Hitparade i absurdit shqiptar.

Një bombul gazi në Tiranë është vendosur në fasadën e pallatit. Në Peshkopi, bora e këtyre ditëve, është pastruar me një automjet të improvizuar në formë borëpastrueseje.Një furgon është filmuar duke hedhur mbetje në lumin e Tiranës.Kazanët e plehrave në Shkodër janë mbushur me mish.Në shkollën 9-vjecare “Hasan Koci” në Shkozet muri rrethues ka rënë përtokë. Janë këto disa nga situatat, që shfaqen dhe komentohen në rubrikën e përjavshme “Hitparade i absurdit shqiptar”.

Kavajë, me probleme mendore dhe i vetëm, të afërmit kërkojnë sistemim.

Emisionit “Stop” në Tv Klan mbrëmjen e sotme ka trajtuar problematikën e personave me probleme mendore të cilët janë të vetëm dhe nuk kanë njerëz të kujdesen për ta. Nga dy raste konkrete që janë denoncuar në “Stop”, rezulton se ka një vakum ligjor për këtë persona. Që do të thotë se personat me probleme mendore nuk mund të pranohen në qendrat e shërbimit social nëse janë mbi 20 vjeç, kurse në Shtëpitë e të Moshuarve pranohen vetëm nëse janë të paktën 60 vjeç. Pra, kategoria e personave me probleme mendore brenda këtij harku kohor, që janë plot 39 vjet, nëse nuk kanë familjarë apo të afërm që të kujdesen për ta, nuk kanë ku të shkojnë.

Në rastin e parë kemi denoncimin e z.Naim Stërniqi nga Kavaja. Ai iu drejtua “Stop” për të afërmin e tij Arben Haxhiaj 48 vjeç, i cili është person me probleme mendore dhe jeton me paratë e kempit prej 100 mijë Lekësh të vjetra në muaj. E ëma i vdiq para 3 muajsh dhe tashmë nuk ka kush të kujdeset për të. Arbeni nuk është person i dhunshëm, kurse të afërmit e tij kërkojnë ndihmë për ta strehuar në institucionet përgjegjëse pasi nuk kanë mundësi të kujdesen vazhdimisht për të.

Naim Stërniqi: “Ne kemi një djalë tezeje, i quajtur Arben Haxhia, i cili është njeri i vetëm, pa prind, pa vëllezër, pa motra, jeton vetëm. Para tre muajsh i vdiq e ëma, tezja jonë, edhe ky tani jeton vetëm në këtë shtëpi me një ndihmë ekonomike 100 mijë Lekë të vjetra që merr kemp. Dëshira jonë është që ky të shkojë në Shtëpinë e të Moshuarve në Kavajë. Edhe neve e kemi afër që të shkojmë ta ndihmojmë. Nuk di të flasi, nuk di të komunikojë, as për të gatuar, as për t’u larë. Për momentin e ndihmon një kujdestare që ajo vjen disa orë, e paguajmë. Nuk kemi mundësi që kjo të rrijë në orë shumë të vona, sepse dhe ajo ka familjen e vet. Arbeni nuk është i dhunshëm, por është një njeri i qetë, njeri i qeshur, njeri i dashur me njerëzit që e njohin. Edhe po ta ngacmosh, nuk të kthen dorë, as të godasë, as të bërtasë. Po patët mundësi, emisioni Stop të na ndihmojë në këtë mes”.

Të afërmit iu drejtuan Sektorit të Shërbimit Social në Bashkinë e Kavajës për t’i kërkuan ndihmë. Ky sektor i dërgoi me shkresë Drejtorisë së Shërbimit Social dhe mori përgjigje negative për shkak të moshës.

Sektori i Shërbimit Social në Bashkinë e Kavajës: “Zonja që u drejtua këtu ishte një e afërme e z.Arben. Prej disa muajsh ndodhet i vetmuar, pasi nëna i ka vdekur dhe është totalisht pa asnjë lloj mbështetje. Kushërinjtë iu drejtuan sektorit të shërbimit social dhe menjëherë i drejtuam kërkesën Drejtorisë të Shërbimit Social me një shkresë zyrtare ku i kërkojmë sistemimin e këtij zotërie, ndërkohë që drejtoresha e Shërbimit Social më sjell një përgjigje që thotë ‘zotëria nuk mund të pranohet në asnjë lloj institucioni sepse mosha e përshtatshme për këtë institucion është deri në 25 vjeç dhe për t’u pranuar te Shtëpia e të Moshuarve është 60 vjeç. Për këtë arsye ai nuk përmbush asnjërin nga këto kritere dhe nuk mund të shkojë atje. Ndërkohë që na jep disa institucione jo shtetërore që janë institucione fetare për të çuar këtë zotëri. Në momentin që vjen shkresa, e thërras zonjën që erdhi dhe bëri kërkesën dhe ajo nuk pranon që zotëria të shkojë atje për arsye se është shumë larg, sepse institucioni ndodhet në Shkodër. Dhe një institucion tjetër ndodhet në Tiranë. Duan që të jetojë në Kavajë. Sepse duke qenë këtu, e kemi më afër dhe mund ta vizitojmë. Në këto kushte, Arbeni ka ngelur pa mbështetje”.

Në një tjetër rast të dytë të mbërritur si shqetësim në redaksinë e emisionit “Stop”, kemi të bëjmë me të njëjtën problematikë. Një zonjë, e cila thotë se burri i saj i dytë ka një vajzë me probleme mendore, ka të njëjtin shqetësim. Denoncuesja, e cila dëshiron të ruajë anonimatin, tregon se burri i dytë i ka vdekur, kurse e ëma biologjike e vajzës me probleme mendore nuk interesohet për të. Zonja që shpjegon rastin, ka tre fëmijë nga martesa e parë, të cilët ndodhen jashtë shtetit dhe dëshirojnë të marrin të ëmën e tyre. Por, ajo nuk ka ku të lërë vajzën e ish-bashkëshortit të dytë, pasi asnjë institucion nuk e pranon për shkak të moshës.

