miliardë euro. Rezulton se Kompania Sportradar ndihmoi UEFA-n me informacione dhe për hetimin që iu bë Skënderbeut për shitje ndeshjes. Klubi korçar u përjashtua 10 vjet nga veprimtaritë europiane.

Tv Klan