Stop – Emisioni 12 Korrik 2023 (Sezoni 8)
Stop Tv Klan | Një format satiro-investigativ nga Saimir Kodra & Gentian Zenelaj.
Një vit “politika alla Stop”, momentet pikante
Politika me bëmat e saj kanë zënë vend gjatë këtij sezoni të transmetimit të “Stop”, për më tepër, që ky vit ishte dhe vit zgjedhor. Shumë nga momentet e batutave politike kanë shkaktuar humor dhe situata në studio, më pikantet prej të cilave, i sjellim të përmbledhura në versionin “alla Stop”.
Fituan gjyqet por nuk marrin dot shtëpitë. Saga e 17 familjeve të Unazës së Re me ndërtuesin Namik Pelivani
Për historinë e të paktën 17 familjeve në zonën e Unazës së Re në Tiranë, emisioni “Stop” në Tv Klan e ka trajtuar disa herë.
Namik Pelivani, në rolin e ndërtuesit, do të ndërtonte një pallat dhe në këmbim u mori banorëve shtëpitë.
Por ai nuk iu përmbajt kontratave që lidhi në vitin 2009 dhe hyrjet si dhe njësitë e shërbimit ua shiti personave të tjerë.
Banorët u detyruan të kërkonin drejtësi, por edhe pse disa vendime janë bërë të ekzekutueshme, objektet kanë pronarë të tjerë.
Për ndërtuesin është folur shumë në media, por nuk dihet fati i tij.
Muradie Pashaj tregon se ka tre vendime gjykate, por ka marrë vetëm dy hyrje. Për të tretën është në gjyq me blerësin tjetër.
Muradie Pashaj: Me 3 vendime gjykate kam marrë vetëm 2 banesa, të tretën e kam në ekzekutim po e gjetur të bllokuar se e ka tjetërsuar hyrjen. Domethënë që sot prapë jam në gjyq me blerësin tjetër dhe e kam fituar në Shkallë të Parë. Më ka çuar në Apel. Apeli ma rrëzoi, e lëshoi për shqyrtim prapë në një kohë që z.Pelivani nuk na përgjigjet në mënyrë absolute me asnjë gjë. E fitova gjyqin, bëra ekzekutimin, tani prapë vazhdojmë në gjyq. Apartamentet i zotëroj fizikisht, nuk kam certifikatë pronësie, ja ka dhënë tjetërkujt, hipotekat ja u ka dhënë këtyre që ka hapur gropën dhe që kanë vënë mermerin. Në një kohë që unë në kontratë e kam që në momentin që të përfundojë pallati në vendin ekzistues do të marr 3 hyrje 2+1 dhe një hyrje 55 m2 dhe dy dyqane. Dyqanin më ka dhënë çelësin, e hapa me përmbarues, mora çelësin, pas 2 muajsh kam shkuar e kam gjetur bravën të bllokuar. E ka bllokuar se ja ka shitur tjetërkujt.
Banorët e tjerë thonë se gjykatat e të gjitha shkallëve e detyrojnë ndërtuesin Namik Pelivani të zbatojë kontratën. Edhe pse disa vendime janë bërë të ekzekutueshme, pronarët e vërtetë i zotërojnë objektet vetëm fizikisht, pasi në letra hipotekore pronarë janë palët e treta, që po ashtu u janë drejtuar rrugëve gjyqësore.
Elida Gjoni: Kam pasur shtëpinë 2-katëshe, kemi qenë në proces legalizimi. Na erdhi Namik Pelivani. Në fillim fare nuk deshëm që ta jepnim sepse e dinim se kush ishte. Pastaj ai u fut me mashtrim. Është futur duke mashtruar banorët një e nga një edhe si përfundim arriti t’i mashtrojë banorët. Ka dhënë 2 shtëpi në katin e dytë për mua, një dyqan 50 metra në pjesën lindore, por jo të përcaktuar në planimetri. Kjo akt-marrëveshje është lidhur në 2009. Ky nuk u kap asnjëherë, ikni fitojeni me gjyq nuk ju jap asgjë. Fajin e kanë edhe avokatët që kemi ne që mashtrojnë, edhe gjykata. Unë prandaj vajta në gjykatë. Gjykata vendosi të zbatohet akt-marrëveshja. Z.Namik Pelivani është në Sarandë që ndërton hotele dhe ndërton shtëpi dhe ne kemi shkuar në Prokurori disa herë. Edhe prokurorët marrin lekë. Kam 15 vite që shkoj rrugëve dhe asgjë nuk kanë zgjidhur. Unë jetoj me qira këtu te Unaza e Re, burrin e kam me qira, fëmijët i kam rrugëve.
Petrit Rasha: Edhe unë jam me vendime gjyqësore, janë bërë dhe ekzekutimet, por prapë sot më rezultojnë në kartelat e pasurisë ai i ka vënë në emrat e tjetërkujt. Kemi shkuar edhe në Hipotekë, atje nuk të jep kush përgjigje. Me këtë punë duhet të merren autoritetet.
E teksa banorët po presin të marrin pronat e tyre sipas kontratës dhe sorollaten rrugëve prej vitesh, ndërtuesi Namik Pelivani vazhdon të ndërtojë në qytetin e Sarandës.
Blen dhe shlyen apartamentin, fiton dhe gjyqin, Kadastra nuk ia regjistron
Emisioni Stop në Tv Klan ka trajtuar problematikën e një zonje në rrugën “5 Maj” në Tiranë, e cila prej më shumë se 20 vjetësh ka blerë apartamentin dhe e ka shlyer.
Por për shkak të problemeve me ndërtuesin, zonja Hanke Pasha nuk është pajisur me certifikatë pronësie.
Ajo e ka fituar me gjyq të drejtën e regjistrimit të pronës, por Kadastra nuk e ekzekuton, pasi ia ka futur emrin te kufizimet.
Hanke Pasha: Kam blerë shtëpinë time, e kam likujduar totalisht, por sot e kësaj dite nuk jam akoma pronarja e shtëpisë me certifikatë pronësie për arsye se kam pasur probleme me pronarin dhe tani kam avokat, kam fituar të drejtën në gjyq me të gjitha vendimet dhe ja kam dërguar Hipotekës dhe Hipoteka më thotë që ti je e pjesshme, nuk është e drejta jote totale. Ku është arsyeja? Unë nuk e di. Shtëpinë e kam të blerë që në themele që në 2001, paguaj drita e ujë, jetoj vetë që në 2001 në këtë shtëpi. Vijon të jetë në emër të ndërtuesit. Unë jam e pjesshme, nuk jam pronare e shtëpisë. Vendimi i gjykatës më njeh mua pronare të shtëpisë. Hipoteka më thotë është e pjesshme.
Gazetarja e “Stop” mori kontakt me personat përgjegjës në Drejtorinë Rajonale të Tirana Veri në Drejtorinë e Përgjithshme të Kadastrës, të cilët nisën procedurat për regjistrimin e apartamentit të zonjës Hanke Pasha.
/tvklan.al