Mbrëmjen e djeshme në gjysmën finalen e parë të Eurovision 2025, Shqipëria u kualifikua për natën finale. ‘Shkodra Elektronike’ me këngën ‘Zjerm’ po përfaqëson denjësisht Shqipërinë në edicionin e 69-të Eurovision. Kolë Laca dhe Beatriçe Gjergji ata të cilët krijuan “Shkodrën Elektronike” vijnë mbrëmjen e kësaj të mërkure në një intervistë të sinqertë për emisionin “Opinion” në Tv Klan.
Ata ndanë emocionet dhe dashurinë e madhe që kanë marrë nga publiku shqiptar, por jo vetëm. Megjithatë nuk u lanë pas batutat, mes gazetarit Blendi Fevziu dhe dy këngëtarëve.
Me nota atdhetare, ritmike, patriotike dhe të rrymës elektronike, ‘Zjerm’ u bë kënga që po “rrëmben” zemrat e të gjithëve.
Blendi Fevziu: Unë prisja që t’iu gjeja më ‘zjerm’. Nuk qenkeni ‘zjerm’ më duket. Si jeni, a jeni ndopak të emocionuar, si po ju duket Eurovisioni?
Kolë Laca: Bukur, bukur, atmosferë e bukur…
Blendi Fevziu: Bukur, bukur, por ku po shkojmë me rezultatet?
Kolë Laca: Kush e di, këtë do e dimë më vonë.
Blendi Fevziu: Si është pritur perfomanca juaj në “backstage”, jo ajo që ne shohim në publik?
Kolë Laca: Entuziast ka qenë, sidomos gjatë provave. Ndryshimi kryesor me natën e mbrëmshme ka qenë publiku që ishte shumë i ngrohtë, morën pjesë në këngë, si na pritën mbrëmë, ky ka qenë ndryshimi jonë më i madh.
Blendi Fevziu: Ka pasur një lloj miksimi mes tradicionales, ritualit, elektronikës, a ka pasur një lloj habie për këtë apo këto janë eksperimente të njohura të Europës?
Kolë Laca: Gjëja kryesore është kombinimi i elementeve shqiptare me një rrymë bashkëkohore, prandaj dhe është grupi jonë, “Shkodra Elektronike”. Kjo është ajo që bëjmë ne.
Blendi Fevziu: Beatriçe kush ta ka qepur fustanin?
Kolë Laca: Kola.
Blendi Fevziu: Kolë pse je dhe rrobaqepës ti?
Beatriçe Gjergji: Po shkodranët tana i bëjnë. Jo, mami, stilisja jonë që nga viti 2019 dhe ekipin tonë ne e kemi që në vitin 2019 të njëjtë njerëz që na ndjekin dhe na ndihmojnë për të krijuar se çfarë kemi ndërmend dhe janë në Eurovision me ne.
Blendi Fevziu: E para si ndjeheni për performancës. Edhe kjo pjesa e harqeve të ‘Zjerm’ është bërë shumë virale në YouTube, apo jo?
Kolë Laca: E baletit, po.
Beatriçe Gjergji: Njerëzit kanë shumë qejf të kërcejnë dhe unë bëj në gjë shumë të thjeshtë.
Blendi Fevziu: Si ndjeheni për perfomancën e finales në datën 17?
Beatriçe Gjergji: Shumë emocion, dje u gëzuam për atë se çfarë ndodhën mbrëmë, sot kemi pushuar një fije dhe nuk kemi menduar fort. Qysh nesër kemi për të filluar të mendojmë për organizimin, të futemi dhe një herë në tunelin e gjërave që kemi për të bërë…
Blendi Fevziu: Çfarë mesazhi keni dhe çfarë po i kërkoni shqiptarëve që po ju ndjekin?
Kolë Laca: Ne nuk u kërkojmë gjë shqiptarëve.
Blendi Fevziu: Ua kërkoj unë për ju, por thuaje ti.
Kolë Laca: Mesazhi është që kënga jonë. Kënga jonë është mesazhi jonë, që domethënë gjërat nuk bëhen në mënyrë të thjeshtë, por ndjek modën dhe gjërat funksionojnë siç do ti. Nuk është e thënë që gjërat të bëhen në mënyrë skematike, duke ripërsëritur të njëjtat gjëra dhe duke përsëritur gjërat e tjera. Shpresojmë që kjo këngë të jetë një mesazh i tillë.
Beatriçe Gjergji: Dhe unë mendoj të njëjtën gjë. Shpresoj që “Shkodra Elektronike” në Eurovision të motivojë rininë për të bërë një gjë të re, një gjë të bukur, një gjë që nuk e ka bërë kurrë./tvklan.al