Rama i vendosur të shembë teatrin, Basha ekskursion në Vlorë.

Një grup gazetarësh dhe njerëz të ekranit janë nisur sot drejt Stambollit në një prej fluturimeve-test të Air Albania, organizuar nga qeveria.Kryeministri Rama tha mbrëmë përballë gazetarëve në tv Klan, se nuk ka kohë të presë për shëmbjen e teatrit. I pyetur, nëse Gjykata Kushtetuese e hedh poshtë ligjin e miratuar, ai tha, se populli për këtë ka një shprehje me hallë.Por dje kreu i PD-së Lulzim Basha ishte në Vlorë, pavarësisht se zhvillimet në parlament e kërkonin atje.Kunati i Bashës Erion Isufi ka klientë të bizneseve të veta gjithë “oligarkët” që përmend Basha cdo ditë.Vec kësaj norma e fitimit, që ka ia deklaruar, të bën të dyshosh për evazion fiskal.

Me këmbë të thyer i heqin kempin, Stop e kthen në skemë.

Fiqiri Rexhepi tregoi në emisionin “Stop” se është trajtuar për 5 vjet me Kemp, për shkak të një tumori në stomak. Më pas ai tha se nisi një punë të lehtë në një firmë ndërtimi, gjatë së cilës pësoi aksident e theu këmbën. Mori sërish Kemp për 6 muaj, por ia ndërprenë, duke i kërkuar epikrizën nga mjeku specialist.

“Më 30.04.2018 m’u ndërpre Kempi. Më thanë që të përsërisja Kempin, shkova te ortopedi, i cili tha të shkoja te Spitali Ushtarak, ku jam operuar. Shkova dhe më thanë që do të ma jepte mjeku i lagjes. Ky i fundit më thotë nuk kam të drejtë. Vij prap te Kempi dhe më thonë që nuk më fusin në komision se s’ke epikrizën”, rrëfeu kalvarin e gjatë denoncuesi.

Gazetarja e emisionit “Stop” sëbashku me Fiqiri Rexhepin iu drejtuan KMCAP-it në Tiranë, ku komunikuan me përgjegjësin Fatos Abdiu.

Përgjegjësi – Flasim për traumat e anësive të sipërme dhe të poshtme dhe pasojat e tyre, thonë këta: “Frakturat dhe gjithë dëmtimet traumatike të strukturave të anësive të poshtme, që kërkojnë trajtim mjekësor tej afatit 6-mujor. Trajtim me pension invaliditeti të plotë, do të bëhet vetëm nga Kempi Epror.” Pra, për 6 muajshin, që zotëria duhet të kishte marrë pushim, që nuk e ka marrë sepse nuk ka qenë në marrëdhënie pune, ne i kemi dhënë 6 muaj, pra që nuk kemi të drejtë t’i japim.

Duke u nisur nga ky fakt, doktori i ka thënë që ‘ore 6 muaj t’i dhashë, tashi mos më bjer në qafë, sepse nuk të mbuloj dot! Kjo ka qenë shprehja. Megjithatë, epikrizat i hoqën fare. Ti bëj grafi, edhe hajde në Komision!

Qytetari – Ok!

Përgjegjësi – Hajde! Dosjen e kam në procedurë! A u binde? (gazetares)

Pas interesimit të emisionit “Stop”, denoncuesit iu tha se nuk ka nevojë për epikrizë, për të cilën e kanë sorrollatur aq gjatë, por vetëm dy grafi për të hyrë në komision.

Fiqiri Rexhepi u paraqit në KMCAP Tiranë më 1 Gusht 2018 për t’u rivlerësuar, nga ku përfitoi edhe 6 muaj të tjerë Kemp.

Ai falenderoi emisionin “Stop” duke thënë: “Po të mos ishte ndërhyrja juaj, unë nuk kisha as informacionin e duhur se çfarë rruge do të ndiqja për të marrë Kempin dhe për të parë gjendjen time”.

Kapshticë, i ngatërrojnë fshatin dhe vitin e lindjes në diplomë.

Andi Gavri iu drejua emisionit “Stop” për një problem që ka me diplomën e shkollës së mesme, çka e penalizon për t’u regjistruar në universitet.

“Kam mbaruar gjimnazin në Bilisht dhe kur shkoj të marr diplomën shikoj që më kanë vënë gabim fshatin dhe datëlindjen”, tregoi denoncuesi. Ai shtoi se mund ta vërtetojë që të dhënat janë vendosur gabim nëpërmjet pasaportës.

Gazetarja e emisionit “Stop” komunikoi me gjyshen e të riut, pasi të dy dokumentet janë zyrtare dhe nuk dinte se kë prej tyre të besonte.

“Ka lindur më 13 Janar 1995, i mbaj mend (datëlindjet) e të gjithëve. Atë ditë, mos pyet, ishte dëbora deri këtu. Kam thirrur maminë e fshatit dhe ka lindur në shtëpi djali. I nakatosën ata, ç’do t’i bëjmë ne”, u shpreh gjyshja e Andit.

Drejtori i shkollës së mesme “Fuat Babani” tha se për gabimin e diplomës i është drejtuar ZA-së Devoll.

“Gabimet mund të jenë bërë duke u plotësuar notat në sistem, ose mund të jenë te sistemi i vetë. Unë nuk e gjej dot tani se kush e ka gabimin. Megjithatë për të ndrequr gabimin, ne si drejtori shkolle kemi bërë një shkresë më 31 Korrik 2018 dhe ia kemi adresuar Zyrës Arsimore Devoll. Jemi në pritje për këtë rregullim. Nëse nuk rregullohet brenda limiteve kohore, ne do ta pajisim Andi Gavriun me një vërtetim me fotografi dhe notat dhe mund të regjistrohet normalisht”, tha drejtori i shkollës së Andit.

Drejtori i ZA Devoll, Ilir Gjata pohoi që ishte vënë në dijeni të problemit dhe premtoi zgjidhjen e tij.

Ndërsa i pyetur nga gazetarja e emisionit “Stop” lidhur me kostot e shpenzuara nga familja Gavri për një problem të institucioneve, drejtori Gjata nuk diti të kthente një përgjigje.