Deputetja demokrate Jorida Tabaku dhe Kryeministri Edi Rama u përfshinë në replika si për çështjen e Butrintit, ashtu edhe për stadiumin Air Albania e deri tek Teatri Kombëtar. Tabaku tha prishjen e stadiumit Qemal Stafa, opozita e kishte kundërshtuar pasi sipas saj prishte një ikonë të qytetit.

“Nëse kemi kundërshtuar projektin e stadiumit kombëtar, e kemi kundërshtuar sepse prishte një ikonë të qytetit që në fakt ndoshta jam unë nga nostalgjiket e fundit në këtë vend, por më vjen keq kur prishen institute, objekte identitare të këtij qyteti. E di, ndoshta mund të thuash do ta prishim siç prishën teatrin, po teatri është gropë atje edhe pas 2 vitesh, u prish përsëri një godinë tjetër e qytetit. Edhe stadiumi ndoshta mund të ketë një ndeshje gjatë kësaj jave, shumë nga ne edhe mund të shkojnë, por nuk e heq faktin që është shkelur ligji, që është prishur një ndërtesë identitare e këtij qyteti, aq pak sa ka pasur ky qytet”.

Por kryeministri tha se në fakt “stadiumi Qemal Stafa ishte sheshi i përdhunimit të një ikone”. Ai u shpreh se ikona e vërtetë e stadiumit të vjetër është aty, e gjithë tribuna qendrore ka mbetur autentike.

“Ju thatë që stadiumi Qemal Stafa ishte ikonë. Çfarë ikone ishte? Sepse stadiumi Qemal Stafa ishte në fakt sheshi i përdhunimi të një ikone. Ikona është aty, nuk e di a do shkoni ju apo jo, për di që kur të shkoni në stadium do ta shikoni ikonën është aty. E gjithë tribuna qendrore që është e vetmja gjë e mbetur autentike, e ndërtuar nga italianët, apo shqiptarët, por projekt italian. Hiq reliefët e përdhunimit mbi të që i mori bulldozieri, është aty. Fakti që sot aty nga një vend i trishtuar, i braktisur i ndotur ku gjenin strehë vetëm makinat e vjetra që shkonin të ndërronin gomat dhe makina që shkonin të laheshin dhe ku as ekipi kombëtar nuk shkonte dot më, se ishte stadium non grata nga UEFA dhe ku do luhet një finale europine, flet vetë”./tvklan.al