Armatimi bërthamor shton pasigurinë dhe rreziqet

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier ka kritikuar Shtetet e Bashkuara te Amerikës, Rusinë dhe Kinën se po rrezikojnë rendin botëror me politikat e tyre egoiste.

Por sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, nuk i pranoi kritikat e bëra në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Në fjalimin hapës të Konferencës së Mynihut, Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier kritikoi hapur Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Kinën. Tre vendet, tha ai, po vënë në rrezik rendin botëror, duke parë ngushtësisht vetëm veten e tyre.

“Secili vend duhet të shohë vetë, se ku mbetet, e të vendosë interesat e tij mbi gjithë të tjerët. Kjo është deviza e presidentit amerikan, Donald Trump”, tha ai.

Rusinë, e akuzoi për aneksim të Krimesë duke shkelur te drejtën ndërkombëtare.

Ai u shpreh se që nga ajo kohë, në kufijtë e Europës sundon pasiguri dhe paparashikueshmëri.

Kinën, e akuzoi për qëndrime të dyfishta, duke thënë se ajo e pranon të drejtën ndërkombëtare vetëm në mënyrë selektive, jo aty ku bie ndesh me interesat e veta.

Presidenti gjerman megjithatë e vlerësoi bashkëpunimin transatlantik, edhe pse shprehur rezerva për rolin e Amerikës.

Por sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, e kundërshtoi. Ai nuk i pranoi kritikat për tërheqjen amerikane nga skena globale, duke thënë se deklaratat për vdekje të aleancës trans-atlantike janë tejet të ekzagjeruara.

Për Gjermaninë problem është gara nukleare e rinisur mes Shteteve te Bashkuara dhe Rusisë,  pasi ajo do të krijojë më shumë pasiguri dhe më shumë rreziqe për situatën e brishtë të stabilitetit nuklear.

Tv Klan