Stop – Emisioni 15 Shtator 2023 (Sezoni 9)
Stop Tv Klan | Një format satiro-investigativ nga Saimir Kodra & Gentian Zenelaj.
Si u krijua shatërvani në Bulqizë dhe ku e shuajnë etjen zogjtë e Vollgës
Një qytetar ka bërë një video me celular, kur tregon shkurre e bimë të shkulura në zonën e Bulevardit të Ri në Tiranë.Qytetarë të tjerë kanë sjellë në redaksinë tonë pamje të plehrave në disa lagje të kryeqytetit si “Grigor Gjirokastriti” apo “Llambi Budurushi”. Në Bulqizë është krijuar në mënyrë natyrale një shatrivan i ri. Ndërsa në zonën e Vollgës në Durrës, ujrat e zeza janë sheshit, madje shërbejnë edhe për zogjtë për të shuar etjen. Janë këto disa nga episodet, që shfaqen e komentohen në pjesën e parë të emisionit, në rubrikën “Hitparade i absurdit shqiptar”.
“Vura panele diellore, por nuk ia pashë hajrin”,ja sa u mbifaturua nga OSHEE
Dashamir Laçi, një banor nga Sukth katund, është ankuar pranë emisionit Stop në Tv Klan në lidhje me një problem mbifaturimi të energjisë elektrike, në një kohë kur ai ka vendosur panele diellore.
Z.Dashamir tregon se në muajin Shkurt 2022 vendosi panelet diellore në tarracën e shtëpisë dhe dyqanit të tij, pasi mori leje dhe konfirmim për lidhje 3 fazore.
Në këtë mënyrë ai vuri 48 panele diellore sipas rregullave. Por pas këtij momenti, jo vetëm që Dashamiri nuk ia pa hajrin paneleve, por u mbifaturua.
“Problemi im qëndron me OSHEE. Unë kam bërë një investim me panele fotovoltaike në Shkurt të vitit të kaluar, u bë një periudhë 1-vjeçare. Marr leje nga OSHEE, është marrë edhe konfirmimi për lidhje trefazore, kanë ardhur të OSHEE, kanë montuar sahatin dhe kanë filluar të gjitha procedurat për montimin e paneleve fotovoltaike. Janë vendosur 48 panele diellore në dy vende të ndryshme, në soletën e shtëpisë dhe në soletën e dyqanit sipër”.
Fatura e energjisë, nga 360 mijë Lekë të vjetra më e larta që i ka shkuar pa instaluar panelet, i shkoi mbi 800 mijë Lekë të vjetra pasi vendosi panele.
“Shumë më e madhe që më ka ardhur ka qenë 360 mijë Lekë të vjetra. Pastaj jo 190, 180, 200 e ca. Në varësi të konsumit të energjisë që kisha. Për momentin as po ja shoh hajrin prej mbifaturimeve që bën OSHEE-ja sepse në moment që vendos këto duhet të zerohen ato. Unë i vendosja për t’ja parë hajrin, ndërkohë nuk po arrij dot t’ja shoh hajrin. Sepse OSHEE-ja po sjell gjithmonë mbifaturim. Mua më kanë sjellë 855 mijë Lekë vetëm të këtij muaji. Mua nuk po më zerohet, por po shtohet. Kjo i bie sikur unë kam fabrikë, ndërkohë që kam po të njëjtat gjëra, 6 frigorifera dhe frigoriferi i shtëpisë, dushi kaq siç i kam pasur, as nuk kam shtuar gjë, por që nuk po ja shoh dot hajrin, ky është problemi. Gjithë ky investim ka kushtuar 12 mijë Euro. Unë kam akoma nuk kam arritur të laj as borxhin që kam hyrë për këto panele”.
Në këto kushte, Dashamiri shkoi të bënte ankesë në zyrat e OSHEE, por nuk po i kthejnë përgjigje.
“Kam shkuar në zyrat e OSHEE Shijak, ata më kanë thënë duhet të shkosh të bësh një kërkesë në zyrat e OSHEE në Durrës. Unë kam bërë edhe kërkesën, thanë do biem inxhinierët që ta verifikojmë këtë problem. Kanë ardhur mbi 3-4 e kanë verifikuar. Mua më personalisht nuk më kthyer akoma asnjë lloj përgjigje. Erdhi dhe Task-Forca. Edhe ata erdhën për verifikim. Nuk kanë vendosur asgjë, mua nuk më kanë kthyer asnjë lloj përgjigje. Prandaj ju drejtova emisionit Stop që të më zgjidhi këtë lloj problemi”.
