Dita e verës, festë në Elbasan, kryeqytetin e 14 marsit.

Dita e verës është festuar sot në Elbasan. Gazetarja e emisionit ‘Stop” ishte në kryeqytetin e kësaj feste, ngaku solli detajet më pikante. Vec kësaj, grupi i xhirimit të “Stop” organizoi edhe miss ballokumin, për atë që hëngri më shpejt ëmbëlsirën tradicionale të kësaj dite.

Në rrugë prej ditësh, “Stop” kthen në punë punonjësit e fabrikës së këpucëve.

“Emisioni” Stop në Tv Klan ka zgjidhur problemin mes punonjësve dhe drejtuesve të fabrikës së këpucëve “Endi shpk” në Shkozet të Durrësit. Punonjësit ankohen se ata asnjëherë nuk marrin të plotë rrogën për të cilën kanë rënë dakord, pasi nuk punojnë çdo ditë të muajit.

Sipas tyre, kompania u thotë se nuk ka pasur punë e për këtë arsye i ka lënë pushim në ditë të caktuara. Rrjedhimisht, rrogën e marrin vetëm për ditët që kanë punuar. Ndër të tjera, ata u ankuan edhe për kushtet e punës.

“Ka 2 vjet që punoj këtu. Unë paguhem 290 mijë Lekë të vjetra, por ne kemi pengesë me ditët sepse na lënë pa punë. Kur s’ka punë na thonë rrini në shtëpi. Na reduktohet pagesa”.

“Unë e kam pagesën 310 mijë Lekë dhe zakonisht nuk i marr as 250 sepse më mungojnë ditët nga puna”.

“Pagesën e kam 290 mijë Lekë të vjetra, kam marrë 250, 240”.

Gazetarja e “Stop” komunikoi me përgjegjësin ekonomik të kompanisë, Alfred Hamzallari, i cili tha se punonjësit kërkojnë rritje page dhe jo punë. Ai pranoi kërkesën e gazetares së Stop që të bënte një ballafaqim me punonjësit.

BALLAFAQIMI:

Përgjegjësi ekonomik: Ju jeni bërë bllok për rritje rroge, të gjithë bashkë.

Punonjësit: Ne nuk kemi dashur të largohemi nga puna. Të marrim 310 mijë Lekëshin që na takon.

Përgjegjësi ekonomik: Po nëse do punosh 26 ditë do marrësh.

Punonjësit: Po nëse më le ti në shtëpi ku do punoj?

Përgjegjësi ekonomik: S’ka pasur fabrika punë. Fare! Këta janë bërë bllok për të rritur rrogën, këta s’duan punë.

Gazetarja: Nuk duan rritje rroge, duan rrogën e tyre. Duan 300 mijë Lekëshin e vetë.

Përgjegjësi ekonomik: Duhet të punosh të marrësh.

Gazetarja: Po kërkoni rritje rroge apo pagesën tuaj 300 mijë Lekëshin?

Punonjësit: Pagesën tonë edhe kushtet.

Gazetarja: Mund të uleni që ta bisedoni edhe ta zgjidhni problemin?

Përgjegjësi ekonomik: Me kë? Me këta? Këta s’duan të punojnë.

Punonjës: Jam punonjës i ri. Kontratën e kam firmosur me ato kushte që më kanë thënë. Më kanë caktuar rrogën 270 mijë Lekë. Shkurtin 4 ditë e kam bërë pushim. S’ka pasur punë. Unë kur t’i marr 200 mijë Lekë.

Gazertarja – përgjegjësit ekonomik: Rritje rroge po kërkon ky?

Përgjegjësi ekonomik: Tani e drodhën këta!

Gazetarja: Është e vërtetë që nuk vendosen maska, nuk ka kushte? Është e vërtetë që nuk ndizet aspiratori?

Përgjegjësi ekonomik: Jo!

Punonjësit: Nuk ndizet.

Përgjegjësi ekonomik: E kërkoni ndezjen.

Gazetarja: Si do ta zgjidhim.

