Ministri gjerman i shtetit për Europën, Michael Roth ndodhet në një vizitë zyrtare Tiranë. Pas një takimi me Kryeministrin Edi Rama, ai shkroi në Twitter se mirëpriste përpjekjet për reforma të qeverisë shqiptare, duke shtuar se ka ende shumë për të bërë.

Por më herët në një intervistë për Deutsche Welle, ai shprehu optimizmin se Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian.

“Shqipëria ka arritur shumë. Ka disa shqetësime në lidhje me luftimin e krimit të organizuar, por përsëri rekomandimi është pozitiv. Ky është një lajm i mirë jo vetëm për vendin, por edhe për BE-në dhe për të gjithë miqtë dhe partnerët e Shqipërisë”.

Një përgjigje ka edhe për kritikët nga vendi i tij, që dyshojnë mbi përparimin e Shqipërisë, por edhe të Maqedonisë, në këtë fazë të procesit të integrimit europian.

“Pa arritje pozitive në të dy vendet nuk do të kishim marrë rekomandime të tilla pozitive nga Komisioni i BE. E sigurt është se shtetet e Ballkanit Perëndimor janë në krye të axhendës sonë politike, jo vetëm në Gjermani, por edhe në BE”.

Vizita e ministrit gjerman në Tiranë e Shkup zhvillohet një javë përpara samitit të 17 Majit në Sofje, ku do të diskutohet strategjia e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Tv Klan