Korrupsioni në Ministrinë e Financave, në kërkim Mona Alickaj.

Prej dy ditësh emisioni “Stop” ka denoncuar përmes kamerës së fshehtë rastin korruptiv në Ministrinë e Financave. Sot Policia e Tiranës ka deklaruar shpalljen në kërkim për specialisten Mona Aliçkaj.

“Paraditen e kësaj të enjteje ka reaguar edhe vetë qytetari që ka dhënë 1 milion lekë, i ka vajtur qumështi i nënës në majë të hundës, që pas 27 vjetësh i doli zonja Mona Aliçkaj, që i zgjidhi punë një më një e nuk do të vuajë më. Dha një intervistë të tijën dhe thotë se është i gatshëm të përballët në çfarëdo lloj instance si dëshmitar, për të treguar të gjithë procedurën, por kur të gjejnë Monën”, tha Saimir Kodra.

Gentian Zenelaj kujtoi se vonesa e policisë prej 48 orësh është më se e mjaftueshme për dikë që të largohet nga ky vend pa i hyrë gjemba në këmbë. Ndërsa Kodra tha se s’është çudi që të ketë dalë edhe pa shënuar emrin në sistemin TIMS.

Denoncuesi – Problemi, problemi ka qenë, se në Elbasan mungonte videoja ime në zyrat e hipotekës, ishte zhdukur dosja fare. Kështu që u detyrova me orientimin e atyre, juristëve të Elbasanit, më detyruan, që ika në Ministrinë e Financave në Tiranë. Aty nëpërmjet njerëzve, që njihnin këta, zonjën, që ishte në fjalë, që bëhet fjalë, ramë dakord, që ajo t’i nxirrte dokumentet, që andej. Bëra një kërkesë unë dhe dokumentet ikën në Elbasan pas 21 ditëve. Deri këtu ishim në rregull dhe mbas 21 ditëve vajta në Elbasan, bëmë disa pagesa shtetërore, zyrtare, që me thënë, s’kisha fare kundërshtim, se isha shumë në rregull, dhe më kërkonin në Tiranë tani, që të merrja urdhrin e pagesës së truallit.

Gazetari – Në çfarë forme ta kërkuan ryshfetin, d.m.th, si arritët të lidheshe me këtë person?

Denoncuesi – Ryshfeti u kërkua në mënyrë, s’e më thotë, që është shumë e vështirë, që të dalin këto dokumentet, e bënë, i jepnin një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, që sipas meje nuk ishte absolutisht asnjë gjë, ishte një neglizhencë edhe për të marrë lekët.

Gazetari – Kush ta tha këtë?

Denoncuesi – Zonja, që ishte…, Mona, nuk e mbaj mend Liçka a Mona Aliçka, si e kishte ajo zonja e Zyrës Administrative të Tiranës së Ministrisë së Financave.

Gazetari – E kuptoj!

Denoncuesi – Ajo më thotë, fillimisht, më tha për 800 mijë lekë, 80 mijë lekë me të rejat flasim, dhe kur vajta atje, të jap 800 mijë, më kërkuan 1 milionë dhe ato i rregullova, siç i keni parë në filmime, që të merrja dokumentin dhe të ikja. Të mbaroja punë me qeverinë të paguaja lekët, lekët e truallit, se…, apo janë të shtetit nuk kam kundërshtim as unë, as njëri në fakt.

Gazetari – Për sa kohë ua dha dokumentin në dorë nga dita, që ju dhatë të gjithë lekët, që ishin kërkuar në formë ryshfeti? Pas sa ditësh?

Denoncuesi – Në tavolinë ishte, e kishte dokumentin ishte në tavolinë.

Gazetari – Ishte i bërë, i përgatitur më përpara?

Denoncuesi – Ishte i bërë. Bam ma dha në dorë, pas 3 ditëve, që kam paguar lekët.

Gazetari – Jeni gati, që të dëshmoni në organet e Drejtësisë, për të gjithë çfarë u transmetua në emisionin “Stop”, por edhe për historinë tuaj?

Denoncuesi – Për të gjitha, deri të mbaj përgjegjësi edhe ligjore, për të gjitha gjërat, që kam folur dhe që kam thënë.

Gazetari – Faleminderit shumë!

Policia e Tiranës shpalli në kërkim specialisten e sektorit të Auditit në Ministrinë e Financave, Mona Aliçkaj, për veprën penale korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike. Po ashtu është proceduar në gjendje të lirë 67-vjeçarja Manushaqe Slita për veprën Penale ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Në njoftimin zyrtar thuhet se procedimi penal ndaj këtyre shtetasve filloi pas publikimit të pamjeve në emisionin “Stop” në datën 22 dhe 23 Janar, kur selita ushtroi ndikim të paligjshëm tek specialistja e auditit në Ministrinë e Financave, Mona Aliçkaj, për privatizimin e një trualli me sipërfaqe 100 metra katror në favor të një shtetasi në Bradashesh të Elbasanit, duke i kërkuar dhe marrë shumën prej 100 mijë lekësh të reja. Materialet i kaluan prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Vetë Ministria e Financave dhe Ekonomisë pati një reagim të zbehtë pa masa konkrete. “Ministria e Financave dhe e Ekonomisë falënderon stafin e Emisionit “Stop” në Televizionin Klan për angazhimin dhe punën tyre në luftën kundër fenomeneve korruptive dhe përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve në respektim të ligjit dhe të së drejtës, si dhe njëkohësisht shpreh angazhimin dhe vullnetin e saj maksimal në goditjen e të gjitha veprimeve të paligjshme, në shkelje të integritetit dhe profesionalizmit, si dhe përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve ndaj qytetarëve. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, distancohet nga rasti i publikuar në emisionin “Stop” të datës 22.01.2019, si dhe mbështet dhe inkurajon organet kompetente në zbardhjen sa më parë të këtij rasti dhe vënien para përgjegjësisë të cilitdo, që ka shkelur ligjin dhe ka abuzuar me detyrën publike”, lexohet në reagim.

