Qyteti i Vlorës është përzgjedhur si qyteti që do të bëjë vaksinimin e të gjitha spitaleve të jugut, tha për Klan News, kreu i Operatorit të Kujdesit Shëndetësor në Vlorë, Kujtimi Llapi. Ai informoi për procesin e vaksinimit në ditën e parë dhe për vazhdimësinë që do të ketë.

Gazetarja: Do të flasim për procesin e vaksinimi në Vlorë, që ka nisur sot dhe sapo u përmbyll.

Kujtim Llapi: Ashtu siç e dini edhe ju sot është çelur procesi i vaksinimit në qytetin e Vlorës, në dy spitale, spitalin rajonal dhe atë psikiatrik. Ka gjysmë ore që ka përfunduar ky proces dhe janë vaksinuar 174 bluza të bardha. Si protokolli i vaksinimit, të parët që vaksinohen janë stafet që kanë shumë rrezikshmëri dhe janë në vijën e parë. Në përgjithësi stafet e urgjencës, mjekët infeksionist, mjekët pneumolog, teknikët e imazherisë dhe pastaj vazhdon me reumatorët, kirurgët dhe stafet e tjera. Ky është një proces që sapo ka filluar në Vlorë dhe do të vazhdojë rregullisht, janë marrë të gjitha masat që procesi të mos ndalet dhe është bërë furnizimi nga ISHP me të gjithë pjesën e vaksinave.

Gazetarja: Sa vaksina janë në dispozicion dhe kur pritet të përmbyllet vaksinimi i stafeve mjekësore?

Kujtim Llapi: Vaksinat i marrim një herë në 5 ditë sepse duhet të konsumohet brenda 5 dite pasi del nga frigoriferi, siç është edhe protokolli. Vlora është përzgjedhur si qyteti që do të bëjë vaksinimin e të gjitha spitaleve të jugut. Do të bëjë spitalet rajonale, Vlora, Fieri, Gjirokastra dhe pastaj do të vazhdojmë te spitalet bashkiakë. Sot ka përfunduar gjysma e spitaleve të Vlorës, nesër do të nisë spitali i Lushnjës, Mallakastrës spitali i Tepelenës dhe spitali rajonal i Gjirokastrës. Nesër në Fier vaksinimi i personelit do të behët po në spitalin e Fierit. Po nesër në Fier do të bëhet vaksinimi shtëpisë së pleqëve dhe shtëpisë së pleqëve në Gjirokastër. Me përfundimin e këtyre dy shtëpive, përfundon vaksinimi i gjithë azileve të pleqëve që janë 1000 azilantë në gjithë territori.

Gazetarja: Kjo për dozën e parë, por doza e dytë do të nis në një tjetër periudhë…?

Kujtim Llapi: Pasi mbaron doza e parë, aplikantët pajisen me kartën e vaksinimit dhe shkruhet data se kur duhet të paraqiten për dozën e dytë?

Gazetarja: A ka pasur komplikacione apo efekte anësore tek personat që kanë marrë dozën e parë dhe a ka pasur ndonjë mjek që ka refuzuar ta bëjë vaksinën?

Kujtim Llapi: Deri tani nuk ka pasur komplikacion, ka pasur disa që nuk kanë pranuar ta bëjnë por jo për arsye komplikacioni por ngaqë e kanë kaluar dhe u kanë lënë radhën atyre që nuk janë prekur akoma. Por, brenda javës deri diten e dielë maksimumi të hënën të gjitha stafet e jugut do të jenë të vaksinuara. Pas mbarimit të spitaleve do të fillohet me pjesën e epideomologëve që janë në terren dhe të qendrave shëndetësore.

Gazetarja: Në Tiranë dhe në Shkodër ka nisur vaksinimi i të moshuarve që qëndrojnë në azile, për të nisur pas pak ditësh vaksinimi i të moshuarve të tjerë përtej azileve dhe personaliteteve. A ka ndonjë plan Vlora për nisjen e vaksinimit të të moshuarve?

Kujtim Llapi: Me përfundimin e këtyre paralelisht do të fillojë, pas ditës së dielë në bazë të statistikave që nxjerrin mjekët e familjes së sa të sëmurë kanë mbi 80 vjeç, shohim diagnozat dhe kush mund të bëjë vaksinën e kush jo. Do të na vijë numri dhe emrat saktë dhe besoj që ditën e hënë do të fillojmë me këtë procedurë.

Gazetarja: Si funksionon aktualisht në qytetin e Vlorës, nëse një person ka nevojë për tu trajtuar në mënyrë speciale. Sillet menjëherë në Tiranë apo merr një shërbim të caktuar në Vlorë dhe ku e merr?

Kujtim Llapi: Shërbimi merret në urgjencën dhe në pavijonin e hapur për Covid, spitali ka muaj që funksion për trajtime deri 24 orëshe të të sëmurëve me Covid, me gjithë urgjencën jane 50 shtretër për këta të sëmurë. Nëse ka të sëmurë që kërkojnë një trajtim akoma më të specializuar çohen në Tiranë. Por, në spitalin e Vlorës është bërë një investim kolosal, i gjithë blloku reanimator është pajisur me pajisje të fjalës së fundit.

 Gazetarja: Me sa shtretër do të zgjerohen kapacietet e spitalit të Vlorës, a do të ketë zgjerim të hapësirave?

Kujtim Llapi: Deri tani nuk është parë e nevojshme që të shtojmë.

Gazetarja: A qarkullojnë në qytetin e Vlorës virozat stinore dhe nëse po, si bëhet diferencimi nëse kemi të bëjmë me një grip të thjeshtë apo me Covid?

Kujtim Llapi: Diferencimin e bëjnë stafet mjekësore dhe rapid test si dhe ekzaminime të tjera nëse ka shenja për Covid.

Klan News