Ka nisur numërimi mbrapsht për startin e premierës së “X Factor Albania”. Programi që zbulon talentet më të mira muzikore, rikthehet në ekranin e Televizionit Klan, pasi ka shënuar dhjetëra rekorde botërore, si dhe ka krijuar artistët më të mirë të globit. Pas emocioneve që dhuruan fazat e audicioneve dhe vilat e jurisë, 16 më të mirët e kualifikuar do të ngjiten në skenën e netëve live të X Factor, sonte në orën 21:00.

Nga 30 konkurrentë në fazën e vilave të jurisë, 16 prej tyre morën “Po-të” duke siguruar një vend në netët Live në 3 kategori: Kategoria e Vajzave, Kategoria Mix dhe Kategoria e Djemve. Po ashtu, këtë edicion është krijuar edhe një grup: The Chemicals, me anëtarë Giovanni, Joni dhe Rossario. Ndërkohë, në kategorinë e vajzave janë: Kejsi, Wendy, Kleansa, Anisa dhe Luna. Në kategorinë mix janë: Franku, Borana, Alba, Jetmiri dhe Ingridi. Në kategorinë e djemve janë: Aldo, Niki, Kevin, Alisi dhe Genti.

Skena ultra moderne është konceptuar si një arenë madhështore, ku për 15 netë pritet të performojnë LIVE artistët e ardhshëm, të cilët do të krijojnë profilin e tyre artistik. Spektakli, i cili synon zbulimin e yjeve të muzikës, vjen nën drejtimin e Vera Grabockës dhe Alketa Vejsiut, duke premtuar një spektakël plot emocione, çdo të premte në ekranin e Televizionit Klan.


Për të mësuar më shumë, spikeri i lajmeve të Tv Klan, Reis Çiço ka zhvilluar një lidhje direkte me drejtuesen e “X Factor”, Alketa Vejsiun.

Reis Çiço: Si do të jetë e organizuar mbrëmja e sotme?

Alketa Vejsiu: Kemi mbase “X Factorin” më të bukur të të gjitha edicioneve pas një pauze gati 8-vjeçare, rikthehemi në këtë edicion të pestë fantastik, me prurjen më të jashtëzakonshme të talenteve në një trune që kemi bërë në të gjithë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, qytet më qytet për t’i zbuluar këta yje, të cilët i japin kuptim misionit tonë sepse ky është një televizion që do të tregojë se ne bëjmë televizion që ka një qëllim në fund të ditës, të zbulosh talentet, të furnizosh muzikën me yje të rinj, t’i japësh shpresë ëndrrave të të rinjve dhe t’i frymëzosh ata që çdo gjë arrihet në jetë me punë dhe me këmbëngulje dhe duke krijuar disa mundësi. Një sistem i tërë i Tv Klan është vendosur në dispozicion për t’i dhënë shkëlqimin këtij talenti, shkëlqimin që e meriton. Ata janë me shumë fat që jetojnë në këtë epokë dhe janë shumë me fat që kanë trokitur këtë tek laboratori ku prodhohen gjithmonë talente. Tv Klan ka pasur si mision gjithmonë që të zbulojë talente. Që nga “Gjeniu i Vogël” tek “X Factor” është një rrugëtim që i ndjek të rinjtë e talentuar.

Reis Çiço: Netët Live do të jenë konkurrim, apo do të ketë alternime me spektakël?

Alketa Vejsiu: Do të ketë patjetër spektakël, por spektaklin e vërtetë nuk do ta bëjnë “bigët” e muzikës, por të rinjtë e talentuar të muzikës shqiptare. Të gjithë ne do të jemi më pak protagonistë sot dhe unë në prezantim, dhe juria në gjykim. Sot skena do të jetë vetëm për 16 yjet e rinj të muzikës, ndërsa në netët në vazhdim, edhe “bigët” e skenës nuk do të mungojnë, si dhe performancat spektakolare si në asnjë spektakël tjetër televiziv.

Reis Çiço: Sa netë do të zgjasin netët live?

Alketa Vejsiu: Do të jemi 15 javë së bashku. Kapitene është gjithmonë Vera Grabocka me një skuadër me 100 persona, ose dhe më shumë, jemi gati për ta çuar “Titanikun” në një tjetër destinacion.


/tvklan.al