Merkel dhe Macron i kërkuan Putin prodhim dhe dërgesa të përbashkëta të kësaj vaksine në BE

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel kanë diskutuar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin në lidhje me bashkëpunimin e mundshëm për vaksinat kundër koronavirusit.

Vaksina Sputinik V ishte në qendër të diskutimeve ku Merkel dhe Macron i bënë thirrje kreut të Kremlinit për prodhimin dhe dërgimin e dozave të përbashkta në BE.

Përhapja e ngadaltë e vaksinave të BE-së është ndjekur nga një mungesë e hershme e dozave, por këto mungesa pritej të lehtësoheshin ndjeshëm nga fillimi i muajit të ardhshëm me më shumë se 300 milionë doza të vaksinave Pfizer / BioNTech, Moderna, Johnson & Johnson dhe AstraZeneca që do të mbërrinin në Prill, Maj dhe Qershor.

Duke i’u referuar vaksinës ruse, vetë kancelarja tha se Gjermania duhet të përdorë çdo vaksinë që është miratuar nga EMA, ndërsa ministria gjermane e shëndetësisë tha javën e kaluar se të gjitha vaksinat janë të mirëseardhura nëse ato janë miratuar nga EMA.

Franca ka qenë dukshëm më e kujdesshme, pasi javën e kaluar akuzoi Rusinë dhe Kinën për përdorimin e vaksinave të tyre për të fituar ndikim jashtë vendit.

Rregullatori evropian nisi një rishikim të Sputnik V këtë muaj, si një hap nëse do të përdoret në të gjithë bllokun. Ekspertët e BE do të vizitojnë Rusinë në Prill për të kontrolluar rezultatet e provave klinike dhe për të inspektuar procesin e prodhimit.

Macron dhe Merkel gjatë bisedës përmes video-lidhjes me presidentin rus, i kanë bërë thirrje atij që të respektojë të drejtat e kundërshtarit politik Aleksei Navalny dhe të ruajë shëndetin e tij.

Të tre udhëheqësit diskutuan gjithashtu situatën në Ukrainë, Bjellorusi, Libi, Siri dhe ranë dakord të koordinojnë përpjekjet në mënyrë që Irani të kthehet në përputhje të plotë me detyrimet e tij ndërkombëtare.

Klan News