STOP – EMISIONI 142 (SEZONI 4) – TV KLAN

STOP – EMISIONI 142 (SEZONI 4)

Emision: 31.03.2019

Shqiptarët të parët për azil/ kumti nga Shkodra i Monika Kryemadhit.

Dita e sotme njihet edhe si festa e babait. Në Kamëz nuk punon sistemi, ndaj nuk mund të marrësh as edhe një certifikatë.Monika Kryemadhi ishte në Shkodër, ngaku tha, se shqiptarët po pinë qumësht pluhur nga Serbia e baxhot e vendit po falimetohen qëllimisht.Në një studim të Eurostat rezulton, se Shqipëria mban vendin e parë për numrin e aplikimeve për azil në Europë, duke lënë pas edhe vendet në konflikt.

Mashtrimi i drejtoreshës së spitalit, merr 5 mijë euro për një specializim.

Një qytetar nga Tropoja denoncon në “Stop” se ish-drejtoresha e spitalit, Naijle Baliaj i ka marrë 5 mijë euro ryshfet, për një specializim në Tiranë. Prej më shumë se dy vjetësh, personi nuk merr as paratë dhe as specializimin e premtuar.

Me kamera të fshehtë, ish-drejtoresha pranon paratë që ka marrë dhe premton t’i kthejë pas një muaji. Por edhe pas një muaji, zonja nuk e kthen detyrimin. Qytetari denoncues thotë se nuk është i vetmi i mashtruar nga zonja Baliaj.

Në një telefonatë me gazetarin e emisionit, ish-drejtoresha fillimisht mohon kategorikisht që ka marrë këtë shumë. Më pas thotë se e ka marrë borxh për shkak, se ka vëllain sëmurë.

“Jam nga Tropoja. I drejtohem emisionit Stop për të denoncuar ish-drejtoreshën e spitalit të Tropojës, Naijle Baliaj. Kur ishte drejtoreshë një të afërmi tim i ka kërkuar 5 mijë euro për specializim këtu në Tiranë, pasi është mjek në spitalin e Tropojës. Ne kemi plotësuar disa letra, me firmë, procedura të rregullta. Por pasi morëm vesh që ky ishte një mashtrim, sepse u vonua më shumë se dy vite e kusur dhe ajo është larguar nga Tropoja. Tani edhe ato 5 mijë eurosh që i kemi dhënë, ajo nuk na i kthen mbrapsht. Ajo shprehimisht te familjarët e mi tha që këtë 5 mijë eurosh, ose mund ta paguash në fund ose m’i jep mua në fillim që të mos lodhet familjari im. Me mirëbesim ia dhamë brenda ambientit të spitalit, me pretendimin që të vazhdojë specializimin. Vetë drejtori i spitalit të një rrethi e ka të drejtën e vet që të marrë mjekë dhe t’i çojë për specializim në kryeqytet”, tregon për Stop denoncuesi.

Më tej ai shprehet se ka bërë disa takime me ish-drejtoreshën. Ajo e pranon faktin që i ka mashtruar dhe thotë që do t’i kthejë eurot që u detyrohet. Kjo vërtetohet edhe në bisedën më poshtë mes denoncuesit dhe ish-drejtoreshës.

Denoncuesi-Si kalove shok? Naile, si kalove shok?

Ish-drejtoresha e Spitalit B.Curri-Mirë?

Denoncuesi-Ça bëre, a je mirë?

Ish-drejtoresha e Spitalit B.Curri-Vetëm mos thirr, se janë edhe familjarë të tjerë.

Denoncuesi-Tani, në lidhje me atë 5 mijë eurosh edhe një herë po ta them!

Ish-drejtoresha e Spitalit B.Curri-Po!

Denoncuesi-Ta di edhe unë!

Ish-drejtoresha e Spitalit B.Curri-Po të thash pra, sa të dalin rrogat, i ke 2500. 2500 muajin tjetër, ne a e lamë një herë?

Denoncuesi-Domethënë vetëm një muaj midis?

Ish-drejtoresha e Spitalit B.Curri-Po veç një muaj midis. Ne e lamë njëherë, siç e lejnë burrat, atë ditë?

Denoncuesi-Po ti më the gjysmën e parë.

Ish-drejtoresha e Spitalit B.Curri-Gjysmën e parë, sa të dalin rrogat.

Denoncuesi-Me çfarë date, se i dua me datë fikse, sepse unë kam….

Ish-drejtoresha e Spitalit B.Curri-Deri me 5 maksimumi, se varet ne i kemi pak përpara. E marrim rrogën, po i fus dhe një overdraft, biles po i marr dhe vërtetimin e këto dhe 2500 me datën 5 dhe 2500 me 5-n tjetër.

Denoncuesi-Këtë 5 mijëshe, siç ta kemi dhënë ne ty, që nuk u krye asnjë gjë…

Ish-drejtoresha e Spitalit B.Curri-Absolutisht! Rri pa merak!

