Në ndeshjet e para të kualifikueseve të Euro 2020 surprizë ka qenë vetëm fitorja e Kazakistanit ndaj Skocisë. 3-0 fituan të zotët e shtëpisë. Kroacia siguroi një fitore me përmbysje përballë Azerbajxhanit. Nënkampionët e botës pësuan fillimisht në minutën e ’19, por barazuan në fundin e pjesës së parë me Barisiç, ndërsa në fund të takimit morën 3 pikët me golin e Kramariç.

Holanda mundi thellë 4-0 Bjellorusinë duke lëshuar sinjale kërcënuese edhe ndaj Gjermanisë me të cilën do të përballet pas disa ditësh. Memphis Depay shënoi dy herë për “tulipanët”, ndërsa Wijnaldum dhe Van Dijk, çuan rezultatin në 4-0.

Belgjika vazhdon të ketë rezultate të mira. Pas golit të parë portieri Courtois bëri një gafë duke i dhënë mundësinë Rusisë të shënonte golin e barazimit që zgjati deri në fundin e pjesës së parë kur belgët shënuan golin e avantazhit me Hazard. Mesfushori realizoi edhe golin e tretë.

Maqedonia mposhti Letoninë me rezultatin 3-1, në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Philipi II” të Shkupit. Shqiptari Alioski zhbllokoi sfidën për maqedonasit, ndërsa sulmuesi Elif Elmas shënoi edhe dy herë të tjera.

Tv Klan