Ekonomia u tkurr gjatë pandemisë me 6.4%

Pandemia e Covid-19 çoi stokun e borxhit publik të Shqipërisë në 10 miliardë Euro, duke arritur nivelin më të lartë historik. 

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, borxhi publik i vendit u shtua gjatë vitit të shkuar me 900 milionë Euro, duke përbërë kështu edhe rritjen më të lartë të shumës që është marrë hua nga qeveritë në dekadën e fundit.

Në total, borxhi publik zë 77.8% të prodhimit të brendshëm bruto, pak më ulët se parashikimet e qeverisë gjatë ndryshimit të buxhetit në krizën e pandemisë, se borxhi do të arrinte në 80% të prodhimit kombëtar.

Në vlerësimet e Ministrisë së Financave edhe rritja ekonomike e vendit ka shënuar një rënie me normën 6.4%.

Në total prodhimi i brendshëm është tkurrur gjatë vitit që lamë pas me 900 milionë Euro krahasuar me 2019-n, duke arritur të njëjtin nivel me vitin 2016.

Pandemia ndali për disa muaj aktivitetin ekonomik dhe atë prodhues, ndërsa edhe të ardhurat në buxhet nga taksat u tkurrën duke detyruar ekzekutivin të rritë huamarrjen.

Tv Klan