Një ditë më parë emisioni Stop në Tv Klan denoncoi subjektin “Saranda Al” që tregtonte dhe shiste produkte bulmeti dhe vaj sallate jashtë standardeve dhe me etiketa të falsifikuara.

Pas zbulimit dhe publikimit të këtij krimi shëndetësor, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit zbarkoi në ambientet dhe magazinën e “Saranda Al” për të sekuestruar produktet ushqimore jashtë standardeve.

Konkretisht, punonjësit e AKU sekuestruan 10 ton vaj, 400 kg djath kaçkavall, 4 ton djath të bardhë lope të cilit i ndërrohej etiketa dhe shitej si djath dhie, 300 kg salcë kosi dhe 200 kg reçel fiku.

Ky subjekt me pronar Mihal Koten, mblidhte vaj luledielli të skaduar, pa etiketë dhe riambalazhohej me etiketë të re nën emrin “Saranda Al”.

Po kështu, kaçkavalli i grirë prodhohet nga djathi i mykur, që pastrohej e grihej, për t’u rihedhur në treg nga “Saranda Al”.

Zëdhënësja e AKU, Pamela Radovani, shpjegon masat ndaj subjektit “Saranda Al” dhe pasojat për pronarin e saj Mihal Kote.

Pamela Radovani, zëdhënëse e AKU: Në radhë të parë ju falenderojmë për indicien, ishte shumë i vlefshëm emisioni juaj për të vënë fokusin tek abuzuesit në ato pika çfarë parashikon ligji për të garantuar shëndetin e konsumatorit. Sot është dërguar në terren në subjektin që bëhet fjalë, trupa inspektuese e Drejtorisë Rajonale të Tiranës të AKU në mbështetje dhe me trupën monitoruese të Drejtorisë së Përgjithshme nga Njësia e Hetimit dhe Mashtrimit Ushqimor, janë në bashkëpunim me Hetimin Tatimor dhe me Krimin Ekonomik. Aktualisht është diçka në proces, është në vazhdimësi kryerja e kontrollit zyrtar, janë atje të gjithë personat përgjegjës, edhe po kontrollohet me detaj duke filluar që nga inventarizimi i produkteve, kontrolli i gjithë dokumentacionit, gjurmueshmëria e produktit nga origjina e deri tek njësia e tregtimit. Padyshim që do merren mostra për testime laboratorike që do kryhen në laboratorin e Drejtorisë Rajonale të Tiranës. Nëse do kemi nevojë, padyshim laboratori i ISUV është suport. Dhe në momentin që do kemi gjetje konkrete për çfarë është konstatuar atje dhe pastaj për masat që do merren, do kemi një komunikim të dytë padyshim për t’ju informuar mbi rezultatin e AKU-së.  /tvklan.al