Koordinatori kombëtar për NATO, profesori universitar Stevo Pendarovski është kandidati i përbashkët i partive të shumicës parlamentare për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kryeministri Zoran Zaev ka thënë se ky është një vendim historik për kandidatin konsensual për President të vendit dhe se Pendarovski është një kandidat mbipartiak.

Propozimin e LSDM-së, që Stevo Pendarovski të jetë kandidat i përbashkët në zgjedhjet presidenciale, përveç partnerit më të madh në koalicionin qeverisës,  BDI-së, e përkrahën edhe dhjetëra parti më të vogla të koalicionit të udhëhequr nga socialdemokratët.

Kryeministri Zoran Zaev këtë vendim e ka vlerësuar si historik dhe se Pendarovski do të jetë President i të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Për herë të parë në historinë e Maqedonisë të ndryshmit qëndrojnë pas një kandidati. Qëndrojmë pas Stevo Pendarovskit, kandidat mbipartiak, evropian, qytetar dhe president I të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, th Zaev.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti duke komentuar kandidimin e Pendarovskit tha se sipas sondazheve ai është kandidati që gëzon mbështetjen e elektoratit shqiptar.

Nga ana tjetër, Pendarovski ka zgjedhur rrjetet sociale të falënderohet për përkrahjen, duke u zotuar se këtë besim do ta arsyetojë plotësisht.

“Më dhatë një përgjegjësi të madhe politike, që muajt dhe vitet që do të vijnë, kam për qëllim që bashkë me ju, t`i arsyetojë plotësisht, në interes të jetës më të mirë e më të lumtur për të gjithë në vendin tonë.”

Kandidimin e Pendarovskit e ka komentuar edhe kreu i VMRO-DPMNE-së opozitare Hristijan Mickoski.

“Pendarovski paraqet figurën e zaevizmit, nuk presim diçka ndryshe të ndodhë. Është e njëjta vijë që e shkatërroi Maqedoninë gjatë 27-28 viteve të kaluara.”

Stevo Pendarovski, i cili formalisht nuk është anëtar i LSDM-së, ishte kandidat i kësaj partie edhe në zgjedhjet e kaluara presidenciale, ku fitore për mandat të dytë shënoi presidenti aktual Gjorge Ivanov si kandidat i VMRO-DPMNE-së. Kandidatura e tij formalisht do të konfirmohet në Kongresin e LSDM-së të caktuar për nesër.

Tv Klan