“Këtu ndoshta nuk i ka dalë fleta që të shkruante që minimalisht është e pezulluar nga puna, në asnjë rresht Sekretari i Përgjithshëm që është zonja ose zonjusha Gerladina Prodani, asgjë personale, por shefat duhej të thoshin se pezullohet nga puna derisa të provohet se ka korrupsion, apo nuk ka korrupsion”, tha Kodra.

Dorëzanë për një kredi pa dijeni, përmbarimi i bllokon pagën.

Erando Muçollari tregoi në emisionin investigativ “Stop” se shoqëria përmbarimore “Star” i ka bllokuar pagën, për llogari të një banke të nivelit të dytë.

“Iu drejtova emisionit “Stop”, sepse nga zyra e përmbarimit më ka ardhur një letër, që pretendohet se unë e kam firmosur, por unë nuk kam firmosur fare dhe nuk jam në dijeni. Më kanë bllokuar lekët dhe çdo gjë. Ndërkohë që unë nuk jam fare në dijeni të kësaj gjëje!”, u shpreh i shqetësuar denoncuesi.

Ai rezulton dorëzanë për një kredi në emër të qytetarit Alban Shkalla, të cilin e njeh vetëm nëpërmjet një miku të përbashkët.

“Them mos ma ka marrë kartën (e identitetit), mos më ka rënë, apo ma ka marrë ai… Nuk e di, s’po i jap dum si e ka gjetur kartën ai”, shpjegoi Erando.

Por rasti i tij nuk është i vetmi. Gazetarja e emisionit “Stop” u përball në zyrat e shoqërisë përmbarimore me shumë qytetarë, të cilët kanë të njëjtin problem.

Qytetarja: Bravo! Bravo! Të lutem! Kemi që në pikë të mëngjesit.

Qytetari: Është një lloj problemi, një lloj situate që… ty të hanksha dasmën, që i solle (emisionin Stop). Është një lloj ngatërrese, që gjeneralitetet e mia janë futur në një kredi…

Qytetarja: Që ne nuk ia kemi fare idenë, nuk e njohim personin, nuk kemi dalë dorëzanë për askënd, nuk e njohim fare këtë lloj personi.

Qytetari: Jemi nga Elbasani. Sjellin tani letra pa fund zyra e përmbarimit, që do paguash kredinë, kur unë s’kam marr gjë…, sjellin një letër. Kërkojmë ore më sqaro, më jep që s’jam debitor, që s’jam unë, kërkoj informacion, të lutem më jep informacion, që unë… po prit se do të sqarojmë, do marr informacion dhe ka 6 muaj.

Gazetarja komunikoi me një punonjës të shoqërisë “Star”, i cili u shpreh se veprimet janë ndërmarrë në bazë të dokumentacioneve që ka dorëzuar banka.

Punonjësi i “Star”: Kjo është kontrata e kredisë që ka ardhur nga banka. Bëhet fjalë për një kontratë kredie të datës 04.07.2007. Po ta shikosh janë këto palë që kanë firmosur, Erando Mucollari.

Gazetarja: Që është dorëzani.

Punonjësi i i “Star”: Për vlerën 1 milionë lekë të reja. Tani, ne kontrata na vjen nga banka me të gjitha firmat.

Gazetarja: Me sy të lirë, nuk ka të bëjë fare as emri e as mbiemri, domethënë kaligrafia e shkrimit.

Punonjësi i i “Star”: Edhe unë e pashë, por çfarë ndodh? Kjo është një kontratë kredie që është bërë me një institucion, me një individ. Tani, që ta vërtetojmë që nuk është ky, që nuk është shkrimi i tij, duhet që patjetër të shkojë në gjykatë. I është hequr sekuestro sot.

Gazetarja: I është hequr, për çfarë arsye?

Punonjësi i “Star”: Po i është hequr, pra u bë gjithë kjo edhe …

Pra, pas interesimit të emisionit investigativ “Stop” shoqëria i zhbllokoi pagën qytetarit Erando Muçollari, por çështja duhet të shkojë në gjykatë për të provuar që nuk ka firmosur ai si dorëzanë për kredinë në fjalë.

Përplasja institucionale lë në port pajisjet mjekësore për spitalin e Kavajës.

Projekti ndërkombëtar “Cure” që operon në fushën e shëndetit, ka sjellë një kontenier me ndihma në pajisje spitalore për spitalin e Kavajës, duke vijuar më pas me të tjerë spitale rajonal.Që nga 10 janari kontenieri ndodhet në Portin e Durrësit, pasi kërkohet pagesa e TVSH-së për zhdoganimin e pajisjeve në fjalë.Ministria e Shëndetësisë pretendon, se këto pajisje janë të përjashtuara nga pagesa e TVSH-së, por drejtoria e doganave nuk ka këtë interpretim.Si përfundim pas disa ditësh do të celet fondi i vitit 2019 për spitalin e Kavajës dhe ky i fundit do të mund të paguajë vlerën e TVSH-së për zhdoganimin e donacionit.