Denoncuesja: “Unë kam një vajzë të gjetur nga martesa e dytë të cilën e gjeta 7 vjeç, është me të meta mendor edhe në moshën 18 vjeç kaloi dhe skizofreni. Kam tre fëmijë të cilët i kam nga martesa e parë dhe i kam jashtë shtetit, të cilët duan të më marrin atje dhe viza ime doli për 10 vjet. Unë po kërkoj nga shteti që të sistemojë vajzën time Marinelën. I ati i ka vdekur, nëna e vet nuk do t’ia dijë, të afërmit e vet nuk duan t’ja dinë fare për Marinelën. Asnjë institucion nuk më hapi derën”.

Emisioni “Stop” u interesua pranë Shërbimit Social Shtetëror për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate, por e njëjta përgjigje. Për shkak të moshës së vajzës, nuk mund ta strehojnë.

Për këtë mungesë ligjore, emisioni “Stop” pyeti deputetin Dashamir Shehi dhe psikologen Aurela Agalliu, të cilët dhanë opinionet e tyre për këtë problem.

Dashamir Shehi: “Kjo është një temë shumë e madhe, shumë e gjerë dhe asnjë në Shqipëri nuk e kemi marrë me seriozitetin e duhur. Numri i këtyre personave është edhe shumë më i madh se sa realisht. Shqiptarët duke pasur këtë kompleksin e familjes dhe shpeshherë i fshehin këto probleme. Në radhë të parë duhet mbuluar me ligj, në radhë të dytë duhet mbuluar me fonde. Në radhë të tretë duhet mbuluar me njerëz të specializuar. Vitin që vjen të paktën të hedhim hapin e parë, të shpallim formulën ligjore e cila mund t’i mbulojë pastaj edhe nga ana financiare. Më bëhet qejfi që po merreni me këtë punë”.

Aurela Agalliu, psikologe: “Nuk duhet ta shikojmë në mënyrë kaq sipërfaqësore që kemi të bëjmë me një njeri të mbetur vetëm. Kemi të bëjmë me një individ me aftësi të kufizuara që në të ardhmen mund të kthehet në kontigjent shqetësues për komunitetin apo problematik për komunitetin. Përpos kësaj, aftësia e tij për të pasur një mirëqenie sociale dhe psikologjike lë shumë për të dëshiruar dhe dështon në këtë pjesë. Duhet tërhequr vëmendja e shtetit, duhet tërhequr vëmendja e institucionit për t’i dhënë një mundësi sepse këta janë persona të një kategorie të veçantë dhe shqetësimi im mbetet mirëqenia e tij psikologjike dhe sociale. Vetmia e rëndon”.

Për këtë problem të kësaj kategorie të veçantë, drejtuesit dhe moderatorët e emisionit “Stop” Saimir Kodra dhe Gentjan Zenelaj apeluan që shteti dhe qeveria të hartojnë një ligj dhe të alokojnë fonde për strehimin e personave me probleme mendore.

Kamëz, “Stop” dhe “Fundjava” bëjnë me shtëpi të re familjen Harizi.

Më në fund shpresë për familjen Harizi në Kamëz. Kushtet tepër të vështira ku jetonin dhe vështirësitë ekonomike, bënë që Klajdi, një nga fëmijët, të shtrohej në Sanatorium me ftohje të rëndë për shkak të lagështirës në banesë.

“Shtëpia është krejt lagështirë, unë nuk kam ku të mësoj, s’kam ku t’i bëj detyrat. Shoqet e mia përherë kur e shikojnë, thonë mos u mërzit se do ta bëjnë. Edhe rroba nuk kemi mjaftueshëm, librat na lagen përherë. Nuk kam çfarë të them tjetër, veç dua një shtëpi, kaq”, thotë vajza e vogël e familjes Harizi.

Kurse i ati i fëmijëve, nuk mund të përmbajë lotët dhe apelon për ndihmë.

“Vit për vit kemi përmbytje të mëdha jashtë mase. Çunin e kam pasur në spital në gjendje shumë të rëndë. Dhe babain e kam sëmurë, gruan e kam me depresion. Çdo gjë që marrim, ushqime, na mbyten të gjitha. Sa herë që bie shi, bie brenda”, thotë ai.

Djali i familjes shprehet se mezi munden edhe të ushqehen për shkak të mjerimit që i ka kapluar.

“I lutemi të gjithë shqiptarëve që të na ndihmojnë për shtëpinë. Edhe vet kam qenë 1 muaj e gjysmë në spital për shkak të lagështirës së tepërt. S’kemi çfarë të bëjmë. Nuk jetohet kështu. S’kam as ku të fle. Dua të jetoj si gjithë shokët dhe shoqet. As për të ngrënë nuk e ngopim asnjëherë barkun. Babi është pa punë. Mami që është e sëmurë është e papunë”, thotë Klajdi.

Por, tashmë ky realitet i hidhur i përket të shkuarës. Emisioni “Stop” dhe “Fundjavë Ndryshe” i kanë rikthyer buzëqeshjen familjes Harizi në Kamëz. Ata kanë një shtëpi të re me të gjitha kushtet e nevojshme dhe pa lagështirë. Për këtë familje kontribuuan disa biznese e donatorë, si dhe banorët e rrugës “Mujo Ulqinaku” në Kamëz.