Rroftë 8 marsi! Gratë vërshojnë nëpër rrugë për festë.

Sot është 8 marsi dhe festën e gruas e urojnë në nisje të emisionit edhe Saimiri e Genti.Gazetarja e emisionit “Stop”, ka realizuar intervista me humor me gra, që festojnë në rrugë e restorante. Në ditën e 8 marsit, gratë kanë gjetur më shumë kohë për veten e kanë dalë të festojnë.

Me nanizëm e pa gjunjë, Stop zgjidh kempin për Naime Kocin.

Naime Koçi nga Burreli dhe e martuar në Tiranë në vitin 2016, tregon në “Stop” se është trajtuar me kemp prej 43 vjetësh. Pasi u zhvendos në Tiranë, Naimja aplikoi edhe këtu për kemp, por nuk ia njohën të drejtën.

Veç nanizmit, Naimja ka edhe një problem tjetër, që e bën të paaftë për punë. Ajo nuk ka gjunjë.

Mjeku specialist i Shërbimit Social Shtetëror, Edmond Kallembi, thotë se fillimisht Naimes iu dha kempi pasi ishte shtatzënë dhe diagnostikimet e thella mund të dëmtonin fëmijën.

Pas lindjes, Naimja përsëriti kontrollet dhe mjeku ortoped e pa të përshtatshme për kemp, për shkak të mungesës së kockave. Gazetarja e “Stop” iu drejtua Kempit Epror dhe pas shumë burokracive, Naime Koci mundi të sigurojë kempin.

“Jam një qytetare nga Burreli, jam trajtuar me kemp për 43 vjet. Në 2016-n nga Burreli zhvendosem dhe vij në Tiranë, martohem në Tiranë. Vij tek Kempi Epror dhe më thonë që kempi nuk të takon, sepse je një njeri normal. Nga brezi e lart me më parë njeri normal i dukem, por me më parë nga mesi e poshtë, unë nuk mund të eci. Unë eci 10 metra dhe ulem. Këto (këmbët) janë thjeshtë dy shkopa pa gjunjë fare”.

Ajo shpreh habi sesi është e mundur që nuk përfiton kemp, në një kohë që nuk ka këmbë, nuk ka gjunjë.

“Nuk bëhet fjalë që jam e shkurtër, por unë kam këmbët me probleme që nuk mund të eci. Nuk më mbajnë trupin. Unë bëj dy hapa dhe ulem sepse nuk mund të eci. Si ma heqin pensionin… asnjë punë nuk mund të bëj, çfarë punë mund të bëj unë. Pa shkollë, gjë jo, si mund të punoj unë”.

Çfarë kërkon Naimja?

“Kërkoj të marr vetëm atë kemp, të haj një copë bukë dhe unë si gjithë të tjerët, se nuk kam ku përplasem, ku të ha bukë… nuk ka kush të më japë”.

Për rastin në fjalë, gazetarja e Stop iu drejtua Shërbimit Social Shtetëror.

“Fillimisht është trajtuar nga KMCAP-i rajonal Mat për gati 3 vjet me këtë diagnozë, duke qenë brenda kriterit. Më pas ka vazhduar të trajtohet nga KMCAP-i Mat, deri më 6/4/2016 dhe vetë KMCAP-i Rajonal Mat e nis dosjen në KMCAP Epror, pasi nuk mori një vendim pozitiv për përfitim me diagnozën nanizëm hipofizar. Dosja vjen në KMCAP-in Epror, ndërkohë zonja ishte shtatzënë. Duke parë që zonja është shtatzënë, sepse duhet të jepte një sërë konsultash, ekzaminimesh që mund të dëmtonin fetusin tek zonja, i rekomandon 1 vit përfitim dhe gjatë kësaj periudhe të bëjë të gjitha konsultat e nevojshme ortopedike dhe gjenetike, për të konfirmuar që ky nanizëm hipofizar shoqërohet me patologji të tjera apo jo. Nga Mjeku Ortoped shënohet vetëm diagnoza nanimëz hipofizar. Vetëm me nanimëz hipofizar nuk përfshihet në kriteret e përfitimit. Nëse zonja ngre pretendimet që krahas nanizmit hipofizar, ka edhe probleme të tjera mjekësore, sidomos të lëvizjes, kockave, këto duhet të vijnë patjetër nga mjekët specialistë, të shkruajtura dhe me shkresë, të nisura zyrtarisht. Këtë gjë e bën Konsulta Ortopedike pranë QSUT”, shpjegon Edmond Kallembi, Mjeku Specialist pranë Shërbimit Social Shtetëror.

