Ekspozita e Ramës me emrat e ministrave / Vjedhja e armëve në Pashaliman.

Gjatë fundjavës kryeministri Rama hapi një ekspozitë me punimet e tij në Berlin. Vec të tjerash, punët kishin dhe emrat e ministrave, apo porositë për të telefonuar sekretarin e përgjithshëm Engjëll Agaci. Renaldo ka pyetur qytetarët, a është normale, që në një vend anëtar të Natos, të vidhen armë. Pak ditë më parë, u raportua për të tillë vjedhje në bazën e Pashalimanit.

Ca të nënës, ca të njerkës, për studentët e ardhur nga privati trifa s’ulet.

Mediat raportuan sot, se dy grupe studentësh u përplasën fizikisht në ambientet e universitetit të drejtësisë. Por “Stop” sjell sot në vëmendje moszgjidhjen e problemeve të studentëve. Evangjeli Lleshi, është studente e vitit të pestë në mjekësi, e transferuar në universitetin publik, pas mbylljes së “Vitrinës”.

Ajo thotë, se në privat paguante 900 Euro në vit, ndërsa në shtet paguan 2 milionë e 350 mijë Lekë në vit. Në fillim, kësaj kategorie iu tha, se do të bënin orë ekstra e do të kishin kushte ekstra.

Studentja: Përshëndetje, unë jam Evangjeli Lleshi, jam studente e viit të 5 në Fakultetin e Mjekësisë së Përgjithshme. Kam probleme me tarifën, tarifa ime ndryshe nga studentët e tjerë është 2 milion e 350 mijë Lekë, sepse kam qenë studente e Universitetet privat të Vitrinës në vitin 2014. Maksimumi që kam paguar atje ka qenë 900 Euro. Në vitin 2014 u mbyllën këto universitet na thanë që mund të transferoheshim në privat, ose në publik. Na u tha se ju do keni tarifë ekstra, pasi do të kemi pedagogë ekstra, orë mësimi ekstra, çdo gjë ekstra. Transferimi nga privati ka një tarifë shumë të lartë. Pse duhet të paguaj unë këtë tarifë ekstra, kur ulem në të njëjtat auditore, mësoj të njëjtat lëndë? Ky është viti i 5-ë dhe kam paguar deri tani 10 milionë Lekë.

Por sot trajtohen si të gjithë dhe paguajnë më shumë. Evangjelia thotë, se me vendim qeverie, të gjithë studentëve iu përgjysmua tarifa, por atyre, që kanë ardhur nga privatët, jo.

Gazetarja: Nga kjo protesta e studentëve, kjo shuma 2 mijë Euro, besoj se do të këtë pasur ndonjë ulje?

Stidentja, Evangjeli Lleshi: Unë bashkë me shokët e mi që jemi 58 studentë, kemi qenë në protesta dhe kemi kërkuar që të trajtohemi njësoj. Mirëpo, nga kjo protestë nuk do të përfitojmë as përgjysmimin. Studentët e Fakluteteve private të mbyllura nuk do të përfitojnë ulje tarifimi, aq më tepër barazi. Na u tha që ne kemi pranuar një kontratë. Ndërkohë që unë nuk kam firmosur asnjë kontratë. E vetmja gjë që unë kam bërë në vitin 2014 ka qenë një kërkesë regjistrimi dhe jo tarifimi. Tarifa ka dalë pasi ne jemi regjistruar, me vendim të Këshillit të Ministrave. Na është quajtur dhe si fakultet i dytë, ndërkohë që unë se kam mbaruar akoma të parin. Dhe sikur unë të kisha firmosur një kontratë 2 milionë e 350 mijë Lekë, po studentët e shtetit që kanë zgjedhur tarifën 450 mijë Lekë, nuk po ju përgjysmohet? Ne nuk jemi në të njëjtin nivel? Pse ne nuk futemi tek i njëjti tarfim. Nuk është faji im që u regjistrova tek Vitrina, është faji i shteti që i la të hapeshin dhe më pas i mbylli. Përderisa e lejo vetë të hapen dhe të mbyllë, pse unë duhet të vuaj pasojat.

