Pas Fondit Monetar Ndërkombëtar, edhe agjencia Standard and Poor’s ka vlerësuar trendin në rritje të ekonomisë shqiptare dhe perspektivën pozitive për periudhën në vijim. Në raportin për Shqipërinë, agjencia konfirmon vlerësimin në nivelin B+, duke theksuar se në aspektin e mbledhjes së taksave, vendi ynë ka performuar më mirë se shtetet fqinje të së njëjtës kategori në rajon. Kjo falë rritjes së qëndrueshme të të ardhurave, e mbështetur nga performanca ekonomike dhe mirëadministrimi.

Rritja ekonomike për vitet e ardhshme parashikohet në 3.7%, e nxitur nga kërkesa e brendshme dhe eksportet, kryesisht ato të shërbimeve. Më tej thuhet se Shqipëria do të vazhdojë të tërheqë investime të huaja direkte, solide në sektorë me vlerë të shtuar, si teknologjia e informacionit dhe komunikimit, apo shërbimet e biznesit.

Ish-Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, duke komentuar raportin thotë se kjo performancë e ekonomisë shqiptare vjen si rezultat i rritjes ekonomike të shëndetshme dhe angazhimit të qeverisë për uljen e vazhdueshme të borxhit publik drejt nivelit 60% në 2022.

Pak ditë më parë, edhe FMN theksoi se Shqipëria do të ruajë rritjen ekonomike dhe të njëjtin nivel të investimeve të huaja, duke vënë theksin tek nevoja për uljen e borxhit publik brenda objektivave të parashikuara dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.

Tv Klan