Ish-ministri i Shëndetësisë ishte në Prokurorinë e Posaçme edhe 3 ditë më parë
Ish-ministri Ilir Beqaj dëshmoi për tri orë e 30 minuta në Prokurorinë e Posaçme për çështjen e “Sterilizimit”. Pasi dha shpjegime para prokurorëve, ish-ministri i Shëndetësisë, tha se u pyet për procedurat dhe dokumentet e tenderit 100 milionë eurosh.
“|Kam qenë në dispozicion dhe do të vazhdoj të jem. Sot vazhduam me pyetje për procesin e sterilizimit. Diskutuam edhe për gazin edhe për aneksin 8. Aneksi 8 është pjesë e dokumenteve standarde të tenderave të sterilizimit e listës së investimeve që duhet të bëjnë operatorët që pastaj është bërë pjesë e ofertës edhe më tej e kontratës.”
Teksa u pyet nga gazetarët, Beqaj u informua se automjeti me të cilin kishte mbërritur në SPAK, ishte ndëshkuar sërish nga policia.
“Lidhja me Ermalin jua kam thënë prej kohësh. Ka një arsye shumë të thjeshtë përse unë vij me automjetin e të tjerëve, jo me timin. Unë nuk di t’i jap makinës, nuk kam patur kurrë dëshmi drejtimi.”
Kjo është hera e katër që Beqaj dëshmon para prokurorëve të SPAK për koncesionin e sterilizimit. Ish-ministri i Shëndetësisë akuzohet për shpërdorim detyre ndërsa gjykata ka caktuar masën detyrim paraqitje. Në qeli ndodhet vartësi i tij, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj i cili fitoi kontratën koncesionare.
Klan News