Emisioni Stop u interesua në zyrat e OSHEE Shijak, ku specialisti Albert Bezaku tha se faturisti e ka bërë gabim foton për shkak të këndit të dritës. Por në fakt gabimin e ka bërë specialisti, që ka hedhur të dhënat në sistem. Megjithatë, ai tha se ky gabim i tyre do të zgjidhet.
“Për rastin e zotërisë, duke qenë se matësi është jashtë edhe ka shumë pamje vizuale nga dielli, momentin që është shkrepur fotoja mund të jetë marrë gabim edhe treshi mund të jetë dukur si tetë. Në këtë moment zotëria ka marrë automatikisht 5 mijë kilovat”, thotë specialisti i OSHEE Shijak.
Në zyrat qëndrore të OSHEE-së na premtuan zgjidhjen e problemit të mbifaturimit për Dashamir Laçin.
Kleçkat kthejnë miliona në bashki, qytetari 6 muaj pa pagesën e kempit
Emisioni Stop në Tv Klan ka udhëtuar drejt qytetit të Fierit pas ankesës së ardhur nga qytetari Fran Ukcamaj. Bashkëshortja e tij Liljana Ukcamaj është me statusin e para e tetraplegjikut.
Zonja e ka fituar këtë status në Korrik 2022. Por nga Korriku e deri në Dhjetor 2022, Frani nuk ka mundur të tërheqë as pagesën e paraplegjikut e as të kujdestarit, për shkak të kleçkave që i nxjerr banka.
Nga Janari pagesa i kaloi në postë normalisht, por problemi janë 6 muajt e kaluar ose mbi 2 milionë Lekë të vjetra që nuk ka mundur t’i tërheqë.
“Nga Korriku i vitit 2022 deri në Dhjetor ishin muajt për t’u marrë, 6 muaj për t’u marrë. Unë shkova në bankë me prokurë duke menduar që do merret se jam kujdestar zyrtarisht. Thanë do ta biesh këtu. Ajo është me barrelë, as në karrocë nuk është. Nuk shikon edhe duart nuk i punojnë. Unë do mundohesha ta çoja, por kur më thanë që dhe karta e identitetit kishte skaduar dhe nuk e bëjnë këtë veprim. Nuk pranojmë as certifikatë, nuk pranojmë as prokurën tënde. U detyrova ngelën lekët. Bashkia duke parë këto fenomenet e tjera e ndërpreu kontratën. Dhe më thanë mua meqë ndërpritet kontrata, në Janar do i marrësh s’është problem, siç i marr tani normal në postë. Ngelën 2 milionë e gjysmë pa marrë, 8 muaj pagesë kujdestarie. 4-5 orë vijnë sanitaret, gjithë ditën merrem unë. Nuk ka sakrificë më të madhe, edhe armikut nuk ja dua këtë diagnozë”, thotë bashkëshorti Fran Ukcamaj.
Nënkryetarja e Bashkisë së Fierit, Eleni Gjikondi, flet për një pengesë që kanë hasur pas kthimit të lekëve nga banka, pasi bashkia e ka të pamundur t’i përdorë pa miratimin nga Ministria e Financave dhe ajo e Shëndetësisë.
“Ne jemi në fazën kur fondet janë kthyer nga banka, janë kthyer në bllok në llogarinë e të ardhurave jotatimore, por duke qenë se janë kthyer në bllok, ne këto të ardhura nuk mund t’i përdorim. Do kërkojmë një asistencë nga Drejtoria e Shërbimit Social, nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga Ministria e Financave se si mund të veprojmë, si do të jetë procedura për të vepruar për këto raste. Në rast se ne do kemi vonesa, deri në mbledhjen e ardhshme të këshillit ne do ta shqyrtojmë dhe do të shikojmë vendimin që do të marrim që besoj do zgjidhet ky problem shumë shpejt”, shprehet nënkryetarja e Bashkisë së Fierit.
Gjikondi premtoi se në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak do të përpiqen t’i japin zgjidhje problemit të zotit Fran Ukcamaj.
/tvklan.al