Në sekretarinë e universitetit shprehen, se për këtë kategori po diskutohet.Por nga ana tjetër administratori i fakultetit, tha, se në takim me kryeministrin u vendos, që tarifa për këtë kategori, të mos ndryshojë.

Studentja- Si kalove?

Sekretarja- Mirë!

Studentja-Unë jam studente e transferuar nga privati. Për neve, çfarë është vendosur?

Sekretarja-Akoma s’ka ardhur ndonjë udhëzim i veçantë.

Studentja-Po as 50%?

Sekretarja-Po diskutohet. Duhet të na vijë urdhri me shkresë nga Universiteti, vlerën tuaj. Ta shikojmë, se çfarë do të bëhet! Në momentin, që do të na vijë shkresa nga Rektori, që nga kjo datë në këtë datë, do të bëhet arkëtimi i lekëve, atë shkresë do ta vëmë në web, dhe ju do ta shikoni. Tani edhe për ju po diskutohet, mesa di unë.

Lidhur me tarifa, studentja bisedon dhe me Administratorin e Fakultetit

Administratori- Fatkeqësisht, unë kam përgjigje negative! Nuk përfshiheni!

Studentja- Nuk përfshihemi tek përgjysmimi, apo nuk përfshihemi fare?

Administratori-Fare!

Studentja- Domethënë, do të paguajmë 2 milionë e 350 mijë Lekë?

Administratori- (E pohon)

Studentja– Po Kryeministri tha, që të gjithë studentët, do t’i përgjysmohet. Për çfarë arsyeje?

Administratori- Studentëve. Ju keni një kontratë.

Studentja- Ne jemi studentë.

Administratori- E kemi diskutuar këtë çështje në mbledhjen, që u bë në Ministrinë e Arsimit më 15 Janar, në prezencë të Drejtorit juridik, të financës, të zëvendësministres e tërri-vërri…nuk përfshihet! Ka një kontratë të nënshkruar, në momentin, kur është mbyllur ai institucion, dhe kanë dashur të vijnë këtej, në atë kontratë…

Studentja- Kur? Me kë është bërë kjo kontratë, se neve nuk na kanë dhënë një kontratë.

Administratori- Tani, kjo është pyetje tjetër.

Studentja- Personalisht, nuk më kanë dhënë ndonjë kontratë, për të firmosur.

Administratori- Nejse, mos më kërko mua këtë…ta thashë që në fillim, që më duhet të ta jap këtë lajm. S’mund të të mbaj dot me shpresa! Dhe në mbledhjen, që u bë me Kryeministrin të premten, që ishte edhe Ministrja edhe e gjithë Qeveria, po ky muhabet u hap, nuk përfitojnë!

Studentja- Arsyeja?

Administratori- Është një rast i veçantë, e kanë pranuar vetë që në fillim.

Studentja- Po edhe studentët e Fakultetit, që jeni këtu, vetë e kanë pranuar tarifën 450 mijë lekë, por kërkojnë përgjysmim, dhe iu përgjysmua.

Administratori- Përgjigja është jo! Është e rëndë ta them kështu, po kjo është e vërteta.

Tregtarët e makinave pa targa, duhet të kenë inxhinier mekanik.

Tregtarët e makinave të përdorura në Shkodër ankohen në emisionin “Stop” në Tv Klan se po përballen me problemin e mospajisjes me targat e provës.

Sipas një udhëzimi të ri që ka hyrë në fuqi në vitin 2019, këta tregtarë të licencuar në QBK dhe të pajisur me të gjitha dokumentet për ushtrimin e aktivitetit të tyre, duhet të kenë tashmë edhe një inxhinier mekanik në mënyrë që të pajisen me targat e provës. Do të jetë raporti i inxhinierit për gjendjen e mjetit që do të bëjë të mundur nxjerrjen më pas të targave të provës për makinat që janë në shitje.

Vendimi për të pasur inxhinier mekanik, tregtarët thonë se i dëmton ekonomikisht. Ata shprehen se nuk është e nevojshme për të pasur inxhinier mekanik, pasi bëjnë vetëm shitje të makinave dhe nuk kanë servise. Këto automjete kalojnë automatikisht kontrollin e detyrueshëm teknik kur i nënshtrohen kualidimit.

