Stop Tv Klan | Një format satiro-investigativ nga Saimir Kodra & Gentian Zenelaj.

Humor mbi fletët e votimit, kur humbësi përgëzon fituesin në Kavajë

Tani që votimet përfunduan, janë publikuar disa fletë votimi, që u bënë meme, për shkak të shënimeve mbi to. Një votues në Tiranë, ka shtuar në fletën e votimit, nënën e tij. Një tjetër votues në Pogradec ka shkruar si të preferuar yllin korean të repit,Min Yoon-gi. Në këtë mënyrë, këto vota janë bërë të pavlefshme.Në Kavajë, u shënua një akt civil, pas numërimit të votave për kryebashkiak. Sapo u mësua, se fitues doli kandidati demokrat Fisnik Qosja, kreu në detyrë i bashkisë dhe rivali i tij, Redjan Krrali i dha dorën fituesit dhe e përgëzoi.

Sherri për shtëpinë pas vdekjes së nënës, vëllai kërcënon vëllain

Emisioni Stop në Tv Klan ka trajtuar denoncimin e Irmës dhe Perlat Saliajt në qytetin e Vlorës.

Perlati denoncon vëllain, Ferdinad Saliaj, i cili përmes mashtrimit ka zhvatur një pronë rreth 50 m2 në bulevardin “Ismail Qemali”, që sot është 2 dyqane. Kjo pronë është përfituar me privatizim, në një kohë kur në certificatë ishin 3 pjesëtarë; nëna, babai dhe Perlati.

Bashkëshortja e Perlat Saliaj: “Kjo pronë është përfituar me privatizim. Në këtë privatizim kanë qenë vjehrra, vjehrri edhe bashkëshorti im Perlat Saliaj. Më vonë kjo është shtëpi u transformua në dy dyqane. Në 18 Gusht ka bërë muajin që ka vdekur kunati Ilirjan Saliaj. Në këtë ditë, Ferdinand Saliaj, ka vajtur me të gjithë ka marrë dhe nënën dhe e ka çuar në varreza. Pasi është kthyer nga varrezat ka çuar nënën te noteri dhe ka bërë një testament dhe në 19 Gusht Ferdinandi pretendon se e ka çuar nënën prapë që ka bërë një dhurim. Ndërkohë nëna nuk ka shkuar më për të bërë këtë dhurim. Ndërkohë noterja i ka dhënë revokimin, ka vajtur ka tërhequr revokimin. As për testamentin nuk na ka thënë nëna”.

Perlat Saliaj: Ku kam vëllezër unë, unë për ata jam ushtar në Afganistan.

Ferdinand Saliaj në 18 Gusht 2022 çon nënën Merfa Saliaj te noterja Mirela Gjonça, ku bën një testament. Por rezulton, se nëna një ditë më pas ka bërë një akt dhurimi për Ferdinandin.

Në Nëntor nëna ka bërë revokim të testamentit dhe denoncuesit shprehen se asnjëherë nuk është përmendur ky dhurim.

Bashkëshortja e Perlat Saliaj: Përfitues i qirave të këtij objekti ka qenë nëna dhe Perlat Saliaj. Pas vdekjes së nënës, kontrata ka qenë akoma me Perlatin dhe me nënën. Dhe në muajin Prill i ka marrë Perlat Saliaj. Tani në Maj gjysmat e qirasë i ka marrë Perlati, gjysma tjetër është e bllokuar e dyqanit tjetër për t’i marrë Ferdinand Saliaj meqënëse ka përfituar pjesën e nënës. Kam vajtur unë personalisht tek Mirela Gjonça (noterja), kemi debatuar, i kam thënë pse nuk i ke thënë nënës ndërkohë që ajo ka tërhequr kontratën revokimin e testamentit ku ju i keni bërë dhe dhurimin që nëna nuk ka qenë në datën 19 sepse ka qenë në shtëpi. Më thotë që nuk i ka thënë gjë. Prandaj i kam thënë Mirelës, kur nëna ka ardhur ka marrë revokimin, nëna është e hequr nga hipoteka në Tetor 2022, nëna ka vajtur në Nëntor 2022 që ka tërhequr revokimin. Gjithë këtë e ka bërë i biri Ferdinandi me gjithë të bijën e tij që është drejtoreshë e Sigurimeve Shoqërore, Brunilda Saliaj. Nëna ishte e sëmurë. Me ndihmën e noteres Mirela Gjonçi.