Pra zonja Naime Koçi është vlerësuar nga komisioni vetëm për diagnozën nanimëz hipofizar dhe sipas kësaj diagnoze, duke iu referuar ligjit në fuqi, nuk përfiton kemp. Dhe e dini përse? Sepse nuk plotëson kriteret dhe është pa grup. Ndërkohë për problemet që ka me kockat dhe peshën e trupit, kjo nuk është identifikuar nga mjeku specialist dhe për këtë arsye, ajo duhet që t’i drejtohet Komisionit Mjekoligjor në QSUT që të ridiagnostifikohet.

Dhe kështu, zonja Koçi iu drejtua spitalit për t’i ridiagnostikuar.

“Shkova tek Spitali Ushtarak. Aty takova Rezart Çipin. Ai më tha që si ka mundësi, sepse ty të takon sezbën, sepse është sëmundje shumë, shumë e rrallë, nuk e kam parë në Shqipëri. Sa i përket kockës, mjeku nuk diti që ta përcaktonte se çfarë diagnoze kishte, sepse nuk kemi parë kurrë kështu, më tha. Kanë mbajtur fotografitë për kuriozitet. Mjekësia nuk kishte parë si rasti im, këmbë pa gjunjë. Ty tha, të takon kempi sezbën. Tani unë do të pres të gjitha letrat që kanë bërë, sepse më kanë thënë për t’i çuar në Kemp Epror… sepse unë i kam këmbët pa gjunjë.”

Gazetarja e Stop shkoi më pas në KMCAP-in Epror.

Punonjësja-Në Drejtorinë e Tiranës, si duket ia kanë kthyer dhe ia kanë sjellë për Kemp Epror.

Qytetarja-Nuk të takon i thanë, sepse je e shkurtër!

Specialisti-Po mirë o…i kanë thënë nuk të takon, normalisht ka dalë në Kemp Epror.

Qytetari-Si more zotëri, kjo nuk ka gjunjë! Si nuk i takon?

Specialisti-Po s’jam unë doktori që e kam dhënë atë vendim.

Punonjësja-Pra duhet të flasësh me doktorin vetë!

Qytetarja-I bie që të vij të hënën?

Punonjësja-Nga java tjetër!

Specialisti-Kalo nga e hëna dhe është doktori këtu!

Qytetarja-Në rregull! Ok, faleminderit!

Specialisti-Doktori që merret do t’ju informojë për kempin. Kaq informacion më dhanë specialistët, që merren me këtë rast.

Qytetarja-Ok, faleminderit!

Gazetarja u largua nga ky institucion pasi mjeku specialist për këtë rast nuk ndodhej aty. Ai kishte disa ditë që ishte larguar jashtë vendit. Pasi u rikthye, gazetarja e Stop u takua me mjekun.

Mjeku-Shiko unë jam ky që jam! Jam njeri, jam mjek! Nuk jemi gogola ne. Më fal që po ta them, por po dalim gogola ne, saqë edhe bashkëshortja mua më thotë, more burrë, çfarë janë këto? Po si mendon, se nuk duam ne?

Gazetarja-Në qoftë se i takon, ti do t’ia japësh. Kaq!

Mjeku-Po patjetër mo!

Stafi i emisionit Stop e ndoqi çështjen e zonjës Koçi për të paktën 3 muaj. Vetëm në fillim të muajit Shkurt, gazetarja i dha qytetares lajmin e mirë se iu miratua kempi.

Fier, Stop e Fundjava bëjnë me shtëpi të re familjen Buzarakaj.

