Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, e quan historike stërvitjen ushtarake Defender Europe 2021 që po zhvillohet në Shqipëri. Në këtë stërvitje do të marrin pjesë 28 mijë ushtarë nga 26 vende të botës, që do të kryejnë stërvitje deri në Qershor në Shqipëri.

Në një intervistë në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Kim tha se stërvitja Defender21 tregon rëndësinë e Shqipërisë si aleate në NATO dhe se serioze është Shqipëria në rolin e saj si aleate e NATO.

Blendi Fevziu: Pak ditë më parë arritën në Shqipëri 8,000 ushtarë amerikanë për stërvitjen ushtarake Defender Europe 21.

Ambasadorja Yuri Kim: Po.

Blendi Fevziu: Thatë se është stërvitja më e madhe pas L2B, më e madhja në Shqipëri, por thatë që nuk është rastësi që është zgjedhur Shqipëria. Çfarë do të thotë kjo?

Ambasadorja Yuri Kim: Siç e dini, kemi tri prioritete këtu: demokracia, mbrojtja, biznesi dhe duam të bëjmë përparim në të trija këto sepse janë të ndërlidhura. Nuk është vetëm reforma në drejtësi për hir të reformës në drejtësi. Nuk është thjesht biznesi për hir të biznesit. Nuk janë thjesht ushtarë. Më lejoni t’ju jap disa shifra për Defender 21.

Blendi Fevziu: Po.

Ambasadorja Yuri Kim: Janë deri në 6,000 ushtarë amerikanë që do të jenë në Shqipëri, jo të gjithë njëherësh, por gjatë shtrirjes së stërvitjes.

Blendi Fevziu: Sa do të zgjasë stërvitja?

Ambasadorja Yuri Kim: Zyrtarisht u hap më 1 Maj dhe më 4 Maj erdhën tri gjeneralë me katër yje, gjeneralë amerikanë.

Blendi Fevziu: Po, për herë të parë në Shqipëri.

Ambasadorja Yuri Kim: Është historike, apo jo? Kështu, stërvitja do të vazhdojë deri në fund të Qershorit. Dhe është pjesë e një stërvitjeje më të gjerë që përfshin 28,000 trupa shumëkombëshe që vijnë

Blendi Fevziu: Nga e gjithë Europa.

Ambasadorja Yuri Kim: Që vijnë nga 26 vende dhe po zhvillojnë aktivitete thuajse në të njëjtën kohë në 16 vende. Shqipëria ndodh të jetë një prej mikpritëseve më të mëdha. Shqipëria po mirëpret shumicën e aktiviteteve nga ato 16 vende dhe them që nuk është rastësi. Tregon që ne jemi seriozë për rëndësinë e Shqipërisë si aleate në NATO dhe mendoj që tregon edhe se Shqipëria është serioze lidhur me rolin e saj si aleate e NATO-s. Ajo që do të ndodhë përmes këtyre stërvitjeve është që do të kemi këta mijëra trupa që kryejnë të gjitha këto ushtrime.

Blendi Fevziu: Në fakt është mbresëlënëse të shohësh kaq shumë mjete ushtarake.

Ambasadorja Yuri Kim: Në tokë, det dhe ajër. Në tokë, do të thotë stërvitje për të çuar trupa sa më shpejt që mundet nga një pikë në një tjetër; në det, do të thotë që sërtivtemi t’i çojmë këto pajisje nga një pikë fundore tek tjetra, t’i transportojmë këtu dhe t’i kalojmë në tokë. Tani, tingëllon e thjeshtë, por kur flet për mijëra automjete dhe kur flet për karburant, është jashtë mase i vështirë si operacion logjistik. Në ajër nënkupton mbrojtjen ajrore dhe mbrojtjen raketore. Pra, do të testojmë aftësinë tonë për të punuar së bashku si aleatë, për të mbrojtur hapësirën ajrore të miqve dhe aleatëve tanë në Europë./tvklan.al