Prokurorët e SPAK pritet që të kërkojnë sërish dëshminë e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqajt, në kuadër të hetimeve për koncensionin e sterilizimit.

Për këtë dosje janë vënë në pranga ish-zëvendës ministri, Klodjan Rjepaj, biznesmeni Ilir Rrapaj që fitoi koncensionin me vlerë 100 milionë Euro dhe në masa më të buta 6 ish-zyrtarë të tjerë, të akuzuar për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe mashtrim me pasoja të rënda.

SPAK i cili thotë se koncensioni është dhënë në kushtet e konfliktit të interesit për shkak të njohjeve të gjetura mes ish-zëvendës ministrit dhe biznesmenit, si dhe udhëtimeve të Beqajt, do të kërkojë shpjegime të mëtejshme nga ky i fundit për këto lidhje.

Ish-ministri i Shëndetësisë mohoi akuzat në një reagim në rrjetin e tij social Facebook. SPAK nuk kishte kërkuar ndjekje penale për të, por ishte Gjykata e Posaçme që e orientoi Prokurorinë e Posaçme që ta hetojë edhe Ilir Beqajn, bashkë me ish-ministrin e Financave Shkëlqim Canin.

Ky i fundit tha gjithashtu që kishte respektuar vetëm ligjin në vendimet e marra në lidhje me këtë koncesion.

Kërkesa e gjykatës për të zgjeruar hetimet ka detyruar SPAK që të kërkojë dëshmi edhe nga 4 zyrtarë të tjerë.

Prokurorët ushtruan kontrolle edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, ku nuk arritën të gjejnë kontratën origjinale të koncesionit të sterilizimit.

Tv Klan