Në fillim të muajit Shkurt emisioni “Stop” transmetoi rastin e familjes së Migena Buzarakaj. Ajo jetonte me 4 fëmijët e saj nga 4 deri në 8 vjeç, në një dhomë të vetme me lagështirë, në fshatin Kashisht, liruar nga një i afërm.

Bashkëshorti kishte ndërruar jetë nga kanceri disa muaj më parë. “Tani jam vetëm unë dhe 4 fëmijët e mi, sepse burri po bën tre muaj që ka vdekur nga një sëmundje e keqe. Është shumë e vështirë. Nuk kam as shtëpi as asnjë gjë. Të rrish tek shtëpia e tjetrit është shumë e vështirë, por kur s’ke ku të fusësh kokën, kur s’ke ku të çosh fëmijët… Sikur të kisha një dhomë ku të fus kokën, sepse fëmijët i kam të sëmurë nga laringu. I bej aparatin në mëngjes dhe në darkë. Ngela dyerve të spitaleve, para një jave e kisha gocën e shtruar me ftohje. Dritares i kemi vënë plasmas sepse futet shiu brenda. Plasmasi bën zhurmë dhe këta tremben, por i gënjej ashtu siç di vetë. Ça do bëj? Do bëhem e fortë. Për momentin ne nuk kemi asnjë gjë për të ngrënë. (Fëmijët) kërkojnë të hanë. U them do të të bëjë mami më vonë, dale se mami ka këtë punën në dorë… i gënjej që të harrojnë. Se kur s’kam, ça do t’u jap, ky ishte fati jonë”, thoshte Migena një muaj më parë.

Emisioni “Stop” dhe “Fundjavë Ndryshe” u kthyen në Fier për të përuruar shtëpinë e re të Migenës dhe fëmijëve të saj, mundësuar nga një shqiptar nga Llojani i Kumanovës, ndërsa arredimi nga institucioni financiar FAF.

Arbër Hajdari, Fundjavë Ndryshe: Migena, kjo është shtëpia juaj. Është shtëpi e madhe dhe ne kemi menduar të jetë e madhe, që të mos jesh vetëm, por të jetosh me njerëzit e tu për shkak të fëmijëve. Apartamenti është i ri, tani do ju tregoj edhe dhomat e tjera. Këtu kemi bërë kuzhinën, atje është ballkoni, këtu është këndi i ngrënies. Shtëpia ka dy banja.

Gazetarja: E kishe menduar se do të kishe një dhomë kaq të bukur?

Djali i Migenës: Jo!

Gazetarja: Të pëlqen?

Djali i Migenës: Po, shumë.

Migena Buzarakaj: Tani ndihem shumë e lumtur. Edhe pse kam dhimbje në shpirt, tani ndihem shumë e lumtur. I falënderoj të gjithë. Nuk kam fjalë ta përshkruaj sa e lumtur jam, ju falënderoj të gjithëve.

Arbër Hajdari, Fundjavë Ndryshe: Për familjen tënde ka kontribuar një shqiptar i Kumanovës dhe institucioni FAF. Gjej rastin t’i falënderoj për gjithë këtë shtëpi që është blerë për ty dhe familjen tënde dhe shpresoj që të kenë marrë fund dhimbjet tuaja si dhe të bëhesh e fortë për të rritur fëmijët, sepse Zoti t’i ka dhënë dhe janë bereqet i madh. Kjo shtëpi është e jotja, ky është çelësi i shtëpisë. Ta gëzosh.

Babai i Migenës u ngrit në këmbë dhe mes lotësh falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar.”Ju ndihmoftë zoti të gjithëve”.

Ndërsa nëna e saj tha se “sot që i kanë rregulluar këto ndihem më lehtë, shumë faleminderit juve në radhë të parë. Zoti ju ndihmoftë të gjithëve ju që i hodhët sytë nga ne.”

Drejtuesit e Emisionit “Stop”, Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj falënderuan përzemërsisht shqiptarin nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut, i cili megjithëse kishte investuar një shumë të madhe parash për blerjen e shtëpisë, kishte kërkuar të mbeste anonim. “Lum nëna që të ka”, tha Saimir Kodra.