Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e paralajmëroi Prishtinën zyrtare se do të “përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës”.

Sipas Stoltenbergut, ky proces po udhëhiqet “në një moment mjaft të papërshtatshëm, pa u respektuar procedurat”.

Këto deklarata, kreu i Aleancës Veriatlantike i bëri në fund të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, ku është diskutuar për gjendjen në Ballkanin Perëndimor.

“Kjo shkon përtej këshillimeve të shumë zyrtarëve të NATO-s dhe mund të ketë pasoja serioze për integrimin e ardhshëm të Kosovës në proceset euroatlantike”,

tha Stoltenberg.

Autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri përmes tri ligjeve që pritet të miratohen në Kuvend më 14 dhjetor.

Lidhur me këto synime, kreu i NATO-s tërhoqi vërejtjen se nëse një gjë e tilë ndodh, atëherë “NATO-ja do ta shqyrtojë angazhimin e saj rreth Kosovës”.

I pyetur se për çfarë pasojash bëhet fjalë, Stoltenberg tha se vendimet i takojnë Këshillit të Aleancës Veriatlantike, si organi më i lartë i NATO-s.

Kreu i Aleancës së NATO-s konfirmoi se në takimin ministror është folur edhe në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e tarifës doganore prej 100 për qind ndaj prodhimeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

“Hapa të tillë e rëndojnë edhe më shumë dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Por, dialogu është mënyra e vetme që të arrihet një paqe e qëndrueshme në rajon. U bëjmë thirrje si Prishtinës ashtu edhe Beogradit që të përmbahen nga provokimet dhe t’i arrijnë kompromiset e nevojshme në mënyrë që të ecin kah një e ardhme më e mirë”

, tha Jens Stoltenberg.

Reagime të vazhdueshme në lidhje me transformimin e FSK-së në kapacitete ushtarake ka nga Serbia. Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq ka thënë se shpreson që Serbia nuk do të ketë nevojë të përdorë ushtrinë edhe pse sipas saj, edhe ky opsion është një nga opsionet në tavolinë.

“Shpresoj që kurrë nuk do të kemi nevojë ta përdorim ushtrinë tonë, por kjo është në këtë moment një nga opsionet në tavolinë ngase nuk mund të shikojmë një spastrim të ri etnik dhe stuhi të reja edhe pse (kryeministri i Shqipërisë) Edi Rama bën thirrje për këtë”,

tha Bërnabiç.

Ndaj deklaratës së kryeministres serbe ka reaguar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj duke thënë se nuk bëhet fjalë për luftë të re në Ballkan.

“Ushtrinë nuk e kemi për veri (pjesën veriore të Kosovës), është rrenë e kulluar. Ushtrinë e kemi për Afganistan dhe Irak për t’iu ndihmuar shteteve aleate”, tha Haradinaj.

Ndaj kryeministres serbe ka reaguar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj. Përmes një postimi në Twitter, Hoxhaj ka shkruar se “Serbia po vazhdon me propagandën e saj agresive kundër Kosovës, përmes mediave të saj të kontrolluara, për të krijuar panik”.

“Këtë kërcënime janë veprime të dëshpëruara me qëllim të destabilizimit të Ballkanit Perëndimor. Si anëtare e ardhshme e NATO-s, transformimi i FSK-së në Forcë të Armatosur vetëm sa do të garantojë paqe dhe stabilitet”,

ka shkruar Hoxhaj.

Sidoqoftë, pas miratimit në parim nga Kuvendi dhe pas shqyrtimit nëpër komisione parlamentare, Kryesia e këtij institucioni ka vendosur që projektligjet të cilat i hapin rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kapacitete ushtarake të miratohen më 14 dhjetor.

Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, ai për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, kanë marrë dritën e gjelbër nga Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar në disa raste se e ka mbështetjen e NATO-s për transformimin e FSK-së.

Pas takimit të 27 nëntorit me zëvendësndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jonathan Parish, Haradinaj kishte deklaruar se “Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë profesionale, multietnike dhe e cila në të ardhmen do të jetë aleate e besueshme përkrah miqve tanë euroatlantik”.

Me këtë rast, edhe kishte kërkuar mbështetjen e NATO-s në ngritjen e kapaciteteve profesionale të FSK-së./REL