Denoncuesi-Ashtu m’i kanë dhënë dhe mua. Atëherë unë u kam thënë njerëzve, që me na i dhënë ato 5 mijë euro edhe jam.., ma kanë sjellë këtu domethënë. Më kanë thënë ose me filan datë, ose… një pjesë të vogël, se këto pjesët, që kemi marrë nëpër njerëz…

Ish-drejtoresha e Spitalit B.Curri-Ok! E lamë ashtu. Ne ashtu e kemi lënë që atë ditë, po nuk e paskeni mbajtur mend.

Denoncuesi-Jo! Unë e mbaj tamam mend, por problemi është, që ti kur nuk ke mundur d.m.th, që…

Ish-drejtoresha e Spitalit B.Curri-Rri pa merak! Pa merak fare, fare!

Denoncuesi-Se u bëra 2 vjet që t’i kam dhënë.

Ish-drejtoresha e Spitalit B.Curri-Pa merak fare rri!

Denoncuesi-Po si moj pa merak, se duhet me u takuar me tjetrin? Për Zotin po më pret tjetri aty e më thotë hajde te rruga e Kavajës!

Ish-drejtoresha e Spitalit B.Curri-Me datën 5 t’i jap lekët! Shqip po të them! Me datën 5 tjetër të jap 2500. Dakord?!

“Sa herë bisedoj me të ka një skemë mashtrimi të sajën”, shprehet denoncuesi për Stop. Data 5 e muajit erdhi dhe ajo nuk ia ktheu paratë. Në këtë pikë ai i trokiti në derën e shtëpisë, në Tiranë.

Denoncuesi-Si ia kalove?

Ish-drejtoresha e Spitalit B.Curri-Mirë! Si ia çove ti? Hajde brenda!

Denoncuesi-Si je? Ke njerëz?

Ish-drejtoresha e Spitalit B.Curri-Kam njerëz, po…. futu!

Denoncuesi-U bë 2 vjet o Naile, që nuk po na jep lekët tona. 5 mijë euro, 7 milionë, nuk janë pak.

Ish-drejtoresha e Spitalit B.Curri-Më dëgjo mua…

Denoncuesi-Në qoftë se ti ia ke premtuar dikujt, t’i ka dhënë, në qoftë se nuk t’i jep ty ai personi tjetër, unë jam unë dhe shkoj e kontaktoj unë.

Ish-drejtoresha e Spitalit B.Curri-Jo more, se i rregulloj unë ato punë!

Denoncuesi-Në qoftë se…, unë e dua 5 mijë euroshin, që ta kemi dhënë ty!

Ish-drejtoresha e Spitalit B.Curri-Unë t’i jap ty!

Denoncuesi-Data 5 sot. Lë shumë takime pa bërë, që të vij më datë 5. Nuk kam shtëpinë time, po unë rri në hotel kur vij në Tiranë. Është 10 mijë lekë e shkuar e 15 hoteli, pavarësisht kafet e rrugët.

Ish-drejtoresha e Spitalit B.Curri-Nesër deri nga ora 3, po shihemi dhe po pimë kafe. Ja kam kërkuar 10 vetave për kokë të kësaj vajze.

Denoncuesi-O Naile a u bënë 2 vjet, që t’i kam dhënë 5 mijë euro?

Ish-drejtoresha e Spitalit B.Curri-Po, burrë!

Denoncuesi-Tani më vjen turp me të prit moj Naile, se data 5 sot. A ke thënë hajde më 5, a erdha me 5 Shkurt Naile?

Ish-drejtoresha e Spitalit B.Curri– Po!

Denoncuesi-Tani më thua nesër, nesër, nesër, u bën 2 vjet e gjysmë.

Ish-drejtoresha e Spitalit B.Curri-Ishalla po bëjmë diçka, burrë! Edhe unë kam qejf me t’i dhënë lekët tua, s’di ça të them.

Ndonëse përballë denoncuesit ish-drejtoresha e pranon që i detyrohet 5 mijë eurot për specializimin që nuk u bë kurrë, në bisedën telefonike me gazetarin e “Stop”, ajo e mohon këtë fakt.

Gazetari-Ka mbërritur një denoncim në redaksinë tonë në lidhje me ju. Ju keni qenë ish-drejtoreshë e spitalit Tropojë?

Ish-drejtoresha-Po!

Gazetari-Bajram Curr?

Ish-drejtoresha-Po, e ça problemi ka aty?

Gazetari-Po! Nga të afërmit e XXXX, të cilët pretendojnë që ju kanë dhënë 5 mijë euro në këmbim të një…le të themi specializimi në Tiranë, të kësaj mjekeje në spitalin e Bajram Currit. Sa e vërtetë është kjo?

Ish-drejtoresha-Kur ka mbërritur ai denoncimi? Jo! Nuk është aspak e vërtetë, mund të të takoj nga afër unë, ajo është një farë puçi, për të më dëmtuar në fakt.

Gazetari-Po pse?

