Tenderat e barnave që kanë furnizuar farmacinë qendrore të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza gjatë periudhës 2012-2018 janë vënë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës. Kjo për faktin se këto procedura dyshohet se krijuan një stok me ilaçe të skaduara, nga të cilat buxheti i shtetit ka humbur rreth 7 milionë euro.

Shumica e këtyre barnave, sipas veprimeve të deritanishme të prokurorisë janë blerë në prag të afatit të skadimit dhe institucioni nuk ka mundur t’i përdorë. Referimi në prokurori është bërë nga Policia e Shtetit dhe sipas kallëzimit dyshohet se deri në muajin Maj, 93% e ilaçeve në farmacinë qendrore në QSUT ishin të skaduara.

Dëmi bëhet akoma më i madh për shkak se dyshohet se është çuar dëm edhe një sasi barnash të dhuruara.

Gjithsesi prokuroria është duke hetuar veprimet e zyrtarëve të QSUT-së, të cilët kanë lejuar kryerjen e procedurave duke mos verifikuar datën e skandencës. Hetimi është duke u kryer për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljen e barazisë në tendera. Dyshimet janë se zyrtarët kanë lejuar, apo edhe kanë dhënë dakordësinë për t’i blerë medikamente në prag të skadimit.

Kjo gjë është reflektuar direkt tek qytetarët, të cilat janë detyruar të blejnë ilaçet tek farmacitë private me çmime shumë herë më të shtrenjta. Kjo lloj problematike ka qenë subjekt edhe i auditeve të zhvilluara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka konstatuar shkelje që i kanë sjellë dëm buxhetit të shtetit nder vite.

Tv Klan