Emisioni Stop në Tv Klan, së bashku me fondacionin Fundjavë Ndryshe kanë ndihmuar familjen Goma që jeton në fshatin Funarës të Librazhd. Deri më sot kjo familje jetonte në kushte të mjerueshme.

Kryefamiljari vuan nga hernia diskale, dhe prej kohësh nuk ngrihet dot nga shtrati. Kanë dy vajza të vogla, Andiletën 7 vjeç dhe Olivian 3 vjeç. Por Stop dhe Fundjavë Ndryshe mundësuan një shtëpi të re, te madhe dhe me kushte shumë të mira.

Por përveç familjes Goma rasti i së cilës mori zgjidhje, Stop ka apeluar për ndihmë edhe për familjen Çokaj në fshatin Grudë-Fushë të Malësisë së Madhe, ku jetojnë Mine Çokaj 76 vjeçe, Dushe Çokaj 72 vjeçe dhe Zuke Çokaj 64 vjeçe. Mine dhe Dushe, dy motrat e mëdha, që në moshë të hershme janë diagnostikuar me probleme të shëndetit mendor.

E vetmja përkujdesje i ka ardhur nga motra e tyre e vogël, Zukja, e cila ka sakrifikuar jetën e saj për të qenë pranë motrave. Por edhe shëndeti i 64-vjeçares është rënduar së tepërmi. Dy motrat e mëdha çdo ditë dalin te varrezat e fshatit, duke lypur për pak lëmoshë.

Ndërsa banesa ku jetojnë është në gjendje skandaloze, duke mos i plotësuar as kushtet më minimale. Por edhe për këtë familje ka një lajm të mirë. Sapo ky rast u denoncua në emisionin Stop, i pari që reagoi ishte biznesmeni Samir Mane, i cili mori përsipër blerjen e shtëpisë për tre motrat Cokaj.  /tvklan.al