Ish-drejtoresha-Një konflikt me të vëllain e asaj gocës.

Gazetari-Çfarë konflikti? Mund ta dimë, d.m.th, pasi ne duam që të marrim dy anët e medaljes, të jemi korrektë në atë çfarë po investigojmë.

Ish-drejtoresha-Unë do të bisedoj me ata tani, sepse nuk e kisha idenë, se për çfarë… Unë mendova se është një gjë, që është hequr nga puna nga drejtori që ka ardhur.

Gazetari-E kuptoj! D.m.th, ju mohoni kategorikisht që i keni marrë 5 mijë euro?

Ish-drejtoresha-Kategorikisht, absolutisht!

Gazetari-I vëllai i zonjushës pretendon, që ju ka takuar disa herë, madje ju e keni pranuar vetë faktin që i keni marrë këto 5 mijë eurot dhe do t’i kthenit 2500 euro si fillim, kësti i parë në datën 5 Shkurt në mos gaboj dhe më pas pjesën tjetër.

Ish-drejtoresha-Dëgjo zotëri! Unë kam një vëlla të sëmurë dhe ato lekë janë marrë borxh për spital dajës vet. Edhe unë shpresoj që të mos bëni ndonjë hap të gabuar, sepse unë nuk jam njeri pa njeri. Ju vërtetë keni qejf të bëni ashtu gjërash, por….

Gazetari-Jo, ne thjeshtë po ju pyesim, po marrim versionin tuaj, ndërkohë që kemi dhe prova të tjera, që tregojnë që ju e pranoni, që keni marrë 5 mijë euro për specializim dhe nuk pranoni…

Ish-drejtoresha-Jo për specializim. Zotëri e di shumë mirë ajo goca edhe i vëllai, se për çfarë i kam marrë.

Masakra, pamjet e eskavatorëve, që grryejnë shtratin e lumit Erzen.

Në emisionin “Stop” ka mbërritur një denoncim, ku thuhet se në rrugën e Ndroqit, në pikën ku ndahet Tirana me Durrësin, shtrati i lumit Erzen po gërryhet nga ekskavatorët.

Gazetari i “Stop” arrin të filmojë këtë masakër, por ekskavatoristi largohet sapo e kupton këtë.

“Sipas një informacioni të mbërritur në emisionin “Stop” thuhej se pikërisht në shtratin e lumit Erzen po gërryhen inerte me makineri të tonazhit të rëndë dhe po shkatërrohet shtrati i këtij lumi, pikërisht ku ndahet kufiri i Kryeqytetit me qytetin e Durrësit.”

Pasi eci për rreth 150 metër nga rruga kryesore,pasi kishte kaluar komunën e Ndroqit, gazetari u përball me pikën e grumbullimit të inerteve.

“Në bazë të informacioneve të mbërritura në redaksinë e emisionit Stop na thuhet se këto inerte merren nga shtrati i lumit Erzen. Ne kemi ndjekur gjurmët e gomave të kamionëve të tonazhit të rëndë, ku dyshohet që disa ekskavatorë gërryejnë shtratin e lumit Erzen dhe i përpunojnë këto inerte pikërisht tek një kantier në krye të rrugës.”

Gazetari përballet edhe me një kamion të mbushur me inerte, por shoferi i thotë se po transporton “materiale”, duke shmangur fjalën “inerte”.

Gazetari: Si je? Çfarë ngarkoni, inerte?

Shoferi: Materiale

Në pamjet e filmuara nga Tv Klan duket qartë edhe një prej kamionëve që ka marrë inerte nga shtrati i lumit Erzen dhe i çon drejt pikës që i përpunon pak më tutje.

Pasi ndoqi gjurmët e kamionëve të cilët e çuan në anën e lumit Erzen, ku duket qartë një ekskavator i tonazhit të rëndë që ishte duke gërmuar inertet, gazetari u përpoq të intervistonte ekskavatoristin, por me të parë gazetarin ai la ekskavatorin dhe u fsheh.

“Me sa duket drejtuesi i këtij ekskavatori sapo e la atë të vetmuar dhe u fsheh.”

“Stop” iu drejtua Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit për të denoncuar rastin. Pas denoncimit, inspektorati ngriti një grup pune dhe bashkë me “Stop” iu drejtuan për në vendin e konstatimit të gërryerjes së lumit Erzen.

“Jemi këtu me inspektorët e Inspektoratit të Mjedisit, ashtu siç duket edhe nga pamjet, ekskavatori i tonazhit të rëndë dhe të gjitha makineritë që dëmtonin lumin Erzen janë zhdukur, janë fshehur”, tha gazetari.

E vetmja zgjidhje për të mbrojtur shtratin e lumit Erzen është që Inspektorati Kombëtar të vendosë çdo ditë inspektorë, të cilët do të monitorojnë zonën për të shmangur shkatërrimin e shtratit të lumit Erzen.

Kategori
OPINION
0 Komente

Përgjigju

*

*