Sipas autoriteteve shëndetësore interesi për të bërë vaksinën është rritur

Sipas ueb-faqes vakcinacija.mk, 400.284 qytetarë kanë shprehur dëshirë për t’u vaksinuar. Numri i përgjithshëm i qytetarëve që janë vaksinuar është 220.733.

Sot vazhdon imunizimi i qytetarëve mbi 40 vjeç, kurse në vazhdë e sipër është imunizimi i pacientëve në dializë dhe me organe të transplantuara. Brenda dy ditëve duhet të fillojë edhe imunizimi i personave me sëmundje të rralla.

Një hulumtim që për nevojat e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut e kishte zbatuar Agjencia “Indago”, tregoi se gjysma e qytetarëve do të vaksinohen kundër COVID-19. Interesim më të madh për t’u vaksinuar kanë shfaqur qytetarët mbi 50 vjeç, kurse 28% kanë thënë se nuk do të vaksinohen

Për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, sipas anketës, vaksina e preferuar është “Sputnik-V” për të cilën janë përcaktuar 65% e të anketuarve, derisa 61% nëse kanë mundësi zgjedhjeje do të përcaktoheshin për “Pfizer”. 55% e qytetarëve kanë thënë se nuk do të vaksinohen me AstraZeneca.

Sipas kësaj ankete që ishte zbatuar para pikut pranveror, 73% e qytetarëve kanë thënë se nuk e kanë kaluar koronavirusin, kurse çdo i dhjeti vlerëson se COVID-19 nuk ekziston. 

Klan News