Stabiliteti i Ballkanit është shumë i rëndësishëm për NATO-n, andaj KFOR-i do të vazhdojë misionin e vet në Kosovë, ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Këto komente, ai i ka bërë gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se i siguronte kryeministrin dhe qytetarët e Kosovës se forca e KFOR-it do të mbetet në Kosovë për të siguruar një mjedis të qetë e paqësor.

“NATO është në Kosovë. NATO e ka forcën e vet, KFOR-in këtu, që garanton paqen dhe sigurinë në këtë rajon, si pjesë e angazhimit për ruajtjen e paqes në Evropë”

, ka thënë Stoltenberg.

Kjo prani e KFOR-it me mbi 4.500 ushtarë, tha Stoltenberg do të jetë e pranishme në Kosovë për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.

“Por para së gjithash tani është koha për dialog”,

 ka thënë ai. Në këtë kuadër, Stoltenberg u ka bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë, por edhe atyre në Beograd që të vazhdojnë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“NATO i jep mbështetje të plotë dialogut të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian. Ky dialog tani është rikthyer me mbajtjen e dy raundeve brenda dy javësh dhe unë e mirëpres këtë fakt”

, ka thënë Stoltenberg.

Ai nuk ka preferuar të komentojë shumë shtrirjen e vazhdueshme të ndikimit të Rusisë në rajon, por ka rikujtuar se kjo pjesë e Evropës mbetet zonë strategjike e rëndësishme për NATO-n.

Sa i përket Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe transformimit të saj në një Forcë të Armatosur, Stoltenberg tha se NATO mbështet zhvillimin e kapaciteteve aktuale të FSK-së, kurse transformimi mbetet çështje ligjore që duhet ta zgjidhin institucionet e Kosovës.

Ndërkaq, kryeministri Isa Mustafa tha se Kosova aspiron integrimin e saj në NATO dhe se i gjithë spektri politik, në pushtet dhe opozitë ka qëndrim unik sa i përket procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Po ashtu, Mustafa tha se institucionet e vendit e vlerësojnë lartë praninë e KFOR-it në Kosovë dhe mbështesin vazhdimin e këtij misioni.

Në kuadër të zhvillimeve politike, Mustafa tha se Kosova mbetet e angazhuar për dialog, përfshi edhe me Serbinë, në mënyrë që tensionet aktuale të tejkalohen.

“Dialogu me Serbinë është orientim strategjik i politikave tona për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, mirëpo përkundër kësaj qasje ne kohëve të fundit kemi pasur disa provokime sistematike për të cilat jemi marrë vesh në Bruksel që t’i tejkalojmë me paqe”

, ka thënë Mustafa.

Institucionet e Kosovës, ka vijuar Mustafa, garantojnë sigurinë për serbët e Kosovës dhe angazhohen për integrimin e tyre.

Kosova, tha Mustafa i gëzohet anëtarësimit të Malit të Zi në NATO dhe në këtë kuadër ai tha se mbetet përkushtim i vazhdueshëm që të përmbyllet edhe çështja e demarkacionit të kufirit me këtë vend.

Po ashtu, Mustafa ka ngritur edhe nevojën e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura. Ky transformimin, sipas tij, po mbahet peng nga ana e Serbisë përmes ndikimit që e ka tek deputetët serb në Kosovë të cilët nuk po e mbështesin themelimin e ushtrisë së Kosovës.

“Jemi fuqishëm të interesuar që t’i transformojmë Forcat e Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës si Forca që do të jenë mbështetëse aktive e paqes dhe stabilitetit dhe se është në interes të Republikës së Kosovës pjesëmarrja e jonë ne operacionet e mbështetjes së paqes nën ombrellën e NATO-s”,

 ka thënë Mustafa.

Kryeministri Mustafa ka siguruar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për angazhimin e institucioneve gjegjëse të Kosovës për luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit.

Gjatë kësaj vizite, Sekretari i Përgjithshëm te NATO-s, Jens Stoltenberg ka takuar edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, komandantin e KFOR-it, Gjeneral majorin, Giovanni Fungo, trupat e KFOR-it në Kosovë si dhe përfaqësuesit tjerë evropianë në Kosovë.

Kjo vizitë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s ka zgjuar interesim të veçantë për shkak të zhvillimeve globale politike, tendencave të Rusisë për shtrirjen e ndikimit në Ballkan dhe rolit të NATO-s në këtë pjesë të Evropës./REL