Stacioni autobusëve urbanë në Tiranë do të vendoset pas Pallatit të Kulturës. Kryebashkiaku Veliaj, i pranishëm në festimet e Vitit të Ri kinez në sheshin “Skënderbej”, dha disa detaje rreth këtij projekti, që do të mundësohet falë ndihmës së ambasadës kineze.

“Stacioni i autobusëve urbanë do të jetë pas Pallatit të Kulturës dhe falë një bashkëfinancimi të qeverisë kineze, do të kemi mundësi t’i bëjmë në një mënyrë të konsoliduar, duke rregulluar edhe pjesët e parkut dhe gjithë pjesën pas Pallatit të Kulturës dhe TOB-it”.

Festimet e Vitit të Ri kinez e shndërruan sheshin “Skënderbej” në një ambient festiv.

“Tirana sot është një qytet me mbi 100 kombësi, një qytet i vërtetë metropolitan. Ka jo vetëm festat e veta kombëtare, por edhe festat e komuniteteve e kombësive të tjera, që përbëjnë stofin e asaj që sot është Tirana moderne, ndaj dua një duartrokitje të ngrohtë për gjithë “tironsit” nga Kina që kemi sot këtu dhe që festojnë Vitin e Ri kinez”.

Kalendari tradicional kinez përcakton se kalimi nga viti i vjetër në të riun, bëhet midis 21 Janarit dhe 19 Shkurtit.

Tv Klan