Shkolla filloi, por shkollat e librat nuk janë gati…?!

Në redaksinë e emisionit “Stop” ka mbërritur një video, që tregon, se shkolla e re në njësinë administrative Sheldë të Shkodrës është e kycur, ndërsa në shkollën e vjetër, prindërit refuzojnë të dërgojnë fëmijët.Në shkollën “Mihal Grameno” në Tiranë është shitur libri i italishtes pa pullë, ndërsa në shkollën “Gjon Buzuku” harta memece dhe gjeografia janë tregtuar sërish pa pullë.Drejtuesit e shkollave thonë, se këto tekste do t’i kthehen distributorit.

Odiseja për regjistrimin e fëmijës në cerdhe dhe bllofi i drejtoreshës.

Florida Karai u ankua në emisionin “Stop” se nuk i regjistrojnë djalin 17 muajsh në çerdhe. Ajo u shpreh se është sërish në pritje të ëmbël dhe e ka të pamundur të përballojë mbajtjen e dy fëmijëve të vegjël, ndaj çerdhen e ka domosdoshmëri.

“Së shpejti pres një foshnje, një ëngjëll. Kam dhe një fëmijë 17 muajsh. Por unë nuk jam në gjendje t’i përballoj të dy. Iu drejtova çerdhes numër 35 “Filizat”, që është pak më poshtë lagjes ku unë banoj. Më kërkuan disa dokumente dhe më thanë që çdo gjë do të shkojë në rregull. E kam regjistruar që në 22 Qershor dhe më thanë që në fillim ose në mes të gushtit të interesohesha nëse ishte regjistruar”, tregoi Florida.

Drejtoresha e çerdhes numër 35, “Filizat” vijonte t’i thoshte se nuk kanë shkuar listat e plota të regjistrimeve. Por denoncuesja u shpreh se në këtë çerdhe janë regjistruar edhe banorë të lagjeve të tjera të Tiranës.

“Unë dyshoj që ajo as me listat që do të vijnë në Shtator nuk ka për të ma regjistruar”, tha e zhgënjyer Florida Karai.

Ndaj kamera e fshehtë e emisionit “Stop” sëbashku me denoncuesen u përballën me drejtoreshën e çerdhes, e cila tha se emri i djalit nuk është në listën e regjistrimeve dhe se nuk ka shtretër.

Drejtoresha e çerdhes – Si je? Si kalove? Si ke qenë?

Qytetarja – Mirë!

Drejtoresha e çerdhes – Hë! Më thuaj!

Qytetarja – Tani, unë kam ardhur për djalin se s’më premton më as koha, s’kam kujt t’ja lë dhe as nuk ka kush të më interesohet më për të.

Drejtoresha e çerdhes – Po mirë, tani ça kërkon prej meje? Mua më ka ardhur një listë e tillë. Shikoji! Hidhi një sy! Nëqoftëse është emri i djalit tënd, urgjentisht do fillojë çerdhen.

Qytetarja – Unë jam dakord, po tani që nuk ka dal emri ça mund të bëj unë? Sepse kur kam ardhur në fillim më kanë thënë se 90 përqind e sigurt…

Drejtoresha e çerdhes – Këtë po më diskutoje edhe në telefon. Mua ça më kanë ardhur, i kam respektuar rregullat e drejtorisë. Kaq kapacitet ka çerdhja. Nëqoftëse do lirohet ndonjë dhomë, më mbrapa do të marrim në telefon. Kaq vende të lira janë. Kaq fëmijë ikin në kopsht.

Qytetarja – Si i bëhet se as vitin tjetër, do bëj sivjet dhe ta regjistroj pas dy vjetësh unë?

Drejtoresha e çerdhes – Jo, jo! Nuk të thashë ta regjistrosh tani dhe të vijë pas dy vjetësh. Unë po të them që kapacitetet për në këtë çerdhe kaq janë. Shumë vështirë është për krevate, për vende, shumë vështirë është…

Por kur përballet me gazetaren e emisionit “Stop” drejtoresha ndryshon 180 gradë pozicionin. Sipas saj, askush nuk është refuzuar dhe kapaciteti i çerdhes është i mjaftueshëm.

