“Stop” çon shërbimin social në familjen e paralizuar



“Stop” çon shërbimin social në familjen e paralizuar

21:20 12/02/2021

Emisioni “Stop” transmetoi mbrëmjen e së premtes rastin e Hamide dhe Shefit Pëllumbit të cilët edhe pse të paralizuar nuk marrin ndihmë nga shtetit. Edhe pse gazetarja e Stop shkoi në ambientet e Bashkisë së Cërrikut, kryetari i saj, Andis Alla, refuzoi ta takonte me arsyetimin se ka axhendën e zënë.

Pas shumë përpjekjeve arrijë të takojmë nënkryetarin e bashkisë Cërrik për problemin e familjes Pëllumbi. Ai thotë, se do të shihet rasti me shumë përparësi, madje do të mblidhet grupi i punës për këtë rast.

Gazetarja: Meqenëse nga Bashkia nuk janë parë asnjëherë as nga ndonjë sektor social, as nga kryetari, as nga nënkryetari, s’ka shkuar njeri…

Nënkryetari: Po!

Gazetarja: Nuk i dini cilët janë sëmurë, nuk keni një listë se kush ka nevojë për ndihmë? Kush ka nevojë ta çojë në spital, kush ka nevojë për një kujdestar.

Nënkryetari: Ne do ta shikojmë me prioritet kush është ky Hamide Pëllumbi dhe…

Gazetarja: Nuk e dini ju kush janë këta në kushte ekstreme?

Nënkryetari: Në kushte ekstreme kemi shumë, por këtë emër nuk e di. Do ta shikojmë me prioritet.

Gazetarja: Si do ta shikosh me prioritet?

Nënkryetari: Njerëzit marrin takim, të bisedojnë, të komunikojnë, ku i kanë hallet, ku janë paraqitur…

Gazetarja: Asnjëherë nuk janë paraqitur sepse nuk lëvizin. Tani mua nuk më duhen premtime që do ta zgjidhim apo jo. Mua më duhet një zgjidhje sot, në mos për ta shkuar dhe për ta parë për t’i gjetur një mundësi për të shkuar në azil.

Nënkryetari: Do t’i shikojmë të gjitha opsionet që të bëhet sa më e mira. Do e shikojmë me prioritet, do të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë dhe kapacitetet që kemi për t’u ardhur në ndihmë.

Gazetarja: Nuk dua premtim elektoral, më duhet sot të bëhet diçka.

Nënkryetari: Nuk është premtim as elektoral. Ne jemi në shërbim të njerëzve dhe do ta shikojmë me prioritet që sot. Do dërgojmë njerëzit që merren me këtë punë ta shikojmë si qëndron problemi.

Gazetarja: Shkojmë bashkë?

Nënkryetari: Jo, do të merren njerëzit që janë kastile për atë punë.

Së bashku me punonjësit e shërbimit social dhe me nënkryetarin “Stop” shkoi në shtëpinë e Hamide dhe Shefit Pëllumbit.

Pasi u njohën me situatën, punonjësit socialë premtuan të sjellin doktorin dhe t’u bëjnë dokumentet për asistencë sociale dhe për KEMP.

“Që nga ky moment bashkia do të jetë e angazhuar, shërbimi social është në dispozicion të kësaj familje për t’i ardhur në ndihme dhe për t’u plotësuar kërkesat imediate”, tha nënkryetari.

Deri në këtë zgjidhje, emisioni “Stop” ndihmoi me ushqime familjen Pëllumbi./tvklan.al







Të ngjashme