Një video humoristike dhe hallet e gjyqësorit…?!

Një djalë ka sjellë në redaksinë e “Stop” videoklipin e tij humoristik, që nis me mjeljen e lopës dhe përfundon me kovën kokës nga mamaja, kur djali kërkon të ikë tek e dashura.Sot në vend nisi procesi i vetingut dhe i pari, që kaloi në sitën e pasurisë ishte anëtari i Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo. Ai ka deklaruar ndër të tjera edhe 100 mijë dollarë dhe një zyrë dhuratë nga e motra.Ndërsa këshilltari ligjor në KPK, Arben Jorgaqi, i cili po asiston procesin e vetingut, rezulton të mos ketë deklaruar masat disiplinore, që “Stop” i disponon.

Berat, manipulimi i provave të aksidentit të efektivit policor.

Më 22 Dhjetor 2017, Marjus Selamaj udhëtonte me automjetin e tij nga fshati Poshnjë në drejtim të Urës Vajgurore, pranë Komisariatit të Policisë së Urës. Por efektivi Behar Vrapi nuk respektoi sinjalistikën ndaluese, duke shkaktuar aksident.

“Unë vija nga ky drejtim, Poshnja, për të vazhduar për te Ura Vajgurore. Ndërkohë këtu, tek pika në mes (të kryqëzimit) më ka goditur makina e Behar Vrapit, i cili është punonjës i policisë rrugore, i cili vinte nga rruga dytësore dhe kishte tabelën “STOP”. Gjurmë frenimi nuk janë gjetur se nuk kam frenuar fare, më ka ardhur në befasi.

Nuk e di si e matën ata, por unë nuk kam qenë me shpejtësi dhe te fleta e gjobës shkruajta që nuk jam dakord. Pa dal ne nga makina, ata lëvizin makinën. Dalim ne, i them pse e lëvize makinën, çoje në vend. Ai tha do ta çojmë, por mos të pengojmë trafikun, kur trafik s’kishte dhe makinat kalonin nga të dyja anët”.

Denoncuesi tregon se sipas ekspertizës, ka patur frenim prej 28 metrash nga ana e tij, çka e kundërshtojnë fotografitë ilustruese të aksidentit. Ai shton se efektivi i policisë nuk ka patur dokumentacionin e domosdoshëm të automjetit të tij, përveç lejes së qarkullimit.

“Ky është një procesverbal në konstatimin e shkeljeve, e cila është shkruajtur në datë 20 Dhjetor, ndërkohë që aksidenti ka ndodhur në 22 Dhjetor. Kjo firma këtu nuk është e imja, nuk e di se kush dhe si e ka bërë”.

Përsa i përket këtij pretendimi të Marjus Selamajt, gazetari i emisionit “Stop” komunikoi me përpiluesin e procesverbalit të konstatimit të shkeljes, Naim Abazaj.

Gazetari – Për këtë procesverbal konstatimi, Marjusi pretendon se kjo s’është firma e tij. Data është 20 kur ngjarja ka ndodhur në 22 .

Naim Abazaj – Tani, të flas shkurt dhe qartë.

Gazetari – Normalisht se kjo do të verifikohet.

Naim Abazaj – Shko te sekretaria dhe verifikoji të gjitha.

Ndërsa eksperti që bëri akt-ekspertimin në vendngjarje tha se sipas tij, të dy ishin fajtorë në këtë aksident.

Gazetari – Bëhet fjalë për këtë aksidentin që ka ndodhur në datë 22 Dhjetor në Urën Vajgurore, afër komisariatit. Personi që ka ngritur ankesën, që është i ati i Marjusit, Ferdiu thotë që nuk ka gjurmë frenimi. Aty është mbajtur një procesverbal, është bërë konstatimi dhe këqyrja e vendit të ngjarjes.

Të lutem, mund të na vini në dispozicion çfarë provash ka? Gjurmët e frenimit, setin fotografik që keni bërë.

Eksperti – Tani, për çfarë ankohet ky?

Gazetari – Ky thotë që nuk vërtetohet në asnjë moment që unë kam qenë me shpejtësi sepse s’ka as radar asgjë. E dyta thotë që nuk ka gjurmë frenimi.

Eksperti – Pa pyete njëçikë atë: para se të futet aty ai, ka vija këmbësorësh- thuaj? Vijat e kalimit të këmbësorëve dhe një tabelë, thuaj, e ka përpara?

Gazetari – Jemi në kushtet që ky efektivi i policisë, Behar Vrapi, duhet të ishte i pari që duhet të ndalonte te tabela “STOP”, të flasim realisht.

