Qytetari Brikel Agolli, jeton jashtë Shqipërisë dhe ankohet në emisionin “Stop” në Tv Klan, për rastin e pronës së tij në Dishnicë. Bëhet fjalë për një shtëpi me certifikatë pronësie, që cenohet nga një rrugë, e cila është ngritur nga bashkia si trase, duke bllokuar daljen shtëpive.

Brikel Agolli: Prej vitit 2007 ne nuk banojmë në pronën tonë, jemi larguar jashtë shtetit. Arsyeja përse i jam drejtuar Stopit është sepse unë kam shqetësime me rrugën kryesore, për hyrjen në banesën time. Rastësisht njoftohem nga komshinjtë që po bëhet një ndërtim i një muri mbajtës, të rrugës dhe më bllokohet rruga për tek shtëpia ime.

Fqinjët e Brikelit thonë, se janë paraqitur dy punonjës dhe e kanë bërë punimet. 50 metra më poshtë është e njëjta situatë, por është gjetur një zgjidhje. Ndaj Brikeli thotë se kërkon një mënyrë për t’u futur në banesë që ta japë me qira ose ta shesë.

Gazetarja: O nëna, meqë Brikeni ka qenë jashtë, ti që ke qenë brenda këtu në Korçë, kush e ka ndërtuar këtë?

Qytetarja: Kanë ardhur nja dy ustallarë aty, por unë nuk e di kush i pagoi, bashkia ndoshta. E punuan, e bënë.

Gazetarja: Dhe pastaj, lënë këtë tjetrin pa dalë këtu nga shtëpia.

Brikel Agolli: Personalisht do hy në kurs alpinizmi që të ngjitem tek shtëpia, ose të bëhem dhi: “Bee”.

Qytetarja: Rregullojini! Shteti të vë dorë, t’i rregullojë.

Për këtë rast interesohemi në bashkinë e Korçës, ku na premtojnë, se do të marrin masa. Në shkresën zyrtare thuhet se për banorët e prekur nga muri, do të ndërtohen shkallë dhe rampë betoni. /tvklan.al