Përgjegjësi ekonomik: Në bazë të ligjit. Në gjyq, do jemi përballë aty.

Por insistimi i gazetares së emisionit “Stop” dhe ndërmjetësimi i saj bëri që situata të merrte zgjidhje. Përgjegjësi ekonomik pranoi rikthimin në punë të punonjësve me kontratën ekzistuese. Nga ana tjetër, punonjësit pranuan kushtet.

PAS NDËRMJETËSIMIT TË STOP:

Përgjegjësi ekonomik: Do rifilloni punë. Nesër në mëngjes do t’ju rilexojmë kontratën nga e para. Kush shkel një presje të kontratën do iki nga puna.

Punonjësit: Jemi shumë dakord.

Gazetarja: Ja dhe dialogu…

Përgjegjësi ekonomik: Do vini nesër po në bllok s’ka më rritje rroge.

Gazetarja: Ky problem u zgjidh?

Përgjegjësi ekonomik: Po!

Punonjës: Unë e falenderoj shumë Stopin që dha një rrugëzgjidhje.

Pallati i Kulturës Kamëz, fizioterapistja punon në bibliotekë?!

Pallati i Kulturës në Kamëz është inauguruar në vitin 2013, por funksionoi deri në vitin 2015. Në janar të vitit 2016 specialistët u zëvendësuan me punonjës të pakualifikuar. Sot biblioteka pothuaj nuk hapet, ndërsa jashtë pallatit të kulturës të moshuarit luajnë domino, ndërsa artistë amatorë u bien veglave.

Nga Janari i vitit 2016 Pallati i Kulturës ndryshoi dhe humbi funksionin parësor atë për të sjellë art dhe kulturë për bashkinë e Kamzës. Biblioteka gjithashtu është e mbyllur. Burime për emisionin “Stop” bëjnë me dije se specialistët që punonin deri në vitin 2015 u shkarkuan dhe në vitin 2016 u zëvendësuan me persona që nuk kanë lidhje me artin dhe kulturën.

Drejtori Baftjar Qera, pranon se punonjësja e bibliotekës është fizioterapiste dhe ai ka 4 punonjës në të gjithë institucionin.

Drejtori: Biblioteka ka një fond rreth 2000 libra, ka një punonjëse, e cila ka njëfarë orari, ja përshembull tani ajo nuk është aty, vjen me orar ajo, me një fjalë, që rri.

Gazetarja: Kur vjen ajo?

Drejtori: Ajo vjen 4 me 7.

Drejtori: Po nuk ka biblioteka gjithë ditën hapur, moj ti, zonjë. Biblioteka nuk rri hapur gjithë ditën.

Gazetarja: Pse nuk rri hapur gjithë ditën?

Drejtori: Biblioteka jonë është në kat të katërt.., kat të tretë dhe ne nuk mund ta lemë pallatin hapur, ti e sheh ça ambienti është këtu. Nuk është në kat të parë, që t’i hapim një derë të veçantë. Ky është një defekt, që me thënë të drejtën, ne kemi vazhduar ta diskutojmë, po për shkak të ndërtimit të Pallatit të Kulturës, nuk kemi ku e çojmë, nuk e ka krijuar këtë funksionin, që të jetë diku tjetër.

Drejtori: Nuk kemi, ku e çojmë fare bibliotekën në një vend, që të jetë direkt, të hyjë nga bulevardi.

Gazetarja: Në 2015-ën kanë ndodhur disa ndryshime dhe specialistët e kulturës janë pushuar nga puna dhe janë zëvendësuar me fizioterapistë. Është fizioterapiste kjo?

Drejtori: Po, kjo është fizioterapiste, kjo është e vërtetë, është si punonjëse e bibliotekës.

Gazetarja: Po të tjerët?

Drejtori: Unë jam drejtori, kam një fonist, kam një specialist skenograf edhe një pastruese.

Të gjithë punonjësit që kanë punuar nga viti 2013 deri në vitin 2015 janë pushuar në Janar të vitit 2016.