Mësuesit dhe morali, që u japin nxënësve.

Sot në emisionin “Stop” u transmetuan disa video që tregojnë realitetin e padenjë të auditoreve në institucionet tona të arsimit.

Mësuesja e biokimisë në gjimnazin “28 Nëntori” në Burrel, Flutura Zeneli u thotë nxënësve se mund të kenë pirë drogë që sillen në atë mënyrë.

“Kush të ka mësuar kështu ty atje? Kush t’i ka mësuar? Ça ke pi ndonjë drogë? Mos ke pirë ndonjë drogë? Mos ke pirë se nuk je në rregull”, shprehet ajo.

Ndërsa në Lezhë, mësuesja Donika Haxhia, gjatë orës së lëndës së Letërsisë, u thotë nxënësve se shqiptarët janë një popull prostitutë.

“Është aq injorant populli shqiptar, sa rri i ndrojtur para ministrit. Në fakt duhet t’ja fusë duart në fyt! Se unë të çova aty ti dhe tani hajde më shërbe. Po me ça do t’ja kërkosh ti, me injorancë? Jo, o vëlla, me injorancë jo”, thotë ajo.

Më pas përmend prindërit që nuk kanë të ardhura, të cilët i kërkojnë ndihmë në shkollë, duke u shprehur se nuk i dhimbsen fare sepse e shesin veten për 5 lekë.

“Është popull prostitutë Shqipëria!”, shton mësuesja e letërsisë në shkollën profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë, duke përmendur faktin që ajo vetë e ka sistemuar jetën e saj dhe të fëmijëve të saj.

“Por çfarë do të bësh ti? Nuk martohet me njeri prostituta, ta keni të qartë”, thekson Donika Haxhia.

Por ndryshe nga koleget e saj në rastet e mësipërme, një tjetër mësuese e quajtur Marjeta shfaqet në video duke goditur fizikisht një nxënëse në shkollë të Gjirokastrës.

Moderatorët e emisionit “Stop” përmendën faktin që kjo mësuese i ka bërë nxënësve një pyetje absurde, “si mund të ndahen 9 karamele në mënyrë të barabartë”.

Bulqizë, aksidenti flagrant dhe dritë-hijet e hetimit të mangët.

Emiliano Lami tregoi për emisionin “Stop” sesi iu aksidentua djali, Marioli, më datë 17 Janar 2018, ndërsa kishte dalë me një shok. Ai rrëfeu momentet e tmerrit kur e ka gjetur djalin të shtrirë në tokë, të lënduar dhe të vetmuar, pasi ishte braktisur në anën e rrugës nga autori.

“Vjen një djalë nga Krajka dhe më thotë hajde se të është vrarë djali, Arjoli, ta ka shtypur makina. Erdhëm me vrap ne dhe gjetëm djalin të shtrirë, të vdekur. Unë e thërrisja, por ai nuk jepte shenja jete. E pashë te damari dhe kishte puls. Dola në rrugë dhe thërrisja makina. Njëri kaloi, por nuk ndaloi. Në këtë kohë vjen kushëriri im me makinë, e futëm dhe e çuam në spital e pastaj në Tiranë”.

Që prej ditës së aksidentit e deri më sot, Komisariati i Bulqizës dhe Prokuroria e Peshkopisë nuk e kanë informuar të atin e të aksidentuarit në lidhje me hetimet. Marioli ndodhet ende në Spitalin e Traumës në Tiranë për shkak të dëmtimeve të shumta.

Gazetari i emisionit “Stop” u shpreh se këto institucione kanë bërë një punë të mangët në hetime, pasi mungojnë detaje në dosjen hetimore, të cilat mund të çonin në zbardhjen e ngjarjes.

“Për mua nuk ka asnjë lloj hetimi! Kam qenë dy herë në komisariat dhe dy herë në prokurori dhe nuk e kam gjetur prokurorin”, thotë i zhgënjyer denoncuesi.

Në vendngjarje është gjetur një pasqyrë me numër serie, e cila sipas ekspertëve të pyetur nga emisioni “Stop”, rezulton të jetë e një makine fuoristradë të tipit “Nissan Navara” ose “Nissan Patrol”.

Emiliano tregoi se të nesërmen djali i tij i vogël ka gjetur një kauçuk parafangoje sipër bordurës, të cilën policia nuk e administron si provë, pasi nuk e kanë parë në vendngjarje.

Gazetari i emisionit “Stop” komunikoi me prokurorin e çështjes, Rifat Kojku, i cili tha se për rastin është bllokuar një makinë, ndërsa provën e re duhet ta dorëzojë oficeri i Policisë Gjyqësore, Artur Braho.

“Po tani, është bllokuar një automjet atje dhe po kryhen hetime. Është bllokuar një mjet. Tani është bllokuar mjeti dhe do bëhet ekspertimi teknik i mjetit me atë pasqyrë edhe me një fjalë do shohim. Atëherë duhet ta dorëzojë oficeri se çështjen e ka oficeri i policisë gjyqësore atje”.

Ndaj dhe i ati i të aksidentuarit në Bulqizë komunikoi me OPGJ-në, Artur Braho nëpërmjet një telefonate, për t’i dorëzuar provën materiale që posedon.

OPGJ Artur Braho – Alo?

Denoncuesi – Shefi, si kalove?

OPGJ Artur Braho – Mirë!

Denoncuesi – Emiliano jam. Kam një provë me vete, për 10 minuta do vij atje.

OPGJ Artur Braho – Kush je?

Denoncuesi – Emiliano Lami.

OPGJ Artur Braho – Hë Emiliano, çfarë bën vëlla?

Denoncuesi – Kam një provë dhe po ta sjell tani.