Eksperti – Po! Realisht ai ka ndaluar, ai polici ka kaluar tabelën “STOP”, që është 7 metra më përpara, është futur dhe e ka fituar përparësinë sepse kur hyn në një kryqëzim, e shikon tabelën “STOP” dhe pastaj kalon. Nëqoftëse nuk ke mjete në të dy krahët, kalon, futesh. Ky Behari, (efektivi) e ka kaluar mesin e rrugës dhe kur… në këtë rast shikohet edhe në krahun e djathtë pastaj, e ke parasysh parimin e krahut të djathtë? Ky çuni vjen nga vijat e kalimit të këmbësorëve, që ka një tabelë tjetër që thotë kujdes se ke një kryqëzim nga e djathta, vjen me shpejtësi, tani ti thua për gjurmët…

Më ka nisur Shefi i Qarkullimit, më ka thënë më duket se kemi një aksident me dëme- tha, ku është përfshirë dhe një polici jonë, por më duket se është me dëme në njerëz. Po nisem direkt i thashë unë, por nëse ka dëme në njerëz dhe është i përfshirë një punonjës i policisë, nuk i bëj unë veprimet, i bën një oficer i Policisë Gjyqësore, i prokurorisë, një që është asnjëanës.

Gazetari – Në kushte të tilla, a ka një fajtor? Kush është shkaku determinant i aksidentit?

Eksperti – Tani, mendimi im që dhashë aty në vendngjarje, unë i dhashë: të dy fajtorë. Ne i nxjerrim të dy fajtorë, Byroja (e Sigurimeve) ka ekspertët e vet që gjykojnë mbi këtë situatë dhe e jep ajo pastaj verdiktin e vet.

Gazetari komunikoi gjithashtu me ekspertin autoteknik, Lekë Gjoni, i cili shpjegoi dinamikën e ngjarjes dhe përgjegjësitë.

“Kategoria e rrugës siç thoni ju, është rrugë urbane, që do të thotë që shpejtësia maksimale e lejuar është 40 kilometra në orë. Nëse njëri drejtues mjeti ka tabelën “STOP” do të thotë që duhet të ndalet e t’i japë të drejtë makinave që vijnë nga të dy krahët e rrugëve. Për të analizuar përgjegjësitë merren edhe faktorë të tjerë, por elementi kryesor në këtë rast është respektimi i sinjalistikës rrugore. Në qoftë se një person që është pa siguracion dhe pa kontroll teknik, pika e parë është që të penalizohet për mungesë siguracioni, që shkon në vlerën e 40 mijë lekëve të reja dhe të mungesës së kontrollit teknik, e cila shkon në vlerën e 10 mijë lekëve të reja. Nëse ky person, që ka këtë mungesë dokumentacioni, del përgjegjës në aksident ka dhe penalitetin tjetër për mungesën e siguracionit, duhet të paguajë dëmshpërblimin”.

Ekperti Gjoni shtoi se shpejtësia e automjetit gjendet nëpërmjet fiksimit të provave në vendngjarje, siç janë gjurmët e frenimit dhe spostimi i mjeteve. Sipas informacioneve të marra nga gazetari i emisionit “Stop”, eksperti autoteknik doli në konkluzionin se automjeti i Marjus Selamaj nuk ka patur fare shpejtësi.

Sarandë, avokate dhe juriste porti, dorëhiqet Noreta Kalcuni.

Më datë 20 Mars 2018, emisioni “Stop” transmetoi rastin e juristes së Portit të Sarandës, Noreta Kalcunit, e cila në shkelje të ligjit, punonte njëkohësisht edhe si avokate private.

Shefi i Shërbimit të Brendshëm të Portit, Kastriot Shkrepa telefonoi sot pranë redaksisë së emisionit “Stop” për të njoftuar se Kalcuni ka dhënë dorëheqjen nga detyra e do të vazhdojë punën si avokate.

“Po ju marr për të informuar në lidhje me emisionin e transmetuar mbrëmë nga ana juaj për juristen e portit, zonja Noreta Kalcunin. Më datë 13.03.2018 ka paraqitur pranë portit kërkesën e saj për dorëheqje të parevokueshme dhe janë zgjidhur marrëdhëniet financiare me të që më datë 13. Ajo ka zgjedhur vetë të ushtrojë profesionin e avokatisë”.

Moderatorët e emisionit “Stop”, Saimir Kodra dhe Gentjan Zenelaj u shprehën se për funksionarët që shkelin ligjin nuk mjafton vetëm dorëheqja , por duhet të merren masa nga Ministria e Drejtësisë.

Çfarë transmetoi emisioni “Stop” për rastin e Noreta Kalcunit, juristet së Portit Sarandë, e cila ushtronte njëkohësisht aktivitetin e saj si avokate, duke shkelur ligjin:

Noreta Kalcuni është avokate, e regjistruar edhe në QKB me këtë profesion. Më parë ajo ka qenë e punësuar si sekretare në Gjykatën e Shkallës së Parë Sarandë, për të vijuar më pas si juriste e jashtme në Portin e këtij qyteti, ku ka ndjekur 28 çështje. Por Porti i Sarandës, i përfaqësuar nga juristja Kalcuni, i ka humbur të 28 gjyqet. Prej një viti ajo është emëruar juriste definitive e këtij institucioni, por vijon të ushtrojë profesionin si avokate, duke shkelur në këtë mënyrë nenin 4 të ligjit numër 9109, ku thuhet:

“Avokati, gjatë ushtrimit të profesionit të tij, nuk mund të jetë njëkohësisht gjyqtar, prokuror, noter, nëpunës civil ose punonjës i administratës publike”.

