Mbeten të larta humbjet e jetës

Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 23 raste të reja me Covid-19 dhe 10 viktima, ndërkaq janë shëruar 1191 pacientë.

Autoritetet e shëndetësisë në vend shprehen optimistë se me rënien drastike të infektimeve të reja dhe numrit të madh të personave të vaksinuar së shpejti do të përfundojë pandemia dhe qytetarët do t’i kthehen normalitetit. 

Ministria e Shëndetësisë njofton se interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar kundër koronavirusit po rritet. Nga dita e djeshme është hapur ueb-faqja për rivaksinimin, për regjistrimin e personave që janë vaksinuar jashtë vendit.

Deri më tani në vend janë aplikuar gjithsej 304,904 doza të vaksinave, ndërsa janë rivaksinuar 71.060 qytetarë.

“Vaksinimi është duke u zhvilluar pa pengesa në të gjitha pikat në shtet. Interesimi për vaksinim çdo ditë e më shumë po rritet ndërsa deri më tani numri i personave të cilët kanë shprehur dëshirë për vaksinim përmes ueb platformës vakcinacija.mk është 429.464 qytetarë”, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Vaksinimi po bëhet në pajtim me planin nacional për imunizim. Po vaksinohen personat e rritur, qytetarët të cilët kanë shprehur interesim për t’u vaksinuar si dhe persona të punësuar në infrastrukturën kritike. Ministria e Shëndetësisë u bën apel qytetarëve në mënyrë masive të paraqiten në vakcinacija.mk pasi është rruga më e lehtë dhe më e shpejtë që të vaksinohen. 

Ministria e Shëndetësisë gjithashtu njoftoi se ka shtretër të lirë në qendrat Covid, ndërsa për shkak të numrit të zvogëluar të pacientëve, spitalet kanë mbyllur një pjesë të kapaciteteve të dedikuara për pacientët covid. Sipas të dhënave të fundit, 75 persona po trajtohen në qendra covid në kryeqytet.

Një pjesë e madhe e pacientëve janë në mbështetje të oksigjenit, ndërsa 134 pacientë janë duke u trajtuar në repartet infektive në vend, ka shtretër të lirë. Ndërkaq, Komisioni për Sëmundjet Infektive propozoi zbutje të masave nga 1 Qershori, që do të thotë se maskat mbrojtëse nuk duhet të jenë të detyrueshme në vende të hapura.

Maskat në të gjitha hapësirat e mbyllura, transporti publik dhe kudo që distanca e rekomanduar nuk mund të mirëmbahet, mbeten të detyrueshme. Gjatë grupimit të disa personave, mbetet rekomandimi për të mbajtur maska mbrojtëse.

Klan Macedonia