Drejtuesit e Milan vlerësojnë punën e trajnerit

9 ndeshje, 7 fitore dhe 2 barazime në periudhën post pandemi kanë bindur drejtuesit e Milan të konfirmojnë Stefano Pioli deri në Qershor të 2022. Një kthesë duke parë rezultatet, duke bërë që Ralf Rangnick të dalë nga planet e drejtuesve. Trajneri Pioli tha se kishte ndjerë gjithmonë besimin e drejtuesve.

“Klubi është treguar korrekt me mua dhe më është thënë që gjithçka do të vendoset në bazë të punës në fund të sezonit. Jam shumë i lumtur dhe krenar për besimin që më dha Milan”.  

Stefano Pioli mori drejtimin e Milan në Tetor të 2019, duke firmosur një kontratë deri në fund të sezonit. Puna e tij dha rezultat me kalimin e javëve, duke dhënë më të mirën edhe pse përflitej se Ralf Rangnick kishte arritur marrëveshjen për të drejtuar ekipin.

Milan fitoi të martën sfidën e radhës, 2 – 1 në fushën e Sassuolo, ku protagonist ishte Zlatan Ibrahimoviç, autor të dy golave. Detyra tani mbetet që të mbyllë sa më mirë sezonin, pasi janë edhe 3 ndeshje deri në fund dhe gara për një vend në kupat e Europës është e fortë.

Tv Klan