Gazetarja e Stop u takua me Ferdinand Saliajn, i cili mohoi çdo gjë dhe se më vëllain e tij, do shihej në gjyq.

Ferdinand Saliaj: Nëna ka lënë një akt dhurimi. Ka lënë trashëgimi dhe ka thënë jo se do ta lë akt dhurimi. Nëna ka qenë në rregull. Nëna i di të gjitha deri ditën që ka vdekur. Ata i dinë të gjitha gjërat. I them zotërisë (vëllait) t’i drejtohet Prokurorisë, t’i shikojnë të gjitha. Pas vdekjes së mamasë, zotëria nuk ka ardhur të trokasë, por më ka kërcënuar.

Gazetarja shkoi edhe në noteren ku janë bërë veprimet me pronën, por zonja ndodhej jashtë Shqipërisë.

Sekretarja: Eshtë larguar dje për Amerikë dhe është 20 ditë atje, se i ka lind vajza.

Gazetarja: Ju keni kamera sigurie këtu në ambient?

Sekretarja: Faktikisht kemi kamera sigurie, po nuk e di, funksionojnë, apo jo. Ka harruar kodin, por që e gjejmë. Kemi kamera, unë nuk i kam hapur vetë ndonjëhërë, kështu që do parë kamera, ça të keni ashtu e shikojmë!

Gazetarja: Sa kohë mbajnë? Keni informacion?

Sekretarja: Nuk e di sa kohë mbajnë, se unë vetë nuk i kam hapur.

“Stop” transmeton edhe një audio-regjistrim mes nënës Merfa dhe nuses së djalit, ku e ndjera i pohonte se vetëm një herë ka qenë te noterja dhe nuk i ka bërë dhurim Ferdinandit.

Nusja e djalit: Ke firmosur, ke vajtur atje?

E ndjera Merfa Saliaj: Po kam vajtur njëherë moj motër!

Nusja e djalit: Kur? Kur ia dhe Pellatit? (nëna ia ka besuar dokumentet e pronës Perlatit)

E ndjera Merfa Saliaj: Eee

Nusja e djalit: Po më vonë, s’ke vajtur?

E ndjera Merfa Saliaj: Jo!

Nusja e djalit:  Që do ia bësh dhuratë këtij (Ferdinandit)?

E ndjera Merfa Saliaj:  Jo!

3 vjet sorollatje për pronën, Stop e pajis me certifikatë për 3 ditë

Më 28 Prill, emisioni Stop në Tv Klan transmetoi problemin e denoncueses në lagjen Zguraj të Kavajës, Danjela Kola Laçi. Ajo është trashëgimtarja e një prone të blerë që në vitin ‘78, nga gjyshi i saj.

Nga gjyshi prona ka kaluar te 6 trashëgimtarët e tij dhe babai i saj nuk e kishte regjistruar për neglizhencë. Danjela tha se për tre vjet rresht është përpjekur të bëjë regjistrimin e pronës, por nuk ia ka dalë.

Në Kadastrën e Kavajës na thanë se aty regjistrohen vetëm pronat-shtet. Ato private i kanë kaluar Tiranës.

Gazetarja e Stop bisedo me Dorian Muratin, i cili tha se prona do të regjistrohet. E në fakt kështu ndodhi. Bashkë me zonjën ne shkuam në zyrat e Kadastrës në Rinas, ku mori zgjidhje problemi i Danjela Kola Laci. Brenda 1 jave ajo mori certifikatën e pronësisë.

/tvklan.al