Përgatitjet e fundit të kombëtares në Rejkjavik do të zhvillohen në sekret të plotë. Trajneri Reja ka kërkuar që dy seancat e fundit të bëhen me dyer të mbyllura pasi me siguri do të aplikojë modulin, formacionin, skemat e lëvizjes së futbollistëve që do të përdorë gjatë ndeshjes me Islandën.

Përfaqësuesja ka mbërritur në kryeqytetin Rejkjavik ku të shtunën do të përballet me Kombëtaren vendase në ndeshjen e tretë të kualifikueseve të Europianit të 2020.

Në stërvitjet e nisura në Durrës e më pas në vazhdimin e përgatitjeve në Frankfurt, italiani Reja ka aplikuar rreshtimin me dy sulmues. Sipas tij kjo nuk do të thotë që Shqipëria do të luajë detyrimisht në sulm, por dy lojtarët e avancuar mund të shfrytëzojnë më mirë rastet që do të krijohen.

Nën drejtimin e stafit të ri, futbollistët janë shprehur se skuadra ka më shumë harmoni. Pritet që ndaj Islandës që është një rival direkt, kuqezinjtë të bëjnë një paraqitje të mirë. Kjo do t’i shërbente më shumë edhe moralit për ndeshjen që do të luhet në Elbasan Arena ndaj Moldavisë.

Tv Klan