Drejtoresha e çerdhes – Në fazën e përgatitjes jemi, po presim urdhrin kur do vijë kontigjenti i ri i fëmijëve. Ka ardhur një pjesë e listës së regjistrimeve të reja. Presim edhe një listë tjetër.

Gazetarja – Deri në këto momente sa është numri i fëmijëve të regjistruar?

Drejtoresha e çerdhes – Ato që kanë aplikuar apo ato që kanë ardhur?

Gazetarja – Që janë pranuar.

Drejtoresha e çerdhes – Janë 56.

Gazetarja – Janë 56. Kapaciteti juaj sa është për të pritur?

Drejtoresha e çerdhes – Deri tek 110. Ato që janë të regjistruar kanë shtratin e tyre.

Gazetarja – Ka persona të regjistruar, edhe pse nuk janë banorë të lagjes nr 9?

Drejtoresha e çerdhes – Si, si?

Gazetarja – A ka fëmijë…?

Drejtoresha e çerdhes – Po, ka pasur raste, atyre që për efekt të vendeve të punës, që janë këtu në këtë zonë, ju ka interesuar për të bërë edhe këtu, edhe tek ajo zonë që janë.

Gazetara – A ka raste refuzimi?

Drejtoresha e çerdhes – Nga kush, nga pala?

Gazetarja – Nga ju, që po themi për mungesë krevati?

Drejtoresha e çerdhes – Jo, jo, jo!

Gazetarja – S’ka ëëë?

Drejtoresha e çerdhes – Jo, nuk ka pasur raste.

Gazetarja – Ok! Sepse unë në fakt kisha disa ankesa nga disa prindër të ndryshëm, që kanë ardhur për të regjistuar fëmijët e tyre dhe i kanë thënë që nuk kemi kapacitetin e mjaftueshëm, d.m.th…

Drejtoresha e çerdhes – Kur e kanë thënë këtë? Kush janë këta prindër? Se paraprakisht duhet të vinin tek unë njëherë, pastaj duhet të vinin tek ju, të ankoheshin!

Por si kjo nënë ka edhe të tjera, që kanë vështirësi në regjistrimin e fëmijëve të tyre në çerdhe apo kopshte.

Moderatorët e emisionit “Stop” thanë se çerdhet dhe shkollat private nuk mund të përballohen nga të gjitha familjet shqiptare, pasi jo të gjithë kanë gjendje të mirë ekonomike. Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj u shprehën se arsimi shtetëror duhet të ofrojë më shumë kushte për fëmijët.

Kamera e “Stop” për vërtetimin si i përndjekur, procedohen 4 persona.

Një ditë më parë emisioni “Stop” tregoi, nëpërmjet kamerës së fshehtë, sesi bëhej tregti me dëshmitë e të përndjekurve politikë.

Policia e Tiranës nisi procedimin penal ndaj 4 përfaqësuesve të Shoqatës së ish të Përndjekurve, të cilët shisnin vërtetime për përndjekje nga regjimi komunist për 20 mijë lekë të reja, me qëllim përfitimin e azilit politik jashtë Shqipërisë.

Procedimi penal filloi për kryetarin e Shoqatës Kombëtare të të Dënuarve Politikë, Ylvi Komtin, Agron Talon që shfaqet në video duke marrë paratë dhe duke dorëzuar vërtetimin, si dhe ndaj sekretares, me iniciale L.Z. dhe recepsionistit të shoqatës, me iniciale B.S.

Të katër personat akuzohen për korrupsion pasiv në sektorin privat të kryer në bashkëpunim dhe falsifikim të dokumenteve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme.

Çfarë transmetoi mbrëmjen e kaluar emisioni “Stop” në lidhje me korrupsionin në Shoqatën e ish të Përndjekurve:

Një qytetar iu drejtua Shoqatës Kombëtare të ish-të Burgosurve dhe të Persekutuarve Politikë të Shqipërisë, për një dëshmi që do ta përdorë për azil politik jashtë vendit.

