Nga dita e sotme hyn në fuqi vendimi i qeverisë greke për të mos lejuar kalimin nëpërmjet Pikës Kufitare të Kapshticës.

Policia e Korçës ka sqaruar se ky vendim prek lëvizjen e këmbësorëve dhe të mjeteve (vetura, autobusë dhe kamiona) si në hyrje ashtu dhe në dalje të Greqisë.

“Policia Kufitare e Kapshticës, iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që duan të udhëtojnë drejt Greqisë, që gjatë këtij harku kohor, të shmangin udhëtimin në drejtim të kësaj pike kalimi”, thuhet në një njoftim.

Mësohet se përgjatë aksit rrugor Korçë-Kapshticë do të ketë forca policisë që cilat do të mbikëqyrin situatën dhe nuk do të lejojnë kalimin e mjeteve.

Qeveria greke vendosi ditën e djeshme mbylljen e pikës kufitare me Kapshticën. Vendimi hyri në fuqi sot në orën 06:00 dhe pritet që të zgjasë deri më 4 Dhjetor.

Vendimi vjen si pasojë e masave në shtetin helen për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit.

E vetmja pikë kufitare e hapur me Greqinë është ajo e Kakavijës. Për të kaluar në shtetin grek duhet testi negativ për koronavirus i kryer jo më shumë se 72 orë si dhe personat duhet të dalin negativ në testin e shpejtë që zhvillohet nga autoritetet në doganë./tvklan.al