“Ne jemi tregtarë makinash. Importojmë makina nga Europa edhe i sjellim në Shqipëri. Deri tani kemi qenë të pajisur me një targë prove, që na ka pajisur shteti. Konform tyre i kemi prerë dhe siguracionet. Mirëpo tani në vitin 2019 nuk na pajisin me këto targa për arsye sepse na kërkohet një dëshmi profesionale, na kanë kërkuar një inxhinier mekanik. Nuk ka asnjë rol për arsye sepse ne targat e provës që kemi, vjen klienti dhe do të provojë makinën. Shkon te servisi dhe e kontrollon vet. Kuptohet që pastaj shkon bën edhe kolaudimin”.

“Një inxhinier mekanik neve nuk na duhet. Mua nuk m’i blen inxhinieri makinat, as nuk m’i shet inxhinieri makinat. Pa targë nuk dal dot. Unë i kam çuar makinat edhe në Vlorë, edhe në Korçë, edhe në Lezhë. Një tregtar makinash të përdorura nuk është i detyruar të ketë as inxhinier mekanik, as të ketë servis”.

“Nuk kam pse e dua inxhinierin. As nuk riparoj, as nuk kolaudoj makinën”.

“Nëse një person nga Tirana mua më thotë dua ta blej, me çfarë ta transportoj? Unë nuk mundem t’ia çoj, më ngelet makina pa u shitur”.

“Thjesht e kanë vënë për arsyet e veta për të na bllokuar biznesin e vogël. Inxhinieri nuk i duhet një shitësi të makinave”.

Gazetarja e emisionit “Stop” shkoi tek Drejtoria e Targave në Shkodër. Por, sapo drejtoresha e këtij institucioni pa gazetaren, e kyçi derën. Ne pyetëm drejtorin e Regjistrimit të Targave, i cili tha se kërkesa bazohet në një udhëzim të Marsit 2018 nga Drejtoria e Përgjithshme e Transporteve, që nuk lejon pajisjen me targë prove pa licensë profesionale, lëshuar nga QKB.

“Në bazë të një udhëzimi që na ka ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme më 6 Mars 2018, dhe thotë: “Për asnjë lloj arsyeje nuk do të kryehet shërbimi për pajisjen me targë prove ose rinovim të autorizimit për targë prove kur subjekti i regjistruar në QKB nuk ka lejen e ushtrimit të aktivitetit, licencën profesionale të lëshuar nga QKB”. Në bazë të këtij udhëzimi, ne nuk mund t’i bëjmë rinovimin e targës së provës. Duhet të drejtoni te QKB, atje ju tregojnë të gjithë dokumentacionin që paraqesin një nga këto subjektet për t’u pajisur me lejen profesionale. Unë nuk e di problemin e inxhinierit kush e kërkon”.

Pas këtij institucioni, gazetarja e emisionit “Stop” u interesua pranë QKB, ku punonjësja shpjegoi se urdhri për të pasur inxhinier mekanik nuk kërkohet prej tyre, por u vjen nga Drejtoria e Transporteve.

“Nga Transporti ne na vijnë në QKB për subjekte që janë ankuar. Ne kemi listën paraprake që i paraqesim çdo subjekti kur do të pajiset me licenca të ndryshme si shit-blerja e mjeteve, ose me targat prova që janë. Dhe pika e parë që duhet të kenë është dëshmia e aftësisë profesionale, pra drejtuesi teknik. Urdhri është nga Transporti. Ne pranojmë çdo lloj dokumenti pavarësisht me dokumentacion të plotë apo jo. Pastaj është QKB qendër që vendos është në rregull kjo listë dokumentesh apo jo. Në të kundërt refuzohet”.

Sërish, askush nuk na dha një përgjigje përse duhet që tregtarët e makinave të përdorura duhet të kenë edhe inxhinier mekanik për të garantuar që mjeti është në gjendje të dalë në rrugë, kur ky proces kryhet me detyrim nga kontrolli teknik në pikat e kolaudimit të automjeteve.