OPGJ Artur Braho – Aaa, po mirë, mirë, dakord! Pritëm aty te komisariati. Çfarë është?

Denoncuesi – Është një kauçuk parafangoje, ka dhe numër serie. Na ndihmon pak prova.

OPGJ Artur Braho – Po mirë, mirë. Ku je tani ti?

Denoncuesi – Jam nisur për të ardhur atje.

OPGJ Artur Braho – Po mirë, hajde pa problem, mirëardhsh!

Emiliano Lami së bashku me gazetarin e emisionit “Stop” iu drejtuan komisariatit për të dorëzuar provën, por OPGJ nuk u përgjigj më, pavarësisht faktit që e ftoi vetë.

Gazetari i emisionit “Stop” – Zotin Braho deshëm.

Oficeri roje – Për çfarë?

Gazetari i emisionit “Stop” – Të dorëzojmë një provë materiale të aksidentit që ka ndodhur.

Oficeri roje – Të kujt aksidenti?

Gazetari i emisionit “Stop” – Të Marjol Lamit. 17 – vjeçarit që është aksidentuar më 17 Janar.

Oficeri roje – Shkurt muhabeti, atë me e dorëzu, ai që e ka gjet dhe që e ka fshehur gjatë gjithë kohës.

Gazetari i emisionit “Stop” – Kjo është gjetur nga një fëmijë. Një fëmijë nuk e di rëndësinë e kësaj!

Pra, prova materiale e aksidentit të 17 – vjeçarit nuk u dorëzua dot sepse duhej ta bënte personi që e kishte gjetur, i cili madje do të mbante përgjegjësi për fshehjen e saj.

Marjol Lami, i aksidentuari rrëfeu se çfarë kujtonte nga dita e ngjarjes.

“Shkuam për një kafe me shokun. Pimë kafen dhe kur ishim rrugës për shtëpi, ishte stuhi. Ka qenë ora 5:30 ose 5:45, nuk e mbaj mend saktë. Papritur, mesa më ka thënë ai shoku, i kishte rënë çadra. Kur kthen kokën ai, mua më kishte përplasur makina. Ka ardhur papritur dhe nuk kishte ndaluar fare, ka ikur. Ky më kishte parë mua në tokë dhe nuk kisha asnjë lloj shprese për jetën. Unë isha në rrugën e këmbësorëve. Po të mos isha unë, ai do t’i kishte rënë betonit.”

Ai tregoi se si pasojë e aksidentit ka kryer operacion në nofull, i është thyer shpatulla, ka shtiza të ngulura në dorë dhe këmbën të vendosur në allci, të cilën i duhet ta operojë jashtë shtetit. Por asnjë nuk ka shkuar për t’i marrë një deklaratë lidhur me ngjarjen.

Përmes dëshmive, emisioni “Stop” gjithashtu ka mësuar se nuk janë sekuestruar kamerat e sigurisë në asnjë prej subjekteve që kanë aktivitet në rrugën Bulqizë-Shupenzë.

Subjekti 1

Qytetari 1 – Mirë? Ça bëre?

Qytetari 2 – Jam t’u pyt për kamerat, këto t’i kanë marrë këto të policisë?

Qytetari 1 – Kamerat dy javë mbajnë ato, janë fshirë regjistrimet, nuk ke regjistrim në kamera. Dy javë mbajnë regjistrim total. Pas dy javësh i fshin komplet, s’mban asnjë gjë. Po të kishe ardhur mbrenda dy javësh, i kishim parë.

Qytetari 2 – Kush Ilir ka ardhë?

Qytetari 1 – Ilir Lami mooo.

Qytetari 2 – Aaa Ilir Lami, jo jo unë them kto të policisë?

Qytetari 1 – Jo, jo të policisë s’ka ardhur asnjeri prej ktyre.

Subjekti 2

Qytetari 1 – Doja me të pyt diçka, mundet të më tregosh?

Qytetari 2 – Posi mo, jo?!

Qytetari 1 – Këto kamerat i kanë parë ata të policisë,a jo?

Qytetari 2 – Policisë jo…. S’kanë lidhje me policinë ato, kapin vetëm ktu, s’kapin as xhade, asgjë.

Qytetari 1 – Ja ajo, diku e kap xhaden, ajo tjetra. Nuk i kanë marrë fare?

Qytetari 2 – Jo, jo!

Subjekti 3

Qytetari 1 – Të të pys kot për diçka ? A janë bërë të gjallë ata të policisë, kanë ardhur për të parë këto kamerat?

Qytetari 2 – Jo!

Qytetari 1 – Jo, eee.

Qytetari 2 – Pse ç’lidhje kanë?

Qytetari 1 – Jo, kot me të pyt se më thanë do shkojmë dhe s’kanë ardhë fare…

Moderatorët e emisionit “Stop” u shprehën se fatmirësisht Marioli është gjallë, por nuk mund të dëmshpërblehet në mënyrë që të paguajë të gjithë trajtimet që po ndjek, pasi institucionet kompetente nuk e kanë kryer punën për të gjetur autorin e vrasjes.

Aksidenti Bulqizë, nuk merren pamjet e kamerave të sigurisë dhe provat.

Emiliano Lami, babai i djalit të aksidentuar në Bulqizë,i kërkon OPGJ Artur Braho, të marrë si provë parafangon e gjetur. Por ky i fundit, megjithëse e fton të dorëzojë provën, nuk përgjigjet më. Madje polici roje thotë, se nuk mund ta lerë provën, se ai që e ka fshehur, do të mbajë përgjegjësi. Përmes dëshmive, “Stop” ka mësuar, se nuk janë sekuestruar kamerat e sigurisë në asnjë prej subjekteve, që kanë aktivitet në rrugën Bulqizë-Shupenzë.