Vendimet e fundit të qeverisë së Kosovë për themelimin e Ushtrisë dhe vendosjen e tarifës 100% për mallrat serbe u kritikuan nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Në konferencën e Ministrave të Mbrojtjes në Bruksel, Stoltenberg përsëriti se aleanca ushtarake do të rivlerësojë nivelin e angazhimit të NATO-s në Kosovë.

“Disa aleatë janë shprehur se vendimi për të transformuar FSK-në në Ushtri ka ardhur në një moment jo të përshtatshëm. Disa aleatë kanë shprehur gjithashtu zhgënjim për tarifat e reja”.

Nisur nga situata e tensionuar mes Prishtinës dhe Beogradit, Stoltenberg ftoi Forcën e Sigurisë të Kosovës të respektojë marrëveshjen për të mos shkelur në veri të vendit.

“Forcat e Sigurisë në Kosovë duhet të respektojnë të gjitha detyrimet kombëtare, përfshirë edhe marrëveshjen e Brukselit, për të mos shkelur në veri të vendit pa lejen apo mbështetjen e komandës së KFOR-it”.

Nga ana tjetër, shefi i NATO-s pohoi se trupat e KFOR-it do të vijojnë misionet e tyre, në mbrojtje të stabilitetit të Kosovës dhe të gjithë rajonit.

Tv Klan