Kamera e fshehtë e emisionit “Stop” solli me zë dhe figurë sesi bëhet tregti me dëshmitë e ish-të përndjekurve politikë.

Qytetari – Ça bëre si je? Unë desha me marr diçka, një shkresë si i përndjekur.

Roja i shoqatës – Vërtetim?

Qytetari – Po! Për azil.

Roja i shoqatës – S’e ato s’jepen ashtu, vetëm kush ka status. Ta japin ato. Kanë një kuotë për dy-tre vjet, që paguan kuotat e atyre. A kupton? Vetëm nga shoqata mund ta marrësh.

Qytetari – S’bëhet fjalë me ndonjë të njohur të na nderojë, të na i bëj si nder?

Roja i shoqatës – Ore unë punoj ktu, jam i dënum vetë.

Qytetari – Njeh ndonjë shoqatë kshu?

Roja i shoqatës – Janë ato, po tani s’i ke ato. Janë këtu, te “1 Maji” rrinë ato.

Qytetari – “1 Maji”.

Roja i shoqatës – Ee…, është një Ylli, Ylli. Iku tani me gjithë atë sekretaren. Me një fjalë, si ta duash, e ciklos me të dhënat me një fjalë.

Qytetari – Thjesht ta bëjë ai sa më efikase, që unë të përfitoj atë që dua, se dua të marr azil.

Roja i shoqatës – Po të kuptoj, kuptoj. Hajde nesër në mëngjes këtu.

Qytetari – Ça ore?

Roja i shoqatës – Në orën 9:00.

Ditën tjetër:

Roja i shoqatës – Çkemi, ça bën?

Qytetari – Si të kam.

Roja i shoqatës – Fola një çikë me atë, çikë me atë… çunin.

Qytetari – Hëë…

Roja i shoqatës – Ky thotë e bëjmë, po janë ato kuotat që ç’paguajnë se s’bën… do shkojë ca lekë ajo.

Qytetari – Sa lekë?

Roja i shoqatës – Te 200 mijë lekshi. Si të quajnë ty?

Qytetari – xxxxx.

Roja i shoqatës – xxxx. Po mbiemri?

Qytetari – xxxxx.

Roja i shoqatës – Emri i babës?

Qytetari – xxxxx.

Pas negociatave fillimisht me rojen, qytetari pagoi 200 mijë lekë të vjetra dhe arriti të marrë dëshminë nga funksionari i shoqatës, Agron Talo.

Ky i fundit tha se paratë do t’i ndajë me persona të tjerë dhe se dokumente të tilla ka lëshuar për në Kanada, Australi, Francë etj.

Agron Talo – Si kalove? Mbaje, mbaje!

Qytetari – Apo qenkan dy, të njëjtat.

Agron Talo – E njëjta, e njëjta është, po e ke dy kopje.

Agron Talo – S’e di për Amerikë, këtë kemi dhënë për Kanada, për Australi, për në Francë, këto lloj dokumentesh kemi dhënë.

Qytetari – Vetëm këto?

Agron Talo – Vetëm kaq!

Qytetari – Këtë porosinë ta lej ty apo…?

Agron Talo – Po, po, porosinë po, porosinë! Porosia do shkojë andej-andej, do ndahet porosia. Nuk i numëroj unë, i numërove?

Qytetari- Jo, jo! Kaloji, kaloji të lutem! Rrofsh! Të falenderoj shumë!

Agron Talo – S’ka gjë fare, po të ashtu..,ndonjë gjë…

Qytetari – Do të them për çdo gjë tjetër që mund të më duhet.

Qytetari – Të falenderoj!

Agron Talo – S’ka gjë! Ma kalofsh mirë! Telefonin e ke, si qysh tek, ndonjë ashtu.

Moderatorët e emisionit “Stop”, Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj u shprehën se në çdo institucion nevojiten para për të marrë një vërtetim, certifikatë etj.