Stop Tv Klan | Një format satiro-investigativ nga Saimir Kodra & Gentian Zenelaj.
Valëvitja “krenare” e flamujve mbi godinën e kulturës shqiptare
Në godinën e Ministrisë së Kultures valëviten “krenarë” dhe të grisur flamujt e Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.Një qen është fotografuar i lidhur mbi një makinë, me të cilën po e transportojnë. Janë këto disa episode nga rubrika “Hitparade i absurdit shqiptar”.
“Do i marrë në Dhjetor”, denoncuesja për kempet e munguara: Doktori më tha “nuk të takon”
Emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan ka transmetuar më herët disa raste flagrante të abuzimit me kempet dhe pagesat e invaliditetit dhe mbrëmjen sotme, janë ndalur sërish në këtë çështje.
Sadete Balla është pensionistja, e cila në vitin 2013 ka dalë në kemp për probleme artriti dhe në Prill 2015 ka marrë statusin përgjithmonë si invalide. Ndërkohë, në po këtë vit ka mbushur moshën e pensionit.
Ka zgjedhur pensionin e pleqërisë dhe pavarësisht kësaj, ka vijuar të marrë shtesën e invaliditetit, 33 mijë Lekë të vjetra. Në momentin që ka ndryshuar vendbanimin nga Elbasani në Durrës, i kanë nxjerrë probleme duke i thënë, që nuk i takon.
Sadete Balla, denoncuesja: Kam dalë në pension si invalide, në vitin 2013. Pasi mbusha moshën, në 2015-ën, dal në pension pelqërie dhe zgjedh të marr pensionin e punës se më ra pak më shumë. Mora pensionin deri në Shtator 2023, situata ka qenë e rregullt. Më pas, mora dosjen për ta çuar tek bashkia. Punonjësja e bashkisë më dha një shkresë që të shkoja tek doktori i Sigurimeve Shoqërore për një vulë. Doktori më tha sapo e pa që “ty nuk të takon, e ke marrë gabimisht”.
Gazetarja: Pra, flasim për 33 mijë Lekë të vjetra nga bashkia. Diagnoza ime është artrit ramatoit, probleme me gjymtyrët, me kockat. Kam qenë mësuese dhe prandaj u transferova dhe këtu në Durrës sepse thoshte vajza që ndoshta nuk përdor më ilaçe. Afër detit, afër mbretit, i thonë fjalës. Afër detit dhe probleme me pensionin tani.
“Stop” shkoi në Njësinë Administrative të lagjes 13 në Durrës, ku punonjësi social thotë se sigurimet i kanë thënë se zonjës nuk i takon.
Gazetarja: Në Prill të 2015-ës ka marrë vërtetimin, që është në kemp përgjithmonë, në Shtator të 2015-ës ka marrë pensionin e pleqërisë.
Punonjësja e Njësisë: Ka ndryshuar, ka lënë invaliditetin, ka marrë pleqërinë.
Gazetarja: Në Shtator ka mbush moshën për pension pleqërie.
Punonjësja e Njësisë: Mesa m’u tha dhe mua, në momentin, që t’i ndryshon pensionin nga invaliditet në pleqëri, pleqërisë nuk i takon shtesa 33 mijë Lekë dhe prandaj dhe sigurimet këtu nuk i japin dublikatin.
Por te kempi i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Durrës thuhet se dosja nuk është administruar akoma.
Mjeku: Që të shkojë të Njësia për të marrë 33 mijë Lekëshin plus do të vijë te unë që të marrë vertetimet në bazë të dosjes që ka këtu. Të thashë, me sistemin e ri, kjo dosje që më ka ardhë nga Tirana, më ka ardhë “pension pleqërie” pra nuk ka ardhë me pension invaliditeti.
Gazetarja: Pra ngërçi te ju është, se duhet të administrohet dosja fizikisht?
Mjeku: E para! Dhe e dyta, ndoshta do të më duhet të flas me kryetarin e degës, sepse asaj i është vënë pension pleqërie, jo pension invalidi.
Pas verifikimeve, “Stop” shoqëroi zonjën për të marrë vërtetimin përkatës dhe morëm konfirmimin e vijimit të pagesës shtesë të invaliditetit.
Gazetarja: Në lidhje me problemin tuaj i është dhënë një zgjidhje.
Denoncuesja: Falë insisitimit të emisionit “Stop” dhe bashkëpunimit me Sigurimet Shoqërore.
Insitituti i Sigurimeve Shoqërore:
Gazetarja: Tani, cili është dokumenti që zonja do të marrë?
Mjeku: Do të shkosh tek Drejtoria e Shërbimit Social.
Gazetarja: Me këtë vërtetimin dhe me dosjen, ne do të shkojmë tek Shërbimi Social i Durrësit.
Shërbimi Social i Durrës:
Punonjësi i ShSSh: Do i marrë në Dhjetor të gjitha!
Gazetarja: Tetor, Nëntor, Dhjetor.
Punonjësi i ShSSh: Ajo deri në Shtator është paguar atje, nga 1 Tetor në vazhdim, te Njësia Vendore, ku ka ardhur tani banore.
