Kryeministri Edi Rama ka sqaruar përmes një postimi në rrjetet sociale se nuk do të riatdhesohen në masë qytetarët shqiptarë jashtë kufijve të Shqipërisë.

Ai i bën thirrje personave që kanë mbetur jashtë kufijve të Republikës së Shqipëri që të mos shpenzojnë të ardhura për telefonata ndaj ambasadave pasi nuk kthehen dot në Shqipëri deri në mbarimin e luftës.

Sipas kreut të qeverisë, lista e misioneve të riatdhesimeve është e mbyllur me një numër të kufizuar personash. Këta persona sipas Kryeministrit Rama janë të mbetur rrugëve në kuptimin më të drejtpërdrejtë të fjalës.

Rama thotë se bëhet fjalë për bashkëqytetarë që nuk paguanin dot më hotelet, studentë dhe persona që u listuan përpara shpalljes së misioneve të fluturimeve nga përfaqësitë diplomatike në vendet e ndryshme.

“Të dashur motra e vëllezër, kudo që ndodheni e merrni papushim në telefon ambasadat tona, ju lutem mos shpenzoni më kohë e të ardhura për telefonata, sepse nuk ktheheni dot në Shqipëri deri në mbarimin e luftës! Ndjesë 1000 herë, po kjo është një luftë ku ne duhet të ruajmë njëri-tjetrin dhe misionet tona të riatdhesimit (kemi shpjeguar, rishpjeguar, stërshpjeguar) do të kthejnë në atdhe vetëm një numër të kufizuar personash, të mbetur rrugëve në kuptimin më të drejtëpërdrejtë të fjalës; bashkëqytetare që nuk paguanin dot më hotelet, ku ngecën keq në minutën e fundit apo një numër studentësh të mbetur në pikë të hallit; njerëz që u listuan përpara shpalljes së misioneve të fluturimit nga përfaqësitë tona dhe u verifikuan një për një, për situatën e tyrë të rënduar. Prandaj e kam thënë, qysh në momentin e parë të lajmërimit të iniciativës sonë për t’i kthyer këta persona, se LISTA ËSHTË E MBYLLUR, me numër të saktë, por fatkeqësisht shumëkush nuk e ka dëgjuar dhe vazhdon të mos e dëgjojë, madje disa në vend që të dëgjojnë akuzojnë, shajnë e mallkojnë”, thotë Rama.

Ai uron që të rikthyerit të vetëkarantinohen që të mos luajë me jetët e familjarëve të të njohurve të tyre. Prandaj Policia e Shtetit, do të publikojë emrat e tyre që po të shkelin ligjin e vetëkarantinimit askush të mos u afrohet. Sipas kreut të qeverisë, kjo është një praktikë e ndjekur në disa vende.

“Ndjesë 1000 herë edhe për këtë, po ecuria deri këtu pozitive e luftës së madhe që po bëjmë, nuk mund të cënohet nga papërgjegjshmëria e askujt”, shkruan Rama në Facebook./tvklan.al