Shpërdorimi i detyrës dënohet nga Kodi i Procedurës Penale, përkatësisht sipas nenit 248, personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta, a kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër penale, dënohet me burgim deri në 7 vjet dhe me gjobë nga 300 mijë deri në 1 milion lekë.

Gazetari i emisionit “Stop” shprehet se gjatë investigimit ka rezultuar se juristja e Portit të Sarandës, ka vijuar aktivitetin privat pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, duke u caktuar si avokate e duke u paguar për një punë të cilën e ka të ndaluar. Ai iu drejtua zyrës së saj private, por askush nuk u përgjigj, ndaj dhe e kërkoi avokaten në port nëpërmjet një “klienti” me kamera të fshehtë.

Klienti – Përshëndetje! Si kalove? Avokate Noreta Kalcuni, ka ardhur?

Roja i Portit – Si, si?

Klienti – Noreta Kalcuni, juristja.

Roja i Portit – Avokatja?

Klienti – Ë…

Roja i Portit – Nuk e di. Pse?

Klienti – Jo, për t’i dhënë një porosi.

Roja i Portit – E ke avokate ti?

Klienti – Po, po! Po i bie në telefon, por s’po e gjej dot. Më thanë: Shko tek porti!

Roja i Portit – Nuk është këtu.

Klienti – S’ka ardhur sot ëë…?

Roja i Portit – Ik andej nga gjykata, mos e takosh!

Gazetari i emisionit “Stop” e telefonoi funksionaren nën petkun e qytetarit, duke pretenduar se ka një çështje prone. Noreta Kalcuni i la takim në zyrën e saj në Portin e Sarandës, por kur u përball me gazetarin tha se nuk e ushtron profesionin si avokate gjatë orarit zyrtar të institucionit publik. Ndërsa pas insistimit të gazetarit, u shpreh se mund të ketë ndodhur ndonjëherë.

Gazetari – Si je? Si kalove?

Juristja e Portit N. Kalcuni – Mirë! Si je ti?

Gazetari – Genci Angjellari nga Tv Klan, Emisioni “Stop”.

Juristja e Portit N. Kalcuni – Ëëëë!

Gazetari – Kemi një denoncim të mbërritur për ju, në lidhje me profesionin që bëni si avokate dhe që jeni e punësuar këtu në port. Është e lejueshme?

Juristja e Portit N. Kalcuni – Unë nuk jam avokate për arsye se 8 me 4 jam në punë. Pas orarit 4 mund të punoj.

Gazetari – Ne kemi investiguar dhe në Gjykatë, kemi marrë ato avokatët, që janë kryesisht, e ke emrin në listë…

Juristja e Portit N. Kalcuni – Sepse licenca nuk është mbyllur.

Gazetari – Absolutisht e kuptoj, por gjyqet që keni ndjekur janë brenda orarit zyrtar. Më kupton?

Juristja e Portit N. Kalcuni – Ku ka qenë kjo?

Gazetari – Ju e mohoni këtë kategorikisht? Si e ushtroni profesionin? Si i mbroni klientët? Sepse gjykata deri në 4 është. Më kupton?

Juristja e Portit N. Kalcuni – Po, pfff… ajooo… eeeeee, klientit nuk mund të… Lista që del kryesisht është pas orës…

Gazetari – Jo, meqë je këtu 8 me 4.

Juristja e Portit N. Kalcuni – 8 me 4.

Gazetari – Mua, si klient p.sh…

Juristja e Portit N. Kalcuni – Kryesisht ka nxjerrë listën kryetari i Dhomës së Avokatisë. Në momentin që ka komisariati një… ose penale një prokuror, atëhere të thërret. Kam vajtur edhe pasdite.

Gazetari – Po s’ka gjyqe pasdite! Prandaj po të them.

Juristja e Portit N. Kalcuni – Pasdite në dhomat e paraburgimit .

Gazetari – E kuptoj, por si e mbron klientin tënd?

Juristja e Portit N. Kalcuni – Unë, ssss…

Gazetari – S’ke pasur raste të tilla? Se ne i kemi investiguar, domethënë edhe punët që ke bërë i kemi .

Juristja e Portit N. Kalcuni – Mund të ketë ndonjë rast 1, 2 , po jo se kam… Unë jam këtu, kështu që…

Gazetari – Mirë! Të falenderoj! Gjithë të mirat!