Gazetarja: Kjo ishte faza e fundit. Asnjë pagesë nuk do të të humbasë, me gjithë se nuk e ke marrë Tetorin, do i marrësh të bashkëngjitura, Tetor, Nëntor. E fundit fare në Dhjetor.
Denoncuesja: Shumë faleminderit nga ju. Ju falenderoj nga zemra për gjithë punën që bëni sepse unë do ta lija për jo.
Gazetarja: Sa të jemi ne këtu, nuk ka për jo. Aty ku është për po, do të bëhet po.
Denoncuesja: Shansi im që u drejtova tek ju. Ju falenderoj nga zemra për punën fisnike që bëni.
Ndodh në Shqipëri/ Mësuesja i nxjerr mesataren me notë “1” gabimisht, i riu mbetet pa universitet
Në redaksinë e emisionit investigativ “Stop” në Tv Klan është drejtuar nëna e një djali maturant që kur aplikoi për shkollë të lartë, një vit pasi kishte përfunduar Maturën, rezultoi pa mesatare. Kur problemi u bë prezent, të dhënat hidhen sërish, por mesatarja doli 1. Si përfundim, djali humbi të drejtën për shkollë të lartë.
Denoncuesja: Jam nëna e një maturanti të vitit 2021-2022. Ai vjet nuk e vazhdoi shkollën për arsye familjare. Sivjet, aplikoi në datën 4 Tetor, bëri dhe pagesën e postës dhe të gjitha në rregull. Nuk mundi dot të futej tek U-albania për përzgjedhjen e lëndëve. Në shtëpi nuk i hapej nga kompjuteri. Shkova tek shkolla. Nga kompjuteri i zyshës, Eda Zari që merret me këtë përgjegjësi, doli që ishte pa mesatare fare. Kjo e penalizonte që të aplikonte në shkollë. Zysha më drejtori tek zyrat e ZVAT-it në Tiranë, shkoj atje, zonja e konfirmoi që aplikimi ishte shumë në rregull. Urdhëroi drejtoreshën dhe zyshën përgjegjëse ta zgjidhin këtë punë. Me besim më thanë që do ta zgjidhin dhe unë i besova. Më thanë që tani ka të drejtë çuni që ta aplikojë dhe të shkojë në shkollë. Shkoj tek universiteti i Gjuhëve të Huaja, atje më del që mesatarja e çunit ishte nota 1-sh. Erdha prapë tek shkolla, më thanë që do ta rregullojmë e do të bëjmë të pamundurën, nuk do ta lëmë djalin pa shkollë, por asgjë. Djali është i penalizuar tani dhe ato për këtë punë, e heqin fajin nga vetja e tyre dhe thonë “jo po QSHA-ja, jo po ZVAT-it”, ndërkohë që kam bërë kërkesat dhe kam folur dhe asnjë nuk më jep zgjidhje.
“Stop” i është drejtuar ZVA Tiranë, ku është thënë se Komisioni i Maturës Shtetërore merret me këtë dhe problemi duhet të ishte zgjidhur në kohën e duhur. Më pas, gazetarja takoi përgjegjësen e Maturës në gjimnazin “Ismail Qemali”, por Eda Zara, mohoi të kishte gabuar.
Gazetarja: Kemi marrë konfirmimin nga Zyra Arsimore që të dhënat janë hedhur gabim. Ju çfarë përgjegjësie mbani?
Mësuesja: Është e gabuar kjo pjesë.
Gazetarja: Si hidhet mesatarja 1?
Mësuesja: Të dhënat janë korrekte. Detyra ime është të hedh vetëm notat e këtij nxënësi, të cilat me korrektësi janë hedhur në sistem. Çdo procedurë tjetër është ndjekur sipas udhëzimeve të dhëna nga Drejtoria Arsimore. Nëse ju doni fakte apo ku di unë…
Gazetarja: Për cilin vit të Maturës e keni hedhur?
Mësuesja: Atëherë kur ka mbaruar.
Gazetarja: Kur ka mbaruar?
Mësuesja: 2021-2022.
Gazetarja: Pikërisht, ky është gabimi.
Mësuesja: Jo, tek pjesa e hedhjes së notave është që ky duhet të hidhet nota aty ku ka mbaruar. I am hedhur në 2021-2022, atëherë kur ai ka mbaruar.
Gazetarja: Si ka mundësi? Se ju thoni kështu, ndërkohë që mesatarja i ka dalë 1?
Mësuesja: Atëherë gjejeni.
Gazetarja: Ju jeni menaxhuesja e Maturës?
Mësuesja: Unë jam menaxhuese për hedhjen e notave. Unë hedh vetëm notat. Procedura ime është hedhja e notave.
Gazetarja: Çfarë përgjigjeje i keni kthyer prindit të këtij nxënësi?
Mësuesja: Prindit të tij i kam thënë që notat janë në sistem dhe se do të komunikojmë me Zyrën Arsimore. Kam komunikuar dhe vazhdoj të komunikoj dhe nuk kam marrë një zgjidhje, pres një zgjidhje.
Faji edhe njëherë ka mbetur jetim, por një i ri është